"Nipi i Alistair Campbell, ish- këshilltari për marrëdhëniet me publikun i Tony Blair, që këshilloi socialistët në fushatën e suksesshme zgjedhore, është punësuar nga qeveria shqiptare". Ky fakt bëhet i ditur nga media online BIRN e cila i referohet mesazheve të postuara në rrjetet sociale, të 26- vjeçarit të diplomuar në Oxford, James Naish, i cili pretendon se është punësuar si këshilltar në zyrën e kryeministrit shqiptar në shtator, pasi Partia Socialiste mori pushtetin.

Sipas BIRN, Naish shkruan në profilin privat e tij në rrjetin social LinkedIn se ai po koordinon ndryshimet strukturore në 170 organizata qeveritare, duke vendosur disa procese që lidhen me punën e përditshme të kryeministri, duke menaxhuar projektet e softwereve për 19 ministri dhe duke shkruar përshkrimet e punës për më shumë se 20 zyrtarë të personelit të lartë në zyrën e kryeministrit. Ai shkruan se gjatë nëntë muajve të shkuar ka projektuar një strategji komunikimi për 100 ditët e para në detyrë të qeverisë, duke koordinuar raportet e qeverisë, duke projektuar një model të qeverisjes së mirë për Shqipërinë dhe duke redaktuar fjalimet dhe të tjera komunikime për kryeministrin Edi Rama.


Në profilin publik të tij, ai cilëson veten se ka marrë një kohë pushimi nga puna pranë "Accenture", (një firmë konsulence botërore me baze në Iralandë, Dublin, por që ka zyra edhe në Britaninë e Madhe, ish-Arthur Andersen Conslulting), "për të punuar në Tiranë si këshilltar pranë zyrës të Kryeministrit" Rama. 

james naish me logo










Burime nga Kryeministria në fakt saktësojnë për Shqiptartja.com se James Niash realisht ndodhet në Shqipëri, por vëtëm për të bërë disa muaj stazh pranë kryeministrisë. Ai konkretisht nuk ka asnjë emërim si këshilltar i Kryeministrit Rama, tregojnë burimet, funksione që mund të përcaktohen vetëm me një vendim zyrtar, që në fakt nuk ekziston. Për këtë stazh James Naish nuk merr asnjë rrogë. Burimet shtojnë se në të njëjtin rol si James Naish janë rreth 10 të rinj të tjerë shqiptarë dhe të huaj që bashkëpunojnë me kryeministrinë si stazhierë për të marrë eksperiencë.

Naish është djali i Elizabeth Naish, motrës së vogël të Alistair Campbell. Campbell ka punuar si këshilltar i Partisë Socialiste gjatë zgjedhjeve parlamentare të qershorit, që sollën partinë e Ramës në pushtet.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)