Nis ‘rrethimi’ i KÇK-së në drejtësi! Njësi për goditjen e gjyqtarëve e prokurorëve që po bëjnë 'kërdinë' deri kur të ngrihet Inspektoriati

Nis ‘rrethimi’ i KÇK-së në drejtësi! Njësi për goditjen e gjyqtarëve e prokurorëve që po bëjnë 'kërdinë' deri kur të ngrihet Inspektoriati

Ka nisur zyrtarisht ‘rrethimi’ për goditjen e grupit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët po shfrytëzojnë maksimalisht kohën që u ka mbetur në detyrë, duke bërë kërdinë në drejtësi, me vendime arbitrare dhe dukshëm korruptive. Javën e fundit janë ndërmarrë tre lëvizje konkrete për të ndaluar dhe ndëshkuar veprimtarinë e grupit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, të quajtur ndryshe 'KÇK', 'kap çfarë të kapësh'. Të vetëdijshëm për pamundësinë e kalimit të Vetingut, për shkak të pasurive të pajustifikuara me të ardhura të ligjshme dhe komprometimit të figurës, ky grup magjistratësh, po bën ‘nderet’ e fundit me vendime abuzive, duke përfituar edhe ngadalësia e procesit të Vetingut dhe mungesa e konstituimit të institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, i cili ka për detyrë të nisë hetimin disiplinorë ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve abuzues. 

Lëvizja e parë 
Tre deputetë të Partisë Socialiste kanë dërguar një projektligj në Kuvend, i cili parashikon zgjidhjen e çështjes së mosndëshkimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve abuzues deri kur të funksionojë Inspektori i Lartë të Drejtësisë. Nisa ndryshon dispozitat kalimtare të ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Më konkretisht, nisma ligjore parashikon që deri në gjashtë muaj pas krijimit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, shkeljet disiplinore të prokurorëve dhe gjyqtarëve do të ndiqen dhe hetohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor. KLP dhe KLGJ do të ngrenë pranë tyre disa njësi të përkohshme, të përbërë nga prokurorë dhe gjyqtarë të komanduar, për të hetuar shkeljet dhe ndëshkuar magjistratët e KÇK-së. KLGJ dhe KLP do të miratojnë rregullat e funksionimit të këtyre këshillave apo njësive. Pas mbarimit të këtij afati, këshillat dorëzojnë pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dosjet e hetimeve disiplinore. Aktualisht KLGJ dhe KLP nuk kanë asnjë kompetencë për të hetuar shkelet e magjistratëve, pasi një detyrë  e tillë i takon Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, i cili nuk është ngritur ende. Me këtë ndryshim, KLGJ dhe KLP kanë mundësi të marrin masa ndaj magjistratëve abuzues, përmes njësive të tyre, deri kur të funksionojë Inspektori. 

Lëvizja e dytë 
Gjyqtarë dhe prokurorët e KÇK-së shërbejnë kryesisht në shkallën e parë të gjyqësorit, e cila nuk ka kaluar ende në filtrin e Vetingut, pasi prioritet për Vetingun, deri më sot, kanë qenë anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, të gjithë krerët e prokurorive dhe gjykatave, kandidatët për t’u bërë pjesë e institucioneve të reja të drejtësisë dhe magjistratët e apelit. Në datën 16 dhjetor, Komisioni i Pavarur i Kualifikimi ka përzgjedhur për herë të parë përmes shortit 120 gjyqtarë dhe prokurorë të shkallës së parë. Një pjesë e magjistratëve të përzgjedhur janë akuzuar publikisht për vendime abuzive dhe si pjesë e KÇK-së. 

Lëvizje e tretë 
Inspektori i Lartë i Drejtësisë është autoriteti shtetëror përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin e shkeljeve disiplinore dhe për fillimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve. Disa ditë më parë, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka ndërmarrë një tjetër hap për finalizimin e zgjedhjes së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. KED njoftoi renditjen paraprake të kandidatëve për drejtimin e këtij institucioni të rëndësishëm të drejtësisë. Sipas rezultatit paraprak të pikëzimit, Artur Metani është renditur i pari me 89.6 pikë, Eris Hysi 78.3 pikë,  Joana Asimi Sorraj 82.5 pikë, Lindita Troja 63.4 pikë dhe Sokol Stojani 89 pikë”. Sipas të gjitha gjasave, institucioni i Inspektorit të Lartë i Drejtësisë do të jetë funksional brenda gjashtëmujorit të parë të 2020.

/G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

E 'dogji' me alkool dhe duhan, gjimnastja japoneze përjashtohet nga Lojërat Olimpike

E 'dogji' me alkool dhe duhan, gjimnastja japoneze përjashtohet nga Lojërat Olimpike