Një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe fetare në jug të vendit, Manastiri i KryeengjëjveDerviçan, do t'i nënshtrohet restaurimit pas vitesh degradimi dhe mungese mirëmbajtjeje.

Projekti synon jo vetëm shpëtimin e strukturave historike, por edhe rikthimin në funksion të një kompleksi që përbën një nga dëshmitë më të rëndësishme të arkitekturës pasbizantine në luginën e Drinos.

"Manastiri i Kryeengjëjve në Derviçan, një nga qendrat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të Dropullit, hyn në fazë restaurimi përmes ndërhyrjeve të planifikuara që përfshijnë edhe konakët lindorë e perëndimorë të kompleksit. " tha ministri i Turizmit Blendi Gonxhja

Ndërhyrja do të zhvillohet në dy faza dhe do të përfshijë restaurimin e konakëve lindorë dhe perëndimorë, konsolidimin e mureve prej guri, rindërtimin e çative tradicionale me rrasa guri, restaurimin e elementeve prej druri, si edhe rikthimin e hapësirave sipas dokumentacionit historik dhe gjurmëve të ruajtura në terren.

Projekti nis në një moment të rëndësishëm për monumentin, pasi Kisha e Manastirit të Kryeengjëjve është shpallur së fundmi Pasuri Kulturore me statusin "Monument Kulture", Kategoria I, së bashku me zonën e saj mbrojtëse.

Sipas ministrit Gonxhja, ndërhyrja synon të ruajë autenticitetin e kompleksit dhe ta kthejë atë në një pikë referimi për komunitetin, besimtarët dhe turizmin kulturor në zonën e Dropullit.

"Ky projekt nuk synon vetëm restaurimin e një objekti, por edhe rijetëzimin e një kompleksi me rëndësi të veçantë për historinë, kulturën dhe besimin fetar në jug të Shqipërisë. Përmes ruajtjes së vlerave dhe rikthimit të funksioneve të tij historike, Manastiri i Kryeengjëjve do të vijojë të shërbejë si një pikë referimi për komunitetin lokal, vizitorët dhe turizmin kulturor në zonën e Bashkisë së Dropullit" tha Gonxhja.

I vendosur në shpatet e Malit të Gjerë, mbi fshatin Derviçan të Gjirokastrës, Manastiri i Kryeengjëjve mendohet se është ndërtuar në shekullin XVIII.

Kompleksi përbëhet nga kisha dhe konakët që e rrethojnë dhe konsiderohet një prej monumenteve që dëshmojnë zhvillimin dhe larminë e arkitekturës pasbizantine në jug të Shqipërisë.

Kjo nismë vjen në një moment të rëndësishëm për monumentin, pasi Kisha e Manastirit të Kryeengjëjve është shpallur së fundmi Pasuri Kulturore me statusin “Monument Kulture”, Kategoria I, së bashku me zonën e saj mbrojtëse, duke njohur dhe forcuar vlerat e saj të jashtëzakonshme historike, arkitekturore dhe shpirtërore