Një platformë e re dixhitale për administrimin e drejtësisë ka hyrë në fazën e zbatimit në Shqipëri. Bëhet fjalë për projektin JURONIX që synon ta bëjë sistemin më të shpejtë, më transparent dhe më të aksesueshëm për qytetarët.
Projekti është një investim prej 11 milionë eurosh: 9 milionë euro nga qeveria shqiptare dhe 2 milionë euro nga qeveria suedeze. Ai pritet të modernizojë mënyrën si menaxhohen çështjet gjyqësore dhe shërbimet për qytetarët.
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, tha se dixhitalizimi i sistemit nuk lidhet vetëm me teknologjinë, por me mënyrën si funksionon drejtësia për qytetarët. Sipas tij, kur administrimi i çështjeve bëhet më i strukturuar dhe më i gjurmueshëm, rritet edhe mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe aksesi real në drejtësi.
Ai theksoi se një sistem më efikas do të thotë më pak vonesa dhe vendime në kohë për qytetarët dhe bizneset. Në të njëjtën kohë, modernizimi dixhital pritet të ecë paralel me përditësimin e kuadrit ligjor dhe përafrimin e tij me standardet e Bashkimit Europian.
“Dje, bashkë me Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Ambasadën e Suedisë, filluam punën për platformën JURONIX, një hap konkret për ta bërë drejtësinë më të qartë, më të shpejtë dhe më të besueshme për qytetarin. Juronix synon modernizimin dixhital të administrimit të drejtësisë dhe rritjen e aksesit të qytetarëve në shërbimet gjyqësore. Ky është edhe një investim i madh për rezultate reale: 11 milionë euro që t’i shërbejmë drejtpërdrejt njerëzve, 9 milionë euro nga shteti shqiptar dhe 2 milionë euro nga Suedia që shqiptarët të marrin drejtësi në kohë. Kur drejtësia administrohet mirë, forcohen garancitë proceduriale dhe të drejtat e njeriut: proces i rregullt, transparencë dhe akses real në drejtësi. Kur sistemi bëhet më efikas, zvogëlohen vonesat dhe qytetari merr përgjigje në kohë. Dhe kur modernizimi shoqërohet me ligje të qarta e të harmonizuara me standardet e BE-së, rritet siguria juridike për çdo qytetar, çdo familje, çdo biznes” shtoi ai.
Qëllimi sipas ministrit është i thjeshtë: drejtësia të funksionojë për qytetarin, me standarde europiane dhe me respekt të plotë për pavarësinë e institucioneve.
Platforma JURONIX shërben për transformimin e administrimit të drejtësisë dhe rritjen e transparencës dhe besueshmërisë në proceset gjyqësore. Projekti ka përfunduar fazat e analizës dhe planifikimit dhe tani ka hyrë në fazën e implementimit të komponentëve kryesorë.
Platforma mbështetet në infrastrukturë moderne, me standarde të larta sigurie dhe mbrojtjeje të të dhënave në përputhje me GDPR (rregullorja e BE-së për mbrojtjen e të dhënave), si dhe mekanizma të vazhdimësisë së shërbimit. .
Ndërkohë, në kuadër të dixhitalizimit janë kthyer në format elektronik mbi 12.9 milionë faqe dokumentesh nga arkivat gjyqësore, duke krijuar një arkivë të integruar dhe të kërkueshme.
Komente












