Policia e Elbasanit ka nisur procedimin penal ndaj Kryetarit të Bashkisë së qytetit të Gramshit Dritan Bici pasi ky i fundit ditën e djeshme pas ndeshjes Gramshi Mamurrasi me rezultatin 0-0 ka shkallmuar dyert e stadiumit duke rrezikuar edhe jetën e policëve dhe më pas ka shkuar në dhomat e zhveshjes ku ka kërcënuar gjyqtarët e ndeshjes. Kryebashkiaku i Gramshit, Bici akuzohet për shkatërrim prone dhe për kundërshtim të punonjësve të policisë.
Kampionati Shqiptar i futbollit po degjeneron nga java në javë me skandale të reja. Tashmë nuk bëjnë më përshtypje ndeshjet e trukuara, apo thikat në çorapet e futbollistëve të moshave kundër arbitrave, pasi dje në qytetin e Gramshit ka ndodhur një tjetër rast i paprecedentë që ka tronditur edhe një herë nga themelet futbollin tonë.
Në përfundim të ndeshjes Gramshi-Mamurrasi për javën e 20-të, e përfunduar 0-0 është futuar në fushë me dhunë me makinën e tij “Mitsubishi” duke shkallmuar portat e stadiumit kryetari i Bashkisë Dritan Bici duke rrezikuar edhe jetën e policëve. Qëllimi ishte takimi me arbitrin kryesor Bogdani për të sqaruar disa vendime të kontestuara stafi drejtues dhe tifozeria. Në një prononcim për “Shqiptarja.com”, Bici ka rrëfyer historinë sipas versionit të tij duke deklaruar se” doja të takoja arbitrin kryesor për ti dhënë një mësim të mirë për vendimet që ka dhënë kundër Gramshit.
Ne jemi qytet i vogël që luajmë me mish e me shpirtë, ndërsa këtu vijnë e drejtojnë ca palaço duke na mohuar djersën. Kjo është linja e FSHF e cila favorizon ekipin e Partizanit me qëllim, ndërsa sot (dje) Mamurrasin. Unë jam i dënuar nga KDS, por në fushë jam futur pas përfundimit të ndeshjes. Këtu nuk kam shkelur asnjë rregull, pasi fusha është e bashkisë dhe ndeshja kishte përfunduar” deklaron Bici. Sipas informacioneve nga Gramshi, Bici është shoqëruar në polici për të dhënë sqarime për ngjarjen.
(d.b/bm/shqiptarja.com)











