Për të tetën herë radhazi, do të bëhet shpërndarja e vaksinave nga ajri për imunizimin e dhelprave të kuqe. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të zbatoj projektin “PAZA II”, për vaksinimin e dhelprave kundrër tërbimit, një projekt i mbështetur nga Bashkimi Evropian.

Mënyra e vaksinimit është e njëjtë me atë që është përdorur që prej pranverës së 2014, ku do të jenë katër avionë të vegjël, të specializuar dhe pajisur me teknologji moderne për të shpërndarë vaksinat e prodhuara posaçërisht për dhelprën e kuqe. Shpërndarja e vaksinës do të nisë të martën, datë 7 Nëntor dhe do të kryhet nga ajri, ku avionët e vegjël do të hedhin në mënyrë të kontrolluar një lloj vaksine të lëngët që është e futur në ushqim të posaçëm për dhelprat.

Vaksinat karrem do të shpërndahen përgjatë një periudhë 12 ditore në të gjithë territorin e vendit, përjashtuar qendrat urbane dhe sipërfaqet ujore. Të gjithë personat që gjatë kësaj periudhe apo dhe më vonë mund të shikojnë vaksina karrem, janë të lutur ë mos i prekin, hapin apo japin kafshëve të tyre, pasi mund të rrezikojnë shëndetin e tyre.

Avionët e vegjël, nëpërmjet makinerive speciale dhe hartave të sakta shpërndajnë në mënyrë të automatizuar dhe kontrolluar 20 vaksina për kilometër katror dhe gjatë vaksinimit të kësaj vjeshte do të shpërndahen rreth 560,000 vaksina karrem.

Ky proces zhvillohet dy herë në vit. Për të arritur një imunizim të plotë të popullatës së dhelprave nga tërbimi është e nevojshme që vaksinime të tilla të bëhen për 5 vjet rresht.

Redaksia Online
Xh.F /Shqiptarja.com