Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka nisur konferenca e pestë statusore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të pandehurit nuk po marrin pjesë fizikisht në këtë konferencë, por po e ndjekin atë përmes video konferencës.
Konferencën mbi ecurinë e çështjes , e thërret gjykatësi i procedurës paraprake dhe ajo ka për qëllim organizimin e shkëmbimeve ndërmjet palëve. Në këtë konferencë, Prokuroria tregon çfarë lloji të provave disponon.
Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit janë ngritur akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.
Krimet pretendohet se janë kryer në disa vendondodhje në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.
Pierre Richard Prosper, avokat i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Ben Emmerson, avokat i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli kanë pasur kritika të ashpra për Prokruroinë, pasi kjo e fundit nuk deklaroi ndonjë datë se kur mund t’i kryejnë hetimet paraprake.
“Prokuroria ka filluar punën para 5 viteve dhe duhej të ishte gati sepse ata e kanë paraqitur aktakuzën para 1 viti e gjysmë dhe ankohen se kanë punë tjera. Pse po e bëni aktakuzën atëherë? Na keni vënë në një pozitë ku klientët tanë kanë humbur lirinë sepse Prokuroria nuk është gati dhe ne po marrim materialin sipas tekave të tyre. Kjo është shqetësuese për ne dhe shkel të drejtat e njeriut”, tha ai.
Ai shtoi se ish-krerët e UÇK-së janë privuar nga prezumimi i pafajësisë.
“Janë privuar nga prezumimi i pafajësisë. Të gjithë klientët e tyre rrinë larg nga familjet dhe nuk e dinë tërësinë e akuzave, pikërisht për shkak se Prokuroria nuk është gati. Atëherë duhet të mblidhemi dhe ta shqyrtojmë lirimin me kusht për një të ardhme të parashikueshme dhe kur Prokuroria të jetë gati, të mblidhemi”, tha Prosper.
Edhe Ben Emmerson, avokat i ish-krye parlamentarit Kadri Veseli u ankua se “Prokuroria është copë-copë në punën e saj” .
“Këta burra rrinë në paraburgim kur Prokuroria po e akuzon mbrojtjen. Kjo gjykatë nuk ka juridiksion për të gjykuar ndërmarrje të përbashkët kriminale”, tha Emmerson.
Ndërkohë që theksoi se Prokuroria po shpreson që do të dalë diçka gjatë procesit.
“Ai nuk ka asnjë akuzë që ka kryer ndonjë krim, që ka urdhëruar, nxitur ndonjë krim. Nuk ka asnjë çështje kundër tij. Prokuroria shpresoj se diçka do të dalë me kalimin e kohës. Me gjithë garancitë e ofruara dhe megjithëse Z.Veseli u lejua ta vizitojë babanë e tij shumë të sëmurë, por Prokruroia po vepron në mënyrë shumë jo të duhur”, tha ai.
Pierre Richard Prosper, njëri nga avokatët e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në seancën e sotme paragjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, është ankuar në lidhje me informacionet që i janë ofruar nga Prokuroria.
“Informacioni që është vënën në dispozicion është pothuajse i palexueshëm. Dokumentacioni që na është dhënë nuk është i plotë, është i një kualiteti shumë të dobët. Besojmë që duhet nxjerrë më shumë informacion”, theksoi avokati.
Në seancën që po vijon të mbahet në Hagë, Prokuroria po arsyetohet në lidhje me vonesat e ndryshme për ofrimin e dokumentacionin, ndërsa avokatët e të akuzuarve theksojnë vërejtjet e tyre, që kanë të bëjnë kryesisht në lidhje me materialet e ofruara nga organi i akuzës.