Brenda vitit 2023, Shqipëria pritet të ketë funksional parkun më të madh fotovoltaik në Ballkan, atë të Karavastasë. Ndërtimi i parkut diellor nisi këtë të premte, ndërsa investimi do të kushtojë në total 100 milionë euro, dhe do të ketë kapacitet prodhues 140 megavat orë. 

Kryeministri Edi Rama tha se ky projekt i hap rrugën kthimit të Shqipërisë në vend eksportues të energjisë. Ndërtimi i parkut do të realizohet në bashkëpunim me liderin botëror në sektorin elektroenergjetik, kompaninë franceze Voltalia, nga i cili pritet të furnizohen 220 mijë familje, si dhe do të hapen me dhjetëra vende pune.

Të pranishëm ishin kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Energjisë Belinda Balluku. Parku do të jetë në funksionim në mesin e vitit 2023, bëri me dije Balluku, ndërsa përmes saj, Shqipëria do të marrë për 15 vite 70 megavat orë me çmim 24.89 euro. Investimi bëhet me 100 milionë euro dhe bëhet për t'i dhënë një frymëmarrje sistemit energjetik.

"Është parku më i madh fotovoltaik në Ballkan me 140 megavat orë. Kjo ditë merr rëndësi më të madhe. Energjia që ne prodhojmë mbulon vetëm 70% të nevojave që ka vendi për konsum. Parashikimet për rritjet për çmimin e energjisë së importuar, janë hedhur poshtë pasi pritej që një megavat të ishte 250-260 euro, por ka arritur në 340 euro. Voltalia është një nga kompanitë e prodhimit energjetik, që ka zgjedhur Shqipërinë për të investuar.

Energjia e prodhuar prej këtij parku do të jetë 24.89 euro për megavat orë. Në mesin e vitit 2023 kur parku do të jetë në funksionim ne do të marrim për 15 vite 70 megavat orë me çmim 24.89 euro. Këtu po nis investimi prej 100 milionë eurosh për ti dhënë një frymëmarrje sistemit energjetik", tha Balluku.

Ndër të tjera kryeministri Edi Rama nuk kurseu falenderimet për ministren Balluku dhe theksoi se çmimi i ofruar nga Voltalia është përtej do force të imagjinatës. Rama shtoi se projekti u kërcënua nga ndryshimi marramendës i konjukturës, por nuk u pengua. Rama kujton sërish se Shqipëria nuk e ka prekur cmimin e energjisë që është problem në të gjithë botën.

"Edhe pse ka bërë thjesht detyrën, Belinda meriton vlerësim të posacëm pasi procesi ka qenë realisht sfidues por edhe histori e bukur suksesi duke nisur nga cmimi. Një cmim i paimagjinueshëm në atë moment për leverdisshmërinë e Shqipërisë, më pak se 25 euro ofruar nga Voltalia, por një cmim që bëhet përtej çdo force të imagjinatës sot kur situata dhe konjukturat kanë ndryshuar dhe këtu me shumë respekt, unë dua ti kthehem kompanisë dhe lidershipit që e çmojmë korrektesën, seriozitetin dhe gatishmërinë për të vazhduar edhe pse në një situatë kaq sfiduese kur vetë projekti u kërcënua nga ndryshimi marramendës i konjukturës.

Për këtë, dua të them që duke pasur parasysh faktin që ndërkohë që cmimi i energjisë për Europën dhe botën në tërësi bëhet gjithnjë e më problem, ndërkohë kur projeksionet e rritjes së cmimit bëhen më të frikshme, Shqipëria mbetet i njëjti vend që nuk e ka prekur dhe do të vijojë të mos e prekë cmimin e energjisë për familjarët dhe biznesin e vogël. Kjo bën që norma e inflacionit që është sot problemi kryesor i qeverive, të jetë më e ulëta në rajon. Me gjithë mirëkuptimin për të gjithë pjesën tjetër që është e pashmangshme dhe për të lehtësuar këdo qoftë që ka nevojë për mbështetje. Kush nuk ka nevojë për mbështetje në këtë fazë kaq delikate për ekonominë e të gjithë botës", tha Rama.

Nuk kurseu komentin për Erion Braçen, për të cilin tha se merr fund tensioni me realizimin e kësaj vepre dhe e falenderoi për ndihmën që ka dhënë ndërsa theksoi se do të investojnë për të ndërtuar park fotovoltaik edhe në zonën e Spitallës. Parku Fotovoltaik i Karavastasë, do të ndërtohet nga kompania franceze Voltalia, nga i cili pritet të furnizohen 220 mijë familje, si dhe do të hapen me dhjetëra vende pune.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:17
Rama: Presim finalizimin e testeve për naftën dhe gazin në Shpirag! Do jetë frymëmarrje për Shqipërinë

 

Kryeministri Edi Rama tha se po presin testet për sasinë e gazit dhe naftës në zonën e Shpiragut, do të jetë frymëmarrje për Shqipërinë.

"Mbrëmë firmosëm një marrëveshje me ENAGAS-in e Spanjës dhe presim finalizimin e testeve për sasinë e gazit dhe naftës së zbuluar në zonën e Shpiragut që nëse të gjitha do të shkojnë deri në fund, do të jetë një frymëmarrje, një bekim dhe dalja në një nivel tjetër e Shqipërisë", tha Rama.

Ora 11:06
Parku fotovoltaik i Karavastasë, Rama: Me realizimin e kësaj vepre, merr fund tensioni i Braçes! Do investojmë edhe në zonën e Spitallës

 

Kryeministri Edi Rama ka thënë se me nisjen e punës për parkut fotovoltaik të Karavastasë, merr fund tensioni i Erion Braçes, të cilin e vlerëson për ndhmën që ka dhënë. Ndërkohë do të vijojnë investimet për një tjetër park në zonën e Spitallës.

"Pas një pune të gjatë parapërgatitore për të hyrë në fazën përfundimtare që është e ndërtimit të parkut më të madh me energji diellore në rajonin e Ballkanit dhe më vjen shumë mirë që për rastësi, dje kam qenë së bashku me presidentin e Francës në Madrid dhe kemi folur për angazhimin e Voltalias në Shqipëri, edhe për vijimin e investimeve me parkun tjetër në zonën e Spitallës, i cili është në fazën përgatitore. Më vjen mirë që këtu mbaron gjithë tensioni i Erion Braçes për realizimin e kësaj vepre dhe hyjmë në fazën e marrjes frymë të lehtësuar. Erioni meriton të gjithë respektin dhe falenderimet për këmbënguljen dhe për ndihmën që ka dhënë me autoritetet vendore për ta lehtësuar këtë proces", tha Rama.