Nis fushata/ 'As i vjetër e as i ri, jam thjesht lek'! Gent Sejko: 54% e shqiptarëve flasin me ‘lekë të vjetra’ duhet të çrrënjosim termat

TIRANË- “As i vjetër e as i ri, jam thjesht Lek!”

Me këtë moto Banka e Shqipërisë do të bëjë një fushatë ndërgjegjësuese për të hequr nga gjuha e përditshme fjalët lekë i ri apo i vjetër, që vijon të përdoren gjerësisht pavarësisht se ka më shumë se 55 vite që ka ndodhur reforma monetare.

“Të gjithë ne jemi të ndërgjegjshëm, se për fat të keq, kjo ndodh rëndom jo vetëm në komunikimin e përditshëm të qytetarëve me njëri-tjetrin, por edhe në marrëdhëniet e tyre ekonomike dhe financiare, duke u kthyer kështu në burim për keqkuptime të qëllimshme ose jo”, u shpreh Sejko.

Jo vetëm qytetarët e thjeshtë por edhe institucionet financiare dhe administrata publike nuk i ka shpëtuar përdorimit të termave i ri apo i vjetër. Guvernatori Gent Sejko në hapje të fushatës tha se më shpesh këto emërtime përdoren në mjedise familjare, nëpër pika pakice apo në transport publik.

“Rezultatet e mbledhura nga anketa tregojnë se të vendosur përballë një kartëmonedhe 500 Lekë më shumë se gjysma (54%) e të intervistuarve instinktivisht e lexojnë  apo e identifikojnë gabim vlerën e saj, duke i shtuar një 0 për ta kthyer në “lek të vjetër”. Nga ana tjetër, të dhënat dëshmojnë se komunikimi i gabuar i vlerës së lekut ndodh shumë më rrallë në institucione financiare (banka, jo-banka etj.) me vetëm 28.1%, apo në zyra të administratës publike (39.4%), megjithëse mund të pritej që këto shifra të ishin edhe më të ulëta”, tha guvernatori.

Përjashtim nuk bën as media edhe pse në përqindje më të ulët. Sipas anketës së kryer nga banka 20% e qytetarëve thonë se mediat shpesh i komunikojnë çmimet me lekë të vjetër.

“Kjo përqindje, megjithëse e ulët, nxjerr në dritë nevojën për më shumë përfshirje të mediave në përpjekjen për ta zhdukur plotësisht këtë fenomen, veçanërisht duke pasur parasysh detyrimin e saj për përcjelljen e informacionit të vërtetë dhe të saktë tek publiku, si dhe rolin edukativ të saj”, pohoi Sejko.

Meshkujt, të moshuarit, individët me nivel më të ulët arsimor, të papunët dhe ata me të ardhura të ulëta komunikojnë më shumë me ‘lekë të vjetër’.

“Pikërisht këto grupe të identifikuara nga vrojtimi do të përbëjnë edhe fokusin e projekteve ndërgjegjësuese të fushatës për eliminimin e përdorimit të terminologjisë së gabuar “Lek i ri/Lek i vjetër”, tha Sejko.

I bindur që kjo fushatë ndërgjegjësimi do të kërkojë shumë kohë për të dhënë rezultat, Sejko kërkoi që të gjitha institucionet dhe media të bashkëpunojë për çrrënjosjen e termave “i ri” apo “i vjetër”.

B.K./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 18/11/2021 03:29

    Ide shume e mire,por jo fushate,por urdher,detyrim me force.Dhe nuk eshte faji i grupeve te vecanta.Kur shkohet neper tregje,dyqane,tregetaret vene cmimin p.sh.100 leke ne leter,por nenkuptojne 1000 leke.Nena ime kur shkon ne Shqiperi,shkon e shoqeruar ne dyqane,se i ka harruar /te rinj e te vjeter/,por une nuk i kam harruar dhe anetaresimin ne BE,do t'a doja vetem qe te zhduket leku i ri dhe i vjeter,te jete vetem euro,ku 2 nenkupton 2 dhe jo 20.

    Përgjigju
    • Kastro: 17/08/2023 08:43

      Force! Kjo është pjesë e një kulturë që na ka ngelur dhe nuk çrrënjoset me forcë o nish, sikur ti thuash dibranit mos thuj ma 'qish bane' po çfarë bëre ????. Pastaj sa më gjatë të jetojë leku aq më e fortë është identiteti jonë.

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare