TIRANE- Ndonëse qëndrimet e tij kritike ndaj draftit të ekspertëve për reformën në sistemin e drejtësisë Presidenti Bujar Nishani i shprehu që në fillesat e diskutimit, për herë të parë dje kreu i shtetit ka folur me një gjuhë të ashpër. Nga Malësia e Madhe ku mori pjesë në 71-vjetorin e lëvizjes antikomuniste, Presidenti Nishani u shpreh se drafti i ekspertëve, ndalon hetimin e krimeve të komunizmit. “E quaj të papranueshme hartimin dhe tendencën e një neni të tillë nga të ashtuquajturit ‘ekspertë të reformës në drejtësi’ për të vendosur në Kushtetutën e Shqipërisë një nen që ndalon njëherë e përgjithmonë hetimin e krimeve të komunizmit, u shpreh Nishani. Ai u bëri thirrje deputetëve të Kuvendit që të mos e votojnë draftin final, ndërsa theksoi se me atë projekt kushtetues, i është bërë një provokim i rëndë memories historike, Shqipërisë dhe shqiptarëve.

“Nga kjo trevë dhe tokë martirësh u bëj thirrje deputetëve të përgjegjshëm të Kuvendit të Shqipërisë ta refuzojnë mbështetjen dhe miratimin e një neni të tillë në Kushtetutën e Shqipërisë! Ata u kanë bërë një provokim të rëndë vuajtjeve dhe sakrificave, por edhe kujtesës historike, kombëtare të Shqipërisë dhe shqiptarëve”, tha kreu i shtetit. Nishani kritikoi edhe ligjin e hapjes së dosjeve, i cili sipas tij nuk mund të funksionojë pa dënimin e krimeve të komunizmit. “Dosjet e krimeve të komunizmit kanë 71 vite që mbeten pa hetuar dhe pa gjykuar. Ligji për hapjen e dosjeve ndonëse i dhe pa plotë ende nuk ka filluar të zbatohet.

Ligji i hapjes së dosjeve nuk mund dhe nuk do të jetë kurrë i plotë pa ligjin e lustracionit. Ligji i hapjes së dosjeve dhe ligji i lustracionit nuk do ta përmbushin kurrë detyrën dhe misionin e tyre pa hetuar krimet e komunizmit dhe të Sigurimit të Shtetit”, tha Nishani. Kreu i shtetit vuri në dukje se hetimet dhe dënimet e krimeve të komunizmit posaçërisht të Sigurimit të Shtetit nuk janë dhe nuk mund të jenë çështje e retorikës.

Sipas tij, “hetimet e krimeve të komunizmit dhe dënimi i krimeve të Sigurimit të Shtetit është pazgjidhshmërisht i lidhur me çështjet e interesit të sigurisë kombëtare të shqiptarëve në kontekstin strategjik sepse ata martirë kur u ngritën kundër atij mekanizmi, regjimi, ideologjie u nisën tek interesi i atdheut dhe u betuan mbi Fe dhe mbi Atdhe”. “Prandaj ne kurrë nuk mund të harrojmë, të qëndrojmë, të pushojmë së kërkuari bërjen e drejtësisë”. Presidenti i Republikës vlerësoi me Dekoratën e Artë të Shqiponjës, protagonistët e lëvizjes antikomuniste të 71 viteve më parë.
 
“Pronat”, Ligji në Kushtetuese, rikonfiskon pronat e shqiptarëve
 Pas vendimit për të dërguar në Kushtetuese ligjin për “Pronat”, presidenti Bujar Nishani deklaroi se ky ligj rikonfiskon pronat e shqiptarëve. Nga Malësia e Madhe, kreu i shtetit shpjegoi mosdekretimin e ligjit të pronave dhe dërgimin e tij në Gjykatën Kushtetuese. Sipas tij, projekti i qeverisë i mohon shqiptarëve në vitin 2016-ë, të drejtën e tyre të pronës të fituar mes sakrificave. “Para pak vitesh të gjithë ne dhe shumë si ne nuk do ta besonim që në vitin 2016 mund të vinte përsëri një ligj i Parlamentit shqiptar, që do të kërkonte rikonfiskimin e pronave të shqiptarëve. Rikonfiskimi i pronave nuk mund të ndodhë, nuk do të ndodhë, sepse të drejtën e lirisë shqiptarët e kanë fituar me sakrificën, me gjakun, me qëndresën, me burrërinë e qindra e qindra martirëve të tyre”, tha Presidenti Nishani, duke u shprehur i bindur se Gjykata Kushtetuese do ta rrëzojë projektin e Parlamentit. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 25 janar 2016

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)