Takimi informal për paqen dhe sigurinë në Ukrainë dhe Evropë, i thirrur nga presidenti francez Emmanuel Macron, ka përfunduar rreth orës 18:30. Takimi, i cili nisi në orën 16:00, u mbajt në vijim të atij të zhvilluar dy ditë më parë në Paris.
Në këtë mbledhje morën pjesë fizikisht në Paris presidenti i Rumanisë, Ilie Bolojan, dhe kryeministri i Luksemburgut, Luc Frieden. Ndërkohë, njëzet liderë të tjerë të shteteve dhe qeverive ishin të lidhur përmes videokonferencës.
Pas takimit, presidenti francez Emmanuel Macron publikoi një mesazh në rrjetin social X.

"Sapo pata një bisedë të gjatë me disa kolegë nga Bashkimi Evropian, si dhe me liderë nga Kanadaja, Islanda dhe Norvegjia. Qëndrimi i Francës dhe partnerëve tanë është i qartë dhe i bashkuar. Ne synojmë një paqe të qëndrueshme dhe solide në Ukrainë. Jemi në krah të Ukrainës dhe do të marrim të gjitha përgjegjësitë tona për të garantuar paqen dhe sigurinë në Evropë."
Macron theksoi gjithashtu se qëllimi i përbashkët mbetet përfundimi i luftës së agresionit të Rusisë, e cila ka zgjatur për gati tre vjet. Ai përsëriti se Ukraina duhet të përfshihet gjithmonë në procesin e paqes dhe të drejtat e saj të respektohen. Gjithashtu, ai nënvizoi nevojën për një paqe të qëndrueshme me garanci të forta dhe të besueshme, duke marrë parasysh shqetësimet e sigurisë së vendeve evropiane.
Presidenti francez bëri thirrje për rritjen e shpenzimeve dhe kapaciteteve për mbrojtjen dhe sigurinë e Evropës, duke paralajmëruar se vendime të rëndësishme do të merren në ditët dhe javët në vijim.
Liderët e të shteteve dhe qeverive qw morwn pjesw nw samitin e dytw informal mbi sigurinw europiane dhe paqen nw Ukrainw, ishin Gitanas Nauseda (Lituani), Alexander Stubb (Finlandë), Bart De Wever (Belgjikë), Rossen Jeliazkov (Bullgari), Justin Trudeau (Kanada), Andrej Plenkovic (Kroaci), Kristen Michal (Estoni), Petteri Orpo (Finlandë), Kyriakos Mitsotakis (Greqi), Micheal Martin (Irlandë), Kristrún Frostadottir (Islandë), Evika Silina (Letoni), Jonas Gahr Store (Norvegji), Luis Montenegro (Portugali), Ulf Kristersson (Suedi), Robert Golob (Slloveni), Petr Fiala (Republika Çeke).
Keir Starmer dhe Emmanuel Macron
Javën e ardhshme, presidenti amerikan Donald Trump do të takohet në Uashington me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kryeministrin britanik Keir Starmer.
Lajmin e ka bërë të ditur Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Mike Waltz, gjatë një interviste për Fox News.
Gjatë bisedimeve, ndër të tjera, do të diskutohet edhe çështja e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.
Komente

