TIRANE- Të rinjtë e lëvizjes civile “Ta pastrojmë Shqipërinë” në bashkëpunim me agjencinë kombëtare të turizmit kanë nisur sot turin për të pastruar në mënyrë vullnetare qytetet bregdetare. Ndonëse me mjete dhe mundësi modeste, ata janë ambiciozë dhe shpresojnë që më 23 maj, kur në aksion për pastrimin e bregdetit të përfshihet edhe ushtria të bëhen 100 mijë vullnetarë.

“Ne ndërkohë të bëjmë një tur dyjavor, në të gjitha qytetet bregdetare dhe komunat ndërkohë për sensibilizim, ndërgjegjësim të pastrimit të bregdetit dhe normalisht dhe të lançimit të datës së aksionit që është 23 maj. Brenda një ditë, që është 23 maji, nga Shkodra deri në Sarandë të bëhet një pastrim të mbetjeve urbane nga vullnetarë të ndryshëm. Ndërkohë edhe agjensia kombëtare e në bashkëpunim me Forcat e Armatosura, para datës 23 maj do të zhvillojnë edhe ata një aksion që do t’i paraprijë këtij aksioni të madh për të ndërhyrë aty ku nuk ndërhyjnë dot vullnetarët. Objektivi ynë është të bëhen 50-100 mijë vullnetarë.” tha Luli Shehaj, Kordinatore “Të pastrojmë Shqipërinë”.

Vullnetarët e mjedisit do të udhëtojnë në të gjitha qytetet bregdetare të vendit për të sensibilizuar pushtetin vendor dhe banorët për t’u bërë gati për sezonin turistik.

Ndërsa për të evidentuar pikat e nxehta të mbetjeve ata kanë ideuar edhe një aplikacion “trash out” që shërben si hartë e mbeturinave legale, të evidentuara gjatë aksionit nga të rinjtë vullnetarë, duke e bërë kështu më të lehtë bashkëpunimin për largimin e tyre.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)