Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën e jashtëzakonshme plenare për zgjedhjen e presidentit, por opozita ka refuzuar pjesëmarrjen. Kryeministri Albin Kurti nënvizoi se "opozita nuk ndërmori asnjë iniciativë për zgjedhjen e presidentit."

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka njoftuar para mediave se kjo parti nuk do të marrë pjesë, pasi seanca është “shfaqje propagande e Vetëvendosjes.”

Albulena Haxhiu, tha se mungesa e opozitës në seancën e jashtëzakonshme për presidentin prodhon pasoja direkte dhe shtyn vendin drejt një krize të panevojshme.

"Mungesa e opozitës është një veprim që prodhon pasoja direkte, bllokimin e një procedure kushtetuese dhe shtyrjen e vendit drejt një krize të panevojshme", tha kryetarja e Kuvendit.

Edhe Bedri Hamza, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, ka deklaruar se kjo “çështje është e mbyllur”, ndërsa ftesa e pjesëmarrjes “veprim jo serioz.”

“Është një veprim joserioz. Ka për qëllim manipulimin, një veprim që nuk prodhon rezultat. Një veprim që vendi po shkon në zgjedhje dhe përgjegjës është Kurti”, tha Hamza.

I pyetur nëse votojnë për një kandidat nga familja Jashari, Hamza ka thënë se nuk kanë ndryshuar qëndrim për ndonjë kandidat nga kjo familje, mirëpo për Vjosa Osmanin, ai nuk ka shprehur mbështetje.

Besnik Tahiri, kryetar i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmëri të Kosovës, thotë se seanca është vazhdim i “spektaklit publik, që fatkeqësisht po e çon vendin në zgjedhje”. 

AAK-ja s’ka qenë e ftuar për diskutime. S’kemi marrë pjesë, e rrjedhimisht s’marrim pjesë në një diskutim që prapë është një performancë publike. Kësaj radhe po shihet që është performancë publike, diskutim për të folur vetë me veten. Kurti në vend që të flasë me organe të partisë, do që platformën e Kuvendit ta kthejë në diskutim të brendshëm”, u shpreh Tahiri.

Në rast se nuk arrihet zgjedhja e Presidentit të ri, vendi pritet të shkojë në zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:37
Konjufca: Opozita po shfrytëzon institucionin e Presidentit për të rrëzuar qeverinë, po shkon shumë larg

1777307642_glaukkonjufca.jpg

Zëvendëskryeministri i Kosovës Glauk Konjufca tha se opozita po shfrytëzon krizën për zgjedhjen e presidentit me qëllimin për të rrëzuar qeverinë.

“Duan ta shfrytëzojnë çështjen e presidentit që përmes pamundësimit të kuorumit të çojë në zgjedhje. Shpresa e tyre që përmes shfrytëzimit të institucionit të Presidentit, të rrëzojnë qeverinë. Kjo, i bie që të shkosh shumë larg në betejën politike, për të shfrytëzuar pozitën më të lartë për të rrëzuar qeverinë dhe kryeministrin”, tha Konjufca.

Më tej, Konjufca u shpreh se opozita është e vetëdijshme që në zgjedhje, LVV të pësojë humbje të thellë. Sipas tij, arsyeja është nihilizmi politik që do të prodhojë pasoja të paparashikueshme.

“A thua që gjithë këto parti politike presin që nesër kur të mbahen zgjedhjet, LVV të ketë 13% e këta 51%? A thua mendojnë ata që për 4 muaj ajo që është kështu, kthehet kështu? (Bën gjeste me duar) Unë për vete, s’besoj që ata besojnë në këtë. A kanë sondazhe dhe të dhëna më objektive? Kanë sondazhe, i kanë informatat e sakta dhe si është e mundur që t’i dinë krejt parametrat e situatës dhe prapë të bëjnë të njëjtën gjë? Arsyeja më e fundit mua më del një nihilizëm politik shumë fatkeq për Kosovën, me pasoja që s’mund t’i parashikojmë tani për tani", tha zv/kryeministri.

Ora 18:28
Kurti ‘i lutet’ opozitës: Na ndihmoni të mos kemi 3 poste!

1777305912_albinkurti.jpg

Dështimi për të zgjedhur presidentin e ri të Kosovës, do të bëjë që deri më 4 tetor, Albulena Haxhiu të mbajë këtë detyrë që më pas do t’i kalojë kryetarit/es të ri të Kuvendit, u shpreh Albin Kurti para Kuvendit. Kjo nuk do të ndryshonte asgjë për opozitën, vijoi ai, sepse sërish Vetëvendosjes do t’i mbeteshin 3 pozita: e Presidentit, Kryeministrit dhe Kryetarit të Kuvendit.

“Aman na ndihmoni të mos kemi 3 pozita! Të dashur deputetë të opozitës, ejani na ndihmoni të mos kemi 3 pozita se tashmë i kemi 3 pozita!”, iu drejtua Kurti opozitës.

Ora 18:17
Kurti: Nuk po respektohet rezultati i zgjedhjeve, duan që Vetëvendosja të ketë sa më pak mandate

 

Kryeministri Albin Kurti tha se as përpjekjet e fundit të LVV kundrejt opozitës për çështjen e presidentit, nuk kanë prodhuar fryte.

“Mbrëmë kemi ripërsëritur ftesën dhe sërish asnjë përgjigje pozitive. Krerët e PDK dhe LDK bëjnë deklarata në media, por asnjë emër konsensual nuk erdhi as privatisht e as publikisht. Kjo e meriton një shpjegim. Nëse oferta jonë nuk do të ishte e mjaftueshme, do të kishte kërkesa”, tha Kurti.

Sipas tij, problemi që ndodh nga kjo është mosrespektimi i rezultatit të zgjedhjeve ku Vetëvendosja doli fituese.

“Problem është që nuk ka respekt ndaj verdiktit të popullit. Nuk po respektohet rezultati i zgjedhjeve. Njësoj si vitin e kaluar, qëllimi është që të dëmtohet Vetëvendosja si fituese, që të ketë sa më pak mandate dhe Kosova të mos duket si vend stabël institucional”, tha Kurti.

Ora 18:16
Kurti-opozitës: S’mori iniciativa për zgjedhjen e presidentit, dështim i marrjes së përgjegjësisë

 

Kurti tha se deri në momentin e fundit, LVV “ka pritur bashkëpunim e marrëveshje” nga ana e opozitës për çështjen e presidentit të Kosovës. Por, ai nënvizoi se çdo iniciativë për takimet është ndërmarrë prej tij dhe nga opozita s’ka pasur asnjë përpjekje.

“LDK dhe PDK nuk ka marrë iniciativë, ndonjë propozim, ndonjë emër. Kur iu ofrua mundësia konkrete, kanë zgjedhur heshtjen. Fakti që opozita nuk ka marrë asnjë iniciativë për zgjedhjen e presidentit është dëshmi e qartë e dështimit të marrjes së përgjegjësisë proporcionale”, tha Kurti.

Ora 18:06
Seanca për presidentin e Kosovës, Kurti akuza opozitës: Po ngatërron kompromisin me nënshtrimin

 

Në fjalimin e tij para deputetëve të Vetëvendosjes Kurti akuzoi opozitën se nuk ka respektuar rezultatin e zgjedhjeve, duke ngatërruar kompromisin me nënshtrimin

“Rezultati i zgjedhjeve nuk mjafton vetëm të pranohet, rezultati i zgjedhjeve duhet të respektohet dhe respektimi i rezultatit nuk është nënshtrim, një term tjetër i keqpërdorur nga opozita në këtë sallë e jashtë saj. Nëse ka një nënshtrim, ai është ndaj verdiktit të qytetarëve, të cilët me votë kanë përcaktuar peshën e cilit subjekt politik, duke përcaktuar edhe sjelljen parlamentare. Pikërisht për shkak të keqkuptimit të fjalës “nënshtrim”, opozita kompromisin e kupton si nënshtrim të fituesit të zgjedhjeve. Kompromisi është marrëveshje që reflekton realitetin e mandatit zgjedhor duke u dhënë të tjerëve atë që u takon sipas peshës së tyre elektorale. Kompromisi i vërtetë, ai i cili u shërbën qytetarëve ndërtohet mbi dy shtylla të panegocioueshme, së pari mbi respektin për rezultatin e zjedhjeve, pra respektin e vullnetit të qytetarëve dhe peshës politike që ata i kanë dhënë secilit subjekt subjekt politik dhe së dyti mbi përgjegjësinë institucionale dhe demokratike e cila rrjedhë nga angazhimi publik dhe nga fakti se je përfaqësues i zgjedhur i popullit”, tha ai.

Ora 17:55
Opozita mungon në seancën për presidentin, Haxhiu: Prodhon pasoja direkte, shtyn vendin drejt krizës së panevojshme

 

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se mungesa e opozitës në seancën e jashtëzakonshme për presidentin prodhon pasoja direkte dhe shtyn vendin drejt një krize të panevojshme.

“Mungesa e opozitës është një veprim që prodhon pasoja direkte, bllokimin e një procedure kushtetuese dhe shtyrjen e vendit drejt një krize të panevojshme. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e ka sqaruar këtë çështje në mënyrë përfundimtare, deputetët janë të obliguar që të jenë të pranishëm dhe të votojnë, përveç rasteve kur kanë marrë leje të rregullt paraprake”, tha Haxhiu.

Ora 17:54
Seanca për presidentin e Kosovës, Kurti: Bllokimi 11 mujor i Kuvendit për faj të opozitës

 

Nga salla e boshatisur e Kuvendit të Kosovës, kryeministri Albin Kurti tha se dështimi në zgjedhjen e presidentit është për faj të opozitës dhe kësisoj po e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja

"Sot kemi mbërritur në fund të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Republikës. Zgjedhja e presidentit është vendimtare për vazhdimin e funksionimit me kapacitete të plota të qeverisë, të Kuvendit dhe të institucionit të presidentit. Dështimi në zgjedhjen e presidentit e çon vendin në zgjedhje të reja që do të ishin të pestat me radhë prej 16 muajve. Pra pothuajse çdo stinë të vitit do të kishim zgjedhje. Zgjedhjet e reja do të frenojnë punën e Qeverisë.. Akuzat se VV ikën nga përgjegjësia nuk janë të vërteta. Nuk ka pasur as në mars të vitit 2021, as në shkurt të këtij viti, asnjë vonesë, asnjë ngurrim dhe asnjë shmangie në marrjen e përgjegjësive për të qeverisur. Kjo është e matshme dhe e verifikueshme.” tha Kurti

Ora 17:47
Vetëvendosje thirrje opozitës nga Kuvendi: Ejani në seancë për presidentin

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, u ka bërë sërish thirrje partive opozitare që të marrin pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit në Kuvendi i Kosovës.

Në fjalën e saj në nisje të seancës, ajo theksoi se deri më tani nuk ka pasur asnjë nënshkrim apo propozim konkret nga opozita për emrat për president.

“Kuvendi është vendi ku duhet të diskutohen çështjet thelbësore për vendin dhe zgjedhja e presidentit nuk është çështje procedurale, por moment ku duhet të diskutohet për konsensus e vullnet politik. Kemi pritur për nënshkrimet e deputetëve të partive tjera, nuk kemi pranuar asnjë nënshkrim, asnjë diskutim lidhur me këtë çështje. Atëherë e kemi parë të nevojshme që të diskutojmë në këtë seancë”, u shpreh Nagavci.

Ora 17:45
Opozita bojkoton seancën për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, në sallë vetëm deputetët e Vetëvendosjes

Seanca për zgjedhjen e presidentit të Kosovës po vazhdon ndërkohë që opozita e ka bojkotuar atë.

Në sallë janë vetëm deputetët e Vetëvendosjes

Sipas vendimit të Kushtetueses, ka afat vetëm deri nesër që të zgjidhet presidentit i ri, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje të reja