Shqipëria nis ndërtimin e parkut të parë eolik, i cili do të ngrihet në Spille, në Bashkinë e Rrogozhinës. Marrëveshja për projektin me kapacitet 72.6 MW është nënshkruar këtë të enjte me kompaninë austriake “VERBUND”, ndërsa operimi tregtar parashikohet të nisë në tremujorin e parë të vitit 2028.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur se projekti ka marrë të gjitha lejet dhe ka përmbushur kushtet e nevojshme për nisjen e menjëhershme të punimeve. Sipas tij, është nënshkruar edhe marrëveshja e shitblerjes së energjisë elektrike.
“Ky park që ne sot nënshkruajmë marrëveshjen finale të saj, merr një rëndësi të veçantë. Me një kapacitet të instaluar prej 72.6 mega, ky projekt përfaqëson një hap konkret drejt krijimit të një sektori të energjisë së erës në Shqipëri. I pozicionuar në Bashkinë e Rrogozhinës, pranë bregdetit të Adriatikut, parku do të kontribuojë në zgjerimin e kapaciteteve prodhuese nga burimet e rinovueshme dhe në krijimin e një baze të re për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj teknologjie në vendin tonë. Ndërtimi fillon që nga dita e sotme dhe ky është një proces shumë i rëndësishëm, pasi subjekti jo vetëm që tashmë ka marrë gjithë dokumentet përkatëse, ka plotësuar të gjitha kushtet. Ministria po ashtu ka plotësuar të gjitha kushtet. Sot nënshkruhet edhe marrëveshja e shitblerjes se energjisë elektrike, leja e ndërtimit është marrë, pra është një projekt që është ready to build, për t’u ndërtuar menjëherë. Operimi tregtar parashikohet të nisë në tremujorin e parë të vitit 2028. Ky është një moment që meriton të vlerësohet, sepse tregon se politikat për zhvillimin e burimeve të reja të energjisë po përkthehen në projekte konkrete dhe investime me rëndësi për të ardhmen e vendit" tha ministri Karakaçi
Parku do të ndërtohet pranë bregdetit të Adriatikut dhe është projekti i parë nga tri projektet e përzgjedhura përmes ankandit të parë të energjisë së erës që ka përmbushur të gjitha kushtet për nisjen e punimeve.
Sipas ministrit, investimi synon të shtojë prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme dhe të ulë varësinë e sistemit energjetik nga kushtet klimatike dhe luhatjet e prodhimit hidroenergjetik.
Karakaçi tha se nga ndërtimi i parkut pritet të përfitojë edhe ekonomia lokale e Rrogozhinës, përmes rrugëve të aksesit dhe përfshirjes së bizneseve shqiptare në projekt.
“Nga ndërtimi i këtij projekti sigurisht do të përfitojë edhe bashkia Rrogozhinë, pasi ka rrugë aksesi, por edhe kontent lokal dhe ne po ashtu presim që me anë të këtij bashkëpunimi të kemi dhe sa më shumë nënkontraktorë shqiptarë që përfitojnë nga ky proces”, u shpreh ministri.
Kompania austriake “VERBUND” është e angazhuar edhe në sektorin hidroenergjetik në Shqipëri përmes projektit të Ashtës.
Gjatë fjalës së tij, Karakaçi njoftoi gjithashtu se Qeveria po përgatit ankande të tjera për energjinë e rinovueshme. Sipas tij, në janar 2027 pritet të ketë një njoftim për kapacitete të reja të energjisë fotovoltaike dhe sistemeve të baterive.
-
Lajm shume i mire.
Përgjigju










Komente
Komento