Kombet e Bashkuara nisin sesionin e 81-të të Asamblesë së Përgjithshme në New York, ku liderët botërorë pritet të diskutojnë mbi konfliktet në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë, si dhe mbi sfidat në rritje që sjell inteligjenca artificiale.
Debati i Përgjithshëm do të zhvillohet nga data 22 deri më 26 shtator dhe do të rifillojë më 28 shtator, me temën: Rikthimi i besimit, menaxhimi i transformimit: OKB që sjell rezultate për të gjithë.
Delegacionet, gazetarët dhe zyrtarët mbërritën në selinë e OKB-së të hënën në prag të këtij takimi. Më shumë se 100 krerë shtetesh dhe qeverish pritet të marrin pjesë në diskutimet e nivelit të lartë.
Këto takime zhvillohen në një kohë tensionesh të shtuara gjeopolitike, ndërsa Kombet e Bashkuara përballen me presione financiare në rritje dhe me pikëpyetje mbi drejtimin e tyre të ardhshëm, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres përgatitet të largohet nga detyra në fund të vitit 2026.
Pas fjalës së tij hyrëse lideri më i rëndësishëm që do të flasë në seancë do të jetë Donald Trump. Javë e tij do të përqndrohet në takime mjaft të rëndësishme duke nisur nga kjo e martë. Ai pritet të takojë presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, kryeministrin britanik Andy Burnham si edhe një grup liderësh nga Lindja e Mesme me fokus konfliktin me Iranin.
Në mbrëmje si zakon i viteve të shkuara, Trump do të presë në një nga hotelet luksoze të New York-ut gjithë liderët e pranishëm në Asamblenë e Përgjithshme, mes të cilëve siç Report TV ka mësuar pritet të jetë edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Shefi i qeverisë do të mbajë fjalën e tij në seancën e Asamblesë së OKB të premten më 25 shtator.






Komente
Komento