ELBASAN - Mbi 15 mijë banorë të komunave Grekan, Kajan dhe Kozarë në Elbasan, do të lidhen së shpejti me njëri-tjetrin me rrugë të asfaltuar sipas parametrave bashkëkohore. Rruga ka një gjatësi 13.5 km dhe është një investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit me financim të qeverisë shqiptare dhe donatorëve të tjerë.

Gjendja e rrugës ekzistuese ka qenë tejet e amortizuar dhe kalohej me vështirësi nga automjetet. Po kështu në zonat e banuara mungojnë trotuaret dhe sinjalistika është jashtë parametrave teknike.

Edhe pse është një zonë me potenciale të zhvillimit bujqësor dhe blegtoral, fermerët e kësaj zone, e kanë pasur të vështirë transportin e prodhimeve të tyre në tregjet e qyteteve përreth. Me rikonstruksionin e rrugës pritet t’u vihet më shumë në ndihmë banorëve dhe fermerëve të zonës.

Rikonstruksioni i rrugës parashikon edhe ndërtimin e trotuareve, vendosjen e sinjalistikës rrugore, përmirësimin e rrjetit të kanalizimeve, etj. Ky investim shkurton kohën e udhëtimit tri herë e synon të japë rezultate të prekshme për komunitetin, duke nxitur zhvillimin e bujqësisë.

Shkrimi u botua në gazetën Shqiptarja.com (print) 03.02.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)