Fjala e plotë/ Nikolla-opozitës: Kurrë s'do pajtohem me kaosin tuaj, do mbroj Kushtetutën dhe integritetin e Kuvendit

Fjala e plotë/ Nikolla-opozitës: Kurrë s'do pajtohem me kaosin tuaj, do mbroj Kushtetutën dhe integritetin e Kuvendit

Lindita Nikolla

*Fjala e plotë e Kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla pas kërkesës së opozitës për shkarkimin e saj.

Të nderuara kolege dhe kolegë deputetë, Kam mirëpritur e mbështes të gjitha instrumentet parlamentare që i shërbejnë zgjerimit të hapësirave të opozitës për ushtrimin e përgjegjësive në Kuvendin e Shqipërisë. Prita me qetësi edhe kërkesën e 28 deputetëve të opozitës për shkarkimin tim.

I.

Do të dëshiroja ta filloja këtë fjalë timen duke cituar thënien në konferencë të kryetarëve të njërës prej kolegeve të nderuara, e cila ka vendosur firmën në këtë kërkesë.  “E kam firmosur më tepër si një tërheqje vëmendjeje sesa si një dëshirë për të mos e parë në krye të parlamentit, sepse, sikundër e thashë, po e përsëris me bindje dhe me koshiencë që është ndër njerëzit më të butë dhe më të mirë që mund ta drejtonin këtë parlament.” Edhe unë, e dashur dhe e respektuar kolege, e lexoj këtë kërkesë si një tërheqje vëmendjeje për reflektim brenda vetes së të gjithëve ne, që unë, por edhe të gjithë ju, madje disa prej jush më shumë, të kontribuojmë që Kuvendi të mos jetë një arenë grindjesh, por një vend debati të fortë, me etikë të lartë.

Pasi u njoha me këtë kërkesë, edhe unë ndalova dhe fillova të reflektoj. Ktheva kokën pas për të parë se ku kisha gabuar, por më rezultoi se shumica e acarimeve dhe konflikteve në Kuvend kanë ardhur jo për shkakun tim. Jo rrallë herë edhe për shkak të mosmarrëveshjeve dhe grindjeve tuaja të brendshme. Prandaj nuk e paragjykoj këtë kërkesë si një dobësi tuajën përballë trysnive a halleve të brendshme të partisë, por si një e drejta juaj, në rrethanat tuaja, prej emocioneve tuaja, për ambiciet tuaja.  Ndonëse jo të gjithë e pranoni publikisht a konfidencialisht, në thellësi të vetes, e ndjeni se kjo kërkesë nuk është ajo që i duhet Kuvendit.

Edhe pse e prita me qetësi, nuk mund të mohoj se ndjehem e prekur, madje e zhgënjyer, nga kjo kërkesë juaja. Kësaj kërkese i mungon themeli. Kërkesa ka një qëllim, por nuk ka një shkak. Ajo është ndërtuar nën presionin e kompleksit ndaj foltores si edhe intimidimit prej të kompleksuarve prej foltores. Nën emocionet, qëllimet e pasinqerta dhe ngutjen për t’ia rrëmbyer njeri-tjetrit kauzën e luftës kundër mazhorancës, shpikët një kauzë artificiale.

Në këtë kërkesë është emri, por jo dëshira juaj, është firma, por jo ndërgjegjja juaj, është shtyrja e jashtme, por jo zëri juaj i brendshëm, janë emocionet, por jo bindja juaj. Ju e mbështesni kërkesën tuaj në interpretime, jo në fakte. Ju mund të keni interpretimet tuaja, por jo faktet tuaja. Interpretimet mund të jenë individuale, të ndryshme e të ndryshueshme. Faktet janë një. Edhe pse e nisëm bashkëpunimin, ju duke grisur fletët e votimit, ndërsa unë duke bërë thirrje për urtësi e paqe, unë nuk do të tërhiqem nga misioni për të shtensionuar seancat plenare dhe vendosur ato në shinat e komunikimit etik e qytetar.

