“Ajo që unë mund t’ju them qytetarëve shqiptarë është se si e shoh unë, tashmë si Kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në rastin konkret, apo të rasteve të tjera që mund të jenë të ngjashme me to. Ka të bëjë shumë mënyra e organizmit dhe e orientimit të vëmendjes dhe të prioriteteve në kuadrin e inspektimeve, që kryen Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Së pari, ne duhet të kemi një procedurë jo vetëm transparente, por qartazi të përcaktuar në kritere, e cila, jo vetëm do të krijojë mundësinë për të inspektuar dhe verifikuar të gjitha shkeljet, por, nga ana tjetër, t’i japë dhe garancinë për mos pasjen e mundësive për të abuzuar me fuqinë e inspektimit, apo për të ushtruar më pas presioneve të padrejta ndaj gjyqtarëve shqiptarë”.
Ndërkohë, Nishani theksoi se gjatë mandatit të tij do e orientje KLD-në drejt bashkëpunimit me institucionet e tjera.
“Unë do e orientoj Këshillin e Lartë të Drejtësisë të bashkëpunojë ngushtë edhe me Prokurorinë për të pasur një network komunikimi dhe shkëmbimi të informacioneve të të gjitha praktikave gjyqësore, të cilat lidhen me fenomene të tilla. Koordinimi midis institucioneve do të jetë një element i rëndësishëm, i cili, jo vetëm do të ndihmojnë njëri-tjetrin, pra çdo institucion në përmbushjen e misionit të tij, do ta bëjë më transparente punën tonë, por do të bëhet edhe pengesë për raste të tilla, të cilat kanë ardhur vetëm për shkak të abuzimit.”, tha kreu i shtetit.
Ndërkaq, presidenti Nishani pranoi që mangësitë në sistemin e drejtësisë pengojnë luftën ndaj krimit e korrupsionit dhe që mbi të gjitha ndikojnë edhe në konfliktet mes palëve politike. “Funksionimi i shtetit ligjor, funksionimi i demokracisë kërkojnë një sistem drejtësie profesional, të pavarur, të konsoliduar dhe tërësisht në respekt të ligjit dhe të legjislacionit të vendit”, sistem i cili në Shqipëri, sipas presidentit, mbetet një sfidë e rëndësishme.
“Hapi i parë është që, ne duhet të rikthejmë besimin tek vetë gjyqtarëve tek sistemi i tyre, që do të thotë, këtu ka të bëjë çështja e vlerësimit dhe promovimit të gjyqtarëve me integritet të lartë moral, me profesionalizëm dhe me përgjegjësi. Ky është hapi i parë, i cili do të sjellë më pas kontribute të qenësishme brenda sistemit të drejtësisë dhe që do të japë impaktin e tij të drejtpërdrejtë tek besimi pastaj i qytetarëve tek sistemi i drejtësisë.”, u shpreh sot presidenti Nishani gjatë një interviste për Zërin e Amerikës.
Në vijimësi të intervistës, Nishani u shpreh mbi rolin kryesor që ka presidenti në sistemin e drejtësisë. Ai theksoi se mbi palët politike nuk ka diskriminime, ndërsa tha se po vijon puna për integrimin e vendit drejt Bashkimit Evropian.
INTERVISTA E PLOTE E PRESIDENTIT NISHANI PER ZERIN E AMERIKES
Gazetari: Zoti President, është kënaqësi t’ju kemi sot në programin e Zërit të Amerikës.
Presidenti Nishani: Gjithashtu dhe për mua është kënaqësi e veçantë Arben.
Gazetari: Zoti President, faleminderit për kohën, që po na kushtoni, fillimisht. Zoti President, mangësitë e sistemit të drejtësisë në vendin tuaj ndikojnë pothuajse në çdo problem tjetër, me të cilin ndeshet Shqipëria. Ato pengojnë luftën kundër krimit dhe korrupsionit, ndikojnë tek acarimi politik, pasi partitë, në kushtet e mungesës të besimit reciprok, nuk kanë një sistem të pavarur se kujt t’i besojnë, pengojnë biznesin, si çështjen aq të përfolur të pronave dhe gjithçka tjetër. Ju keni pasur fatin të njihni hallka të ndryshme duke qenë Ministër i Drejtësisë dhe po ashtu Ministër i Rendit. Sipas jush, cilat janë problemet më urgjente për t’u zgjidhur në drejtësi, pa të cilat reforma mund të ngecë?
Presidenti Nishani: Është i vërtetë konstatimi juaj dhe unë ndaj të njëjtin mendim me ju që, funksionimi i shtetit ligjor, funksionimi i demokracisë kërkojnë një sistem drejtësie profesional, të pavarur, të konsoliduar dhe tërësisht në respekt të ligjit dhe të legjislacionit të vendit. Në Shqipëri, funksionimi në këtë formë i sistemit të drejtësisë, mbetet një sfidë mjaft e rëndësishme. Presidenti i Republikës ka një rol të rëndësishëm, një rol kyç në kontributet, që mund të japin të gjitha institucionet, për të vajtur drejt një formati të tillë të sistemit të drejtësisë edhe në Shqipëri. Problemi më i madh, që natyrisht sot diskutohet mes qytetarëve shqiptarë, ka të bëjë me raportin e besimit të tyre tek sistemi i drejtësisë. Por, ajo që unë kam parë, analizuar, kam arritur në konkluzion dhe të cilën e kam bërë dhe publike në mesazhet e mia në Shqipëri dhe në të gjitha institucionet, ku unë kam pasur mundësi të takohem, qoftë në Gjykatën e Lartë, në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, hapi i parë është që, ne duhet të rikthejmë besimin tek vetë gjyqtarëve tek sistemi i tyre, që do të thotë, këtu ka të bëjë çështja e vlerësimit dhe promovimit të gjyqtarëve me integritet të lartë moral, me profesionalizëm dhe me përgjegjësi. Ky është hapi i parë, i cili do të sjellë më pas kontribute të qenësishme brenda sistemit të drejtësisë dhe që do të japë impaktin e tij të drejtpërdrejtë tek besimi pastaj i qytetarëve tek sistemi i drejtësisë. Pra, nëse ne do të kemi një sistem drejtësie, i cili do të menaxhohet dhe brenda të cilit ne do të kemi marrjen e drejtësisë nga gjyqtarë, të cilët do të orientohen vetëm nga profesionalizmi, vetëm tek besimi i tyre tek ligji, vetëm tek procedura transparente, mundësia dhe aksesi i qytetarëve tek drejtësia, unë besoj se ne do të nisim një rrugë të mbarë në këtë proces.
Gazetari: Zoti President, raportet ndërkombëtare, siç ishte ai i fundit i OSBE-së, përmendin fenomenin e pandëshkueshmërisë, zyrtarë të lartë, që gjithmonë i shpëtojnë ndëshkimit ligjor dhe që në sytë e qytetarëve duket se janë bërë të paprekshëm. A mendoni ju se gjatë mandatit tuaj kjo prirje mund të përmbyset dhe mund të rikthehet ajo, që sapo përmendët dhe ju, besimi i qytetarëve tek drejtësia?
Presidenti Nishani: Kam besim të plotë që do të ketë një reflektim pozitiv në vitet që vijnë duke pasur parasysh objektivat, që përmenda pak më parë, pra, ofrimin e atyre kapaciteteve më të mira që kemi ne mes komunitetit të gjyqtarëve, mes komunitetit të prokurorëve pikërisht në drejtimin dhe menaxhimin e këtij sistemi. Unë i kam kërkuar para pak kohe, në një takim që kam pasur në Gjykatën e Lartë, një bashkëpunim Gjykatës së Lartë, anëtarëve të saj, duke