Nis Java Kulturore Hungareze, te Piramida ekspozohet një shtatore qelqi e Skënderbeut

Një shtatore e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, e ndërtuar me qelq të riciklueshëm, po ekspozohet në ambientet e Piramidës së Tiranës.

Ky punim mjaft i veçantë që i dedikohet vendit tonë, është pjesë e një morie punësh së artistes hungareze Yvette Botz. Ato do të ekspozohen për publikun deri më datë 6 Shtator, në kuadër të Javës Kulturore Hungareze e çelur këtë të hënë.

“Ambasada më ka ftuar me statujat e mia të xhamit të bëra me teknikën tiffany dhe është vërtet e rrallë, sepse askush nuk e bën diçka të tillë. Këto statuja janë pjesë e jetës sime dhe secila prej tyre tregon diçka për jetën time. Kam bërë diçka për Shqipërinë, një statujë për Skënderbeun. Është fat për ju shqiptarët, që ende keni në zemër atë që ky hero ka bërë për ju. Në këtë ekspozitë ka vetëm 14 statuja, të cilat janë pjesë e një koleksioni privat. Është një punë që e bëj prej 35 vitesh tashmë. Kam punuar shumë kisha e ndërtesa dhe tashmë jam e fokusuar vetëm në statuja”, tha artistja hungareze Yvette Botz.

Por nuk ndalen këtu surprizat e rezervuara për Javën Kulturore Hungareze. Nga tingujt magjepsës të koncerteve live, tek eventi i veçantë me Chess Jazz dhe Rubik Cube, që do të mbushin Tiranën, Elbasanin, dhe Vlorën plot gjallëri, kjo javë ka diçka për të gjithë.

“Jemi shumë krenarë që jemi këtu. Do të kemi “Blue Box” përgjatë gjithë javës, si dhe evente të ndryshme, si ekspozita pikture dhe me punime prej xhami. Ky vit është i veçantë për Hungarinë, duke qenë se drejtojmë presidencën e radhës të BE-së dhe një nga prioritetet tona është procesi i zgjerimit me vendet e Ballkanit. Ne duam ta përshpejtojmë këtë proces për vendet e Ballkanit Perëndimor, sidomos për Shqipërinë, pasi besojmë se ajo i përket me të vërtetë familjes evropiane dhe duhet ta realizojmë këtë synim sa më parë të jetë e mundur”, tha Ambasadori.

Publiku i kryeqytetit do të ketë mundësinë që në morinë e aktiviteteve të shijojë edhe koncertin e grupit hungarez Bohemian Betyars. Folk, punk, shpejtësi, ritëm, nota ballkanike, rock psikodelik, nota vibruese dhe motive cigane që karakterizojnë stilin e grupit, do munden të përjetohen po më datë 3 Shtator, tek Sheshi Italia.

“Është kënaqësi që ne e hapim me një ekspozitë të artit pamor. Përgjatë këtyre ditësh do të ketë aktivitetet të shumta. Ku do të veçoja krahas muzikës folklorike dhe tradicionale dhe aktivitet Chess Jazz dhe Rubik Cube, simbolikë e Hungarisë”, tha zv.ministrja e Kulturës, Lira Pipa.

Pas Hungarisë, do të nisë java Kulturore e Holandës, për të vijuar deri në fund të nëntorit me vende të tjera.

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ 'Mangalem's Shade', magjia e dritave në lagjen muzeale të Beratit

VIDEO/ 'Mangalem's Shade', magjia e dritave në lagjen muzeale të Beratit