Mënyra e sjelljes sime buron nga bindjet dhe kultura ime, nga asnjë arsye pragmatike. Unë kështu vijova dhe kështu do të vijoj, pavarësisht kësaj kërkese, e cila jam e bindur që nuk do të dëmtojë bashkëpunimin tonë, për të krijuar një mjedis parlamentar komunikues, etik dhe qytetar. Unë preferoj një drejtim të Kuvendit me risqe, por besnik ndaj Kushtetutës e qytetarëve, sesa komoditetin personal dhe një paqe hipokrite, në dëm të vendit dhe popullit tim.

Unë zbatoj Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, duke iu veshur atyre një tis njerëzor e qytetar, si një ingredient i bashkëpunimit të sinqertë, për të cilin kam punuar e do të punoj bashkë me ju, kolege e kolegë të opozitës. Me secilin prej jush jashtë seancës plenare kemi pasur një urë komunikimi njerëzor e miqësor. Pse në seancë, në sy të qytetarëve, nuk jemi të njëjtët? Nuk po ju kërkoj të zbusim debatin, por të shmangim dhunën. Unë nuk kam folur e nuk do të flas kurrë me dy gjuhë. Unë nuk kam shfaqur e nuk do të shfaq asnjëherë dy fytyra. Unë nuk ka ndjekur e nuk do të ndjek kurrë dy politika. Me secilin dhe me të gjithë ju unë kam pasur e do të kem një gjuhë, një politikë, një fytyrë.

Unë jam përballur e do të përballem sy më sy, sepse kam bindjen se komunikimi i drejtpërdrejt është mënyra më e mirë për të bërë detyrat në Kuvendin e Shqipërisë, për t’u shërbyer qytetarëve. Unë kam qenë pranë jush si kolege, si grua, si mike, në çdo rast gëzimi a vështirësie, sa herë keni pasur nevojë për solidaritetin tim njerëzor. Përkatësia politike nuk më ka penguar dhe as do të shërbejë si barrierë për të respektuar secilin prej jush. Edhe pse disa nga ju, në çaste rrëmbimi dhe humbje të drejtpeshimit parlamentar e njerëzor, e keni tepruar me gjuhën në adresën time, unë nuk do t’ju përgjigjem kurrë me të njëjtën monedhë. Nuk dua të rendis fakte, sepse secili prej jush e ka vetë të qartë, e di dhe, në thellësi të vetëdijes, e ndjen dhe e pranon këtë që po them.

E tillë do të vijoj të jem, pavarësisht këtij episodi jo të lehtë, i cili, të paktën përsa më përket mua, nuk do të lejoj të helmatisë marrëdhëniet tona. Zyra e Kryetares së Kuvendit ka qenë dhe do të mbetet një derë e hapur për secilin prej jush. Unë bëj detyrën time kur me vetëpërmbajtje qëndroj mbi palët, ju dëgjoj e ju respektoj të gjithëve. Ju, vërtet mendoni se bëni detyrën tuaj me fjalët, gjestet, teprimet e shkeljet kaq të shpeshta? Me vetëdije, duke respektuar angazhimin që ditën që u zgjodha, jam e prirur të kem ndjeshmëri më të lartë për opozitën. Acarimet dhe teprimet në këtë sallë, nuk pengojnë të dallohet kjo ndjeshmëri.

Antagonizmi i fortë i opozitës, shpesh edhe duke kaluar limitet e etikës parlamentare, dhe kontradiktat e brendshme tuajat janë përplasur jo rrallë me detyrën time dhe ma kanë vështirësuar punën si Kryetare e Kuvendit. Por nuk më kanë errësuar gjykimin dhe nuk më dekurajojnë në përpjekjet e mia për t’ju mbështetur atëherë kur keni të drejtë dhe kundërshtuar atëherë kur gaboni, madje duke e tepruar në gabim. Në vullnetin tim për bashkëpunim unë kam qenë dhe do të jem e lirë. Nuk jam intimiduar dhe nuk do të intimidohem kurrë. Por as nuk do t’ju kërkoj llogari pse mjaft prej jush intimidoheni. Thirrja ime për sinqeritet e bashkëpunim mbetet konstante dhe e pakushtëzuar.

II.

Kam të drejtë të pyes: Besoni vërtet se Kryetarja e Kuvendit nuk dëshiron vijimin normal të punës së Kuvendit? Jam e bindur se në thellësi të vetëdijes suaj, secili përgjigjet: Jo. Unë e kam ngritur me zë të lartë shqetësimin tim parlamentar, politik, njerëzor e qytetar që në Kuvendin e Shqipërisë të mbizotërojë arsyeja dhe jo forca, etika dhe jo vulgariteti, debati dhe jo kërcënimet, faktet dhe jo interpretimet, argumentet dhe jo papërgjegjshmëria. Shqetësimin tim konstant për gjuhën jo etike dhe mjetet ekstraligjore të përdorura në seancat plenare të Kuvendit, ua bëra prezent edhe në letrën që i dërgova secilit prej jush në mbyllje të sesionit parlamentar, duke kërkuar për këtë edhe bashkëpunimin tuaj.

Në vend të reagimit për normalizimin e situatës në seancat plenare, ju vazhduat me tensionimin e situatës në Kuvend. Për më tepër, përpjekjeve të mia për të garantuar funksionimin e Kuvendit dhe kryerjen e detyrave si ligjvënës, iu përgjigjët me kërkesën për shkarkim. Edhe pse një sentencë filozofike thotë se “Pas kësaj, nuk do të thotë për shkak të kësaj”, është pak e çuditshme që kërkesa juaj, të dashur kolege e kolegë të opozitës, vjen pa u tharë ende boja e letrës që ju dërgova.

Çfarë shkruaja në atë letër? Po citoj dy fjalitë e fundit: Liria e fjalës është e do të mbetet thelbi i demokracisë. Që kjo liri të mos cenohet kurrë, fjala duhet të udhëtojë gjithmonë krah faktit, akuza krah përgjegjësisë. Më poshtë, me modesti ju sillja në vëmendje maksimën e Papa Françeskut se moskontrolli i fjalëve të këqia sjell edhe moskontrollin e ndenjave dhe shkakton një ndotje shumë më të madhe se ndotja e mjedisit.

Unë nuk jam kundër debatit. Por besoj se secili prej jush, brenda vetes ndjen përgjegjësinë për një debat të fortë dhe etik, pavarësisht se disa rrethana jashtë vetes suaj ju pengojnë për këtë. Prandaj ju bëj thirrje të sinqertë: Mos lejoni asnjë rrethanë dhe asnjë motiv që t’ju shtyjnë drejt perceptimit publik të asaj që nuk jeni në të vërtetë! Ne nuk jemi armiq. Armiku në Kuvend nuk është as opozita, as mazhoranca, as ju, as unë, as Qeveria.

Në fakt, në këtë sallë është dikush që fjalën armik për kundërshtarin politik e përdor më shumë se fjalën Shqipëri, që fjalët “përdhosje” dhe “minim” i demokracisë dhe i parlamentarizmit, të cilat ju m’i adresoni mua, e ka merituar prej përfaqësuesve të demokracive më të shëndetshme të globit. Prandaj ju them se kërkesa juaj nuk është thjesht një ironi, as një manovër parlamentare. Është ikje nga kauzat e vërteta që i shërbejnë Shqipërisë dhe shpikje e kauzave artificiale që u shërbejnë atyre me të cilët ju jeni në rivalitet.

Në vend të kontribuoni në vlerat perëndimore dhe evro-atlantike të Partisë Demokratike dhe, që shqiptarëve t’u fshihen nga kujtesa pamjet e shëmtuara të janarit të vitit të kaluar, për të cilat edhe unë ndjej dhimbje ju, me dashje ose pa dashje, me kërkesën tuaj, legjitimoni përpjekjet që këto pamje të transferohen në Kuvendin e Shqipërisë. Në vend që të shpëtoni shtëpinë e vëllezërve tanë demokratë, ju po rrezikoni shtëpinë e të gjithë shqiptarëve. Është detyra ime ta mbroj atë!

