Çelet sot sipari i aktiviteteve 'Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë'! Ermal Meta të rinjve: Kini besim te vetja, ju e pikturoni të ardhmen tuaj! Dua Lipa: Do vij shumë shpejt te ju

Çelet sot zyrtarisht sipari i aktiviteteve të vitit 2022 ku Tirana është shpallur Kryeqyteti Europian i Rinisë. Në një ceremoni të posaçme me qindra të rinj që do jenë pjesë e eventeve të “Tirana European Youth Capital 2022” u shpalos programi dhe risitë që do të sjellë në Tiranë ky titull që jepet pikërisht në një vit të shpallur edhe nga KE si viti i Rinisë! 

Nën tingujt më të njohur të hiteve italiane e botërore, këngëtari Ermal Meta, çeli aktivitetin inaugurues të Tiranës, i cili i drejtoi edhe një mesazh të rinjve.

'Kini gjithmonë besim në veten tuaj dhe mos lini njeri të tregojë të ardhmen tuaj. Të ardhmen mund ta vizitoni vetëm ju, vetëm ju dini ta pikturoni", tha ai, teksa më pas këndoi disa këngë italiane.  

Atmosfera në pallatin e Kongreseve u ndez edhe më shumë pas videomesazhit të këngëtares shqiptare më famë botërore Dua Lipa, e cila premtoi një tjetër vizitë në Tiranë.

Të pranishëm në aktivitet ishin edhe ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca, si dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Ky i fundit i drejtoi një mesazh të rinjve ku tha: "Ti mund të ndryshosh botën! Edhe ti mund ta ndryshosh botën. Secili prej jush ka fuqinë dhe energjinë ta ndryshojë botën".

Drejtoresha Ekzekutive e Kongresit Rinor Kombëtar, Dafina Peci, në çelje të këtij eventi theksoi se ka pasur një boom aplikimesh nga të rinjtë për aktivitete gjatë këtij viti.

“Morëm 1100 aplikime nga të rinj nga i gjithë vendi. Të gjitha do kthehen në një kalendar shumëngjyrësh aktivitetesh dhe mundësish,” u shpreh Peci.

Ndërsa Aspasjana Kongo, Koordinatore e Përgjithshme TEYC 2022, u shpreh se ky titull për Tiranën ka thyer 3 rekorde.

“Tirana e ka marrë titullin si Kryeqyteti Europian i Rinisë që në aplikim. Rekordi i dytë është sepse për herë të parë këtë titull e merr një kryeqytet dhe së treti, ky program ka një shtrirje në të gjithë territorin e vendit,” bëri të ditur Kongo.

Përgjatë statusit të saj si kryeqytet i Rinisë, Tirana do të presë mijëra aktivitete, në fokus të të cilave do të jenë të rinjtë nga Shqipëria dhe mbarë Europa

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:04
Soreca në ceremoninë e 'Tirana European Youth Capital 2022': Europa është këtu, inkurajojmë të rinjtë të bëhen aktorë të ndryshimit

 

Nga ceremonia e hapjes së “Tirana European Youth Capital 2022”, Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca, iu drejtua me një mesazh të rinjve të shumtë që kishin mbushur Pallatin e Kongreseve. Ai u shpreh se Europa është në Tirana sepse në Tiranë është Europa. Ai vlerësoi angazhimin dhe punën e bërë nga ekipi i të rinjve dhe Bashkia e Tiranës për marrjen e titullit “Kryeqyteti Europian i Rinisë”.

“Kam takuar shumë prej jush në Tiranë dhe mendoj se potenciali juaj është shumë i madh. Është  koha që të jeni aktiv dhe të siguroheni që të jepni më të mirën në këtë mundësi. Mos e humbisni atë. “Tirana European Youth Capital 2022 është dhe një shans i Shqipërisë. Është një mundësi për të gjithë të rinjtë që të adresojnë dhe të ndajnë perspektivat  e tyre për të ardhmen që ju doni në BE. Si BE ne jemi këtu që t’ju mbështesim në bashkëpunimin me ekipin e TEYC dhe Bashkinë e Tiranës për ta bërë një histori të suksesshme. Ne duam të inkurajojmë të gjithë të rinjtë, veçanërisht ata me më pak mundësi që të bëhen qytetarë aktivë dhe aktorë të ndryshimit. Ne dua të promovojmë mundësitë duke mbështetur politikat për të rinjtë dhe zhvillimin personal të tyre. Ne duam të inspirohemi prej vizionit tuaj, iniciativës suaj.  Qytetarë të ardhshëm të Bashkimit europian. Shqipëria dhe BE kanë nevojë për vizionin tuaj për angazhimin dhe pjesëmarrjen për një të ardhme më të mirë që është, më e gjelbër dhe më digjitale.  Le ta përmbyll me moton time: Europa është këtu sepse këtu është Europa”, deklaroi Soreca.

Ora 13:14
Tirana Europian Youth Capital, Veliaj: Ky është viti ynë! Secili prej jush ka mundësi ta ndryshojë botën

 

“Secili prej jush ka mundësi ta ndryshojë botën”. Me këtë mesazh i është drejtuar kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj të rinjve të pranishëm në pallatin e Kongreseve në eventin e hapjes zyrtare të aktiviteteve të Tirana Europian Youth Capital.

“A mund ta ndryshoni shkollën tuaj, a mund ta ndryshoni klasën tuaj, veten tuaj, sepse një njeri që ndryshon veten mund të ndryshojë një klasë e një njeri që ndryshon një klasë ndryshon një shkollë e një njeri që ndryshon një shkollë ndryshon një qytet, një njeri që ndryshon një qytet ndryshon një komb, një njeri që ndryshon një komb mund të ndryshojë një kontinent dhe një njeri që ndryshon një kontinent mund të ndryshojë botën. Ti mund të ndryshosh botën! Edhe ti mund ta ndryshosh botën. Secili prej jush ka fuqinë dhe energjinë ta ndryshojë botën,” tha ai.

Veliaj u shpreh se ky është viti i Tiranës por edhe i gjithë të rinjve.

“Ky është momenti ynë, kjo është koha jonë, kjo është dita jonë dhe ky është viti ynë, si Tirana, Kryeqyteti Europian i Rinisë. Kemi punuar shumë për këtë ditë dhe jam sot i përulur, jam sot me gjithë respekt, me gjithë dashuri, me gjithë falënderime për qindra çuna e goca që kanë punuar për tre vite që sot Tirana të ishte Kryeqytet Europian i Rinisë. Ju them me gjithë zemër: Faleminderit! Një mikpritje tironse të gjithë atyre që na kanë ardhur sot nga shumë vende të botës, atyre që na kanë ardhur nga Anglia, Italia, Franca, nga Greqia, nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi. Nëse ju kam harruar, ju duam shumë. Welcome to Tirana!” përshëndeti në fjalën e tij kreu i Bashkisë.

Ora 12:29
Dua Lipa mesazh live për shqiptarët: Tirana ka vend të veçantë në zemrën time, do vij shumë shpejt

 

Ylli i muzikës botërore, shqiptarja Dua Lipa, përmes një videomesazhi drejtuar të gjithë të rinjve shqiptarë ka premtuar një tjetër vizitë në Tiranë në kuadër të aktiviteteve për 'Tirana, kryeqyteti Evropian i Rinisë'.

"Tirana ka një vend të veçantë në zemrën time. Në Tiranë e ndjej veten si në shtëpi. Paçi fat me organizimin e mbi 1000 aktiviteteve dhe jam e sigurt që do të jenë një sukses i garantuar. Ju dua shumë", tha Dua Lipa.

K.T.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale