Presidenti i Republikës, Bujar Nishani gjatë një takimi të premten me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim(BDI), Ali Ahmeti, theksoi se faktori shqiptar në Maqedoni ka një rol kyç në shtetformimin dhe zhvillimin e gjithanshëm të vendit, dhe se zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit mbetet vendimtar për stabilitetin, bashkëjetesën ndëretnike dhe avancimin e saj në proceset integruese.

Sipas njoftimit për shtyp të Presidencës, Kreu i Shtetit siguroi për mbështetjen e plotë të Shqipërisë në përpjekjet e faktorit politik dhe institucional në Maqedoni për avancimin dhe respektimin e plotë të të drejtave të shqiptarëve atje.

Gjatë takimit u diskutua mbi zhvillimet e fundit në Maqedoni, proceset e integrimit në BE dhe anëtarësimit në NATO, si dhe mbi ecurinë e marrëdhënieve dypalëshe, duke u përqendruar veçanërisht në bashkëpunimin ekonomik.

Kreu i BDI-së nënvizoi rëndësinë që kanë projektet e përbashkëta ekonomike dhe informoi mbi ecurinë e ndërtimit të korridorit VIII dhe projektet e tjera të përbashkëta në energji e turizëm.

Në përfundim të takimit u diskutua edhe mbi rëndësinë që luan në përgjithësi faktori shqiptar në rajon, për paqen, stabilitetin, ripajtimin, dhe avancimin e proceseve integruese evropiane dhe euroatlantike

ATSH