Nuk është hera e parë gjatë kësaj legjislature, që agjendat e grupimeve brenda Partisë Demokratike bëjnë presion mbi veprimtarinë e Kuvendit, duke synuar devijimin e tij prej funksioneve që përcakton Kushtetuta. Ajo foltore që kërkoni të rrethoni, nuk është as imja, as juaja. Është e Kuvendit të Shqipërisë, e të gjithë shqiptarëve. Presioni e lufta brenda jush për t’u treguar të fortë dhe kush e kush e ka më shumë armike mazhorancën, po lind një vatër tiranike dhe anarkiste në Kuvendin e Shqipërisë. Nuk bëheni më të fortë, duke kopjuar praktikat e dhunës! Përdorni forcën e arsyes në vend të arsyes së forcës!

Nuk e keni idenë sa ligësht ndjehem dhe sa shpirti më dhemb, kur Kuvendi i Shqipërisë shfaqet e perceptohet jo si një tempull, por si një bezdi për publikun dhe qytetarët. Kuvendin duhet ta bëjmë një pasuri publike, jo një problem për publikun. Kjo fillon nga unë dhe nga secili prej nesh. Sepse guri kilometrik i demokracisë parlamentare është një trup deputetësh të përgjegjshëm.

III.

Për një mendje të ftohtë dhe pa emocionet që po përjetoni është e vështirë të kuptohet shkelja nga Kryetarja e Kuvendit e Rregullores, e procedurave parlamentare dhe e të drejtave të opozitës. Unë i kam shumë të qarta kompetencat e mia si Kryetare e Kuvendit. Si e para mes të barabartëve, as jap, as heq të drejta. Të drejtat tuaja, ashtu si edhe të drejtat dhe detyrat e mia, kanë të njëjtat burime: Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Menaxhimi i seancës plenare është një përgjegjësi e madhe, të cilën Kryetarja e Kuvendit e ushtron në kushtet e kompetencave të limituara dhe në bashkëveprim me deputetët.

Edhe pse as vetë ju nuk besoni në atë për të cilën akuzoni Kryetaren e Kuvendit, në emër të përgjegjësisë e moralit tim politik, parlamentar e qytetar, po ju provoj se gjatë seancës plenare të datës 26 janar i kam ushtruar me përgjegjësi dhe mbështetur në Rregullore detyrat dhe kompetencat e Kryetares së Kuvendit. Unë, nëpërmjet shërbimeve të Kuvendit, e pranova kërkesën për interpelancë, e parashtrova në Konferencën e Kryetarëve, e përfshimë në kalendarin e punimeve, e solla kërkesën në seancën plenare, e përfshiva në rendin e ditës, u regjistruan deputetët që dëshironin të diskutonin dhe vijova normalisht me çeljen dhe zhvillimin e seancës.

Në asnjë nga veprimet e mësipërme nuk u bëra unë shkak për mos ushtrimin e të drejtës së deputetëve për të folur.  Deri këtu shkojnë përgjegjësitë e mia si Kryetare e Kuvendit. Unë kam përgjegjësi individuale deri në fillimin e seancës. Me fillimin e seancës, nis edhe përgjegjësia juaj. Për zhvillimin e saj detyrat janë të përbashkëta. Pra, nuk ishte as vullneti, as qëllimi im, por ishte plani i juaj për të penguar e dështuar seancën. Me përpjekjet për t’iu imponuar me forcë mazhorancës dhe Kryetares së Kuvendit, e vutë seancën në vështirësi dhe mua si drejtuese e saj në një pozicion që duhet të zgjidhja midis alternativës që ose të mos zhvillohej seanca fare ose të zhvillohej ajo për ta miratuar aktinnormativ, për nevoja dhe në mbështetje të qytetarëve.

Kurrë mos t’ju shkojë ndërmend se unë do të pajtohem me një situatë kur ju, si deputetë të opozitës, të përpiqeni të shkatërroni procesin parlamentar dhe unë të bëj sehir. Nëse ju i keni venë vetes këtë qëllim, sepse kështu mjegullohen para qytetarëve hallet tuaja të brendshme partiake, unë i qëndroj besnike betimit tim, mbroj Kushtetutën dhe integritetin e Kuvendit të Shqipërisë.   Është detyra ime të ndaloj me të gjitha format që më njeh Kushtetuta, Rregullorja e Kuvendit dhe praktikat parlamentare që konfliktet partiake të mos helmatisin agjendën e Kuvendit. Opozita mund dhe duhet ta kontrollojë, por nuk mund t’i diktojë shumicës vullnetet e saj.

Duam s’duam, na pëlqen, s’na pëlqen, demokracia funksionon si e drejtë e shumicës për të marrë vendime dhe e drejtë e opozitës për ta kontrolluar këtë shumicë, me instrumente parlamentare e demokratike dhe jo me dhunë dhe pushtimin e foltores. Dëshironi të bëheni shumicë? Bëni durim, përgatituni, prisni dhe respektoni verdiktin e popullit. Qytetarët dhe zgjedhësit janë depozita më e sigurt e qeverisjes në një shoqëri demokratike.

Nëse shkelja e ligjeve, Rregullores dhe procedurave parlamentare nuk ndëshkohet dhe pakica imponohet jo me forcën e arsyes, por me arsyen e forcës, ky është fundi i qeverisjes demokratike. Pas kësaj vjen anarkia. Partitë politike, nëse dëshirojnë të shërbejnë si motorë të zhvillimit të Shqipërisë, nuk duhet të lejojnë që ambicjet individuale të uzurpojnë partitë, jetën politike dhe institucionet e këtij vendi. Detyra ime kushtetuese, parlamentare dhe kombëtare është që në Kuvendin e Shqipërisë të mos e lejoj këtë uzurpim. Në Kuvend deputeët nuk kanë vetëm të drejta, por edhe detyra.  Dhe detyra numër një është të mbrojmë Kushtetutën, të zbatojmë Rregulloren dhe të ruajmë integritetin e Kuvendit të Shqipërisë.

Shumica e dështimeve të klasës politike shqiptare janë shkaktuar prej kokëfortësisë për të justifikuar gabimet dhe legjitimuar fajet. Kulturës së pandëshkueshmërisë duhet t’i japim fund në rradhë të parë këtu, në Kuvendin e Shqipërisë.  Pandëshkueshmëria nuk është vetëm një fakt penal, por edhe papërgjegjshmëri institucionale. Gjatë të gjitha sesioneve të kësaj legjislature, keni pasur akses të plotë për të përdorur të gjitha mjetet kushtetuese për ushtrimin e përgjegjësive tuaja në Kuvend, në seancat plenare dhe veprimtaritë e tjera parlamentare.  Gjatë seancave keni pasur po aq akses sa mazhoranca, në disa raste edhe më tepër, për të ushtruar të drejtat dhe detyrimet tuaja.

Në sesionin e kaluar keni përdorur dyfishin e kohës, krahasuar me shumicën për të diskutuar, pyetur, anatemuar e akuzuar, qoftë edhe pa fakte dhe argumente. Unë nuk e mohoj se midis deputetëve të opozitave ka mjaft kolege e kolegë që vendosin arsyen para dhunës dhe Shqipërinë para strukturës së ambicjeve të tyre. Por të jesh i mirë nuk mjafton. E keqja triumfon nëse njerëzit e mirë nuk bëjnë asgjë për ta penguar atë. Së fundi, unë nuk jam këtu t’i lutem njeriu. Votoni ashtu siç jua dikton morali dhe ndërgjegja juaj. Sepse në diskutim nuk është mandati im. Në diskutim është çështja nëse Kuvendi i Shqipërisë do të zgjidhë problemet e qytetarëve apo do të jetë një problem i shtuar për ta. Unë kam dhënë prova se jam për të parën. Ju duhet të provoni për cilën alternativë jeni.

Ju faleminderit!

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • hneni: 16/02/2023 17:18

    kjo eshte gati te mrboje ramen se gje tjerter nuk mnbron dot

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja