LIBRAZHD - Kushte më të mira si dhe një infrastrukturë të përmirësuar për të gjithë nxënësit e Librazhdit ka premtuar Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla.

Gjatë këtyre takimeve ministrja Nikolla u ndal gjithashtu tek procesi i testimit për mësuesit, projekti “Shkolla si Qendër Komunitare”, Matura Shtetërorë 2015 dhe nevoja për investime në infrastrukturën shkollore.

Në shkollën e mesme të përgjithshme “Ibrahim Muça”, ministrja Nikolla theksoi domosdoshmërinë për zhvillimin e testimit kombëtar për mësuesit si një nevojë për të identifikuar nivelin e cilësisë dhe përcaktimin e nivelit të kualifikimit për mësuesit në vend.

Ministrja së bashku me deputetin e zonës Taulant Balla zhvilluan një vizitë në disa shkolla në rrethin e Librazhdit për të parë nga afër investimet në infrastrukturën e tyre, si edhe për të komunikuar me stafet pedagogjike dhe nxënësit rreth reformave të ndërmarra së fundi në arsim.

Ajo që ne do të bëjmë me testimin, ju vetë do ta shikoni, do të jetë një instrument shumë i rëndësishëm që e drejton gishtin së pari nga Ministria e Arsimit, nga Qeveria për të bërë gjithçka është e mundur për të qenë pranë jush dhe nevojave tuaja. Është quajtur testim në kuptimin e marrjes së informacionit është për të ndryshuar të gjithë skemën e kualifikimit në Shqipëri. Nuk do të ketë më pyetje shkencore, ligje por do të jenë çështje, problematika për të përcaktuar realisht nevojat që ne kemi për të ndërhyrë. Ne nuk duam një përcaktim të përciptë për të gjithë Shqipërinë, por duam ta kemi specifikisht për çdo shkollë të vendit. Shoku nuk do të dijë rezultatin e shokut tjetër, çdo gjë do të jetë e sekretuar. Ne na duhet të dimë në shkollën tuaj apo në çdo shkollë tjetër në Shqipëri, se si është niveli i kualifikimit. Pastaj këta mund të shërbejnë edhe si trajnerë për shkolla të tjera si për shembull në shkollat e fshatit.’’- u shpreh ministrja Nikolla

Teksa përuroi përfundimin e punimeve për rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare “Naim Frashëri” në Pishkash të Komunës Qukës, ministrja Nikolla u shpreh se: “Është një investim i parë, të tjera do të vijojnë për të mundësuar cilësinë më të mirë të arsimit që ju e meritoni.” 

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)