TIRANË - Publikohet lista e ish të përndjekurve të cilët përfitojnë këstin e tretë të pagesës, ndërkohë që përfitues të tjerë në këtë listë ka edhe nga ata persona të cilët marrin për herë të dytë apo të parë dëmshpërblim për vitet e burgut të kryera para viteve ’90.

Ministria e Mirëqenies Sociale ka bërë publike listën me 655 ish të dënuar politikë që do të përfitojnë këstin e tretë. Ndërkohë një listë tjetër që përmban 30 përfitues i përket atyre personave të cilët do të marrin këstin e dytë, ndërkohë që vetëm një person do të dëmshpërblehet për këstin e parë.

Sa i përket listës ajo është hartuar në bazë të dokumentacionit që vetë ish të përndjekurit kanë dorëzuar pranë Ministrisë së Financave dhe asaj të Mirqenies Sociale, ndërkohë që mënyra e përzgjedhjes së këtyre përfituesve është sipas ligjit të ri të miratuar vetëm pak muaj më parë nga parlamenti. “Me publikimin e kësaj liste nis zyrtarisht shlyerja e këstit të tretë për ish të përndjekurit politikë dhe ky është një tjetër premtim i mbajtur i Ministrisë së Mirëqenies Sociale për këtë kategori” thuhet në njoftimin zyrtar të këtij institucioni.

Sipas të dhënave rezulton se pranë Ministrisë së Financave i kanë dorëzuar certifikatat dhe numrin e llogarive bankare rreth 1400 ish të burgosur politikë, nga 2400 gjithsej, të cilët përfitojnë sipas kritereve të reja të ligjit për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë. Ndërkohë për vitin që vjen buxheti për dëmshpërblimet do të rritet me 11 %. “Për vitin tjetër, fondin për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve e kemi rritur me 11 për qind; nga 18 milion dollarë që ishte këtë vit, në 20 milion dollarë, dhe kjo jo për efekt elektoral, por sepse është diçka e drejtë.

Gjithashtu, jo vetëm që kemi rritur fondin, por po shpejtojmë me disbursimin e kësteve, sidomos për ata ish të burgosur që jetojnë”, deklaroi ministri Veliaj pak kohë më parë. Sipas tij, edhe vitin e ardhshëm do të ndiqet e njëjta formulë e shpërndarjes së fondit, ku 70 % e buxhetit do të shkojë për ata ish të përndjekur të cilët janë gjallë dhe 30 % për pasardhësit.
 
Kush përfiton nga kjo listë
 
Për këstin e tretë janë 655 dosje
Për këstin e dytë janë 30 dosje
për këstin e parë është 1 dosje

Përfitimet
Qeveria këtë vit përveçse ka shpërndarë një numër të madh këstesh për ish të përndjekurit, ka krijuar edhe një sërë lehtësirash për fëmijët e këtyre personave. Kështu ata fëmijë të ish të përndjekurve të cilët ndjekin shkollat profesionale nuk paguajnë tarifa shkollimi.

PDF - Pagesa Për Këstin e Parë


PDF - Pagsa Për Këstin e Dytë


PDF - Pagesa Për Këstin e Tretë


Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)