Është hedhur sot shorti për nisjen e procesit të vetingut në organin e akuzës së Tiranës. Mësohet se në “sitë” do të jenë prokurorët që garojnë për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Gjithashtu po shqyrtohen me vëmendje të veçantë dosjet e prokurores së çështjes “CEZ” Antoneta Sevdari dhe prokurotit Dritan Rreshka.

Antoneta Sevdari është prokurorja qe ka çuar në gjyq një nga dosjet e CEZ, me të akuzuar Kastriot Ismailaj dhe Josef Hajsek, çështje që tashmë është mbyllur me sekuestrimin e 5 mln eurove që kanë kaluar në arkën e shtetit dhe dënimin e Ismailajt me 15 vjet burg.

Kujtojmë se mazhoranca e ka akuzuar Prokurorinë se për aferën e çështjes CEZ ajo nuk po heton deklaratat e personave të përfshirë në të, ndërkohë që në Çeki një hetim i tillë po bëhet. Në kuadër të kësaj çështjeje në Shqipëri, dyshohet se Nue Kalaj, personi i akuzuar se ka luajtur rolin e sekserit për marrëveshjen e privatizimit të OSSH, ka marrë 7 milionë euro para zgjedhjeve të 2009-s në llogaritë e tij bankare nga CEZ.

Njëkohësisht në kontroll do të jenë edhe dosjet e Adriatik Camës i cili ka përfaqësuar akuzën në gjykimin ndaj ish-deputetit Mark Frroku, i cili akuzohet për kryerjen e një vrasjeje në Belgjikë. Prokuroria e ka ankimuar vendimin për pafajësinë e Frrokut të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë.

Në filtër do të kalojnë edhe dosjet e prokurorit Shpëtim Kurti, ish-drejtues i Prokurorisë së Tiranës.

s.k/Shqiptarja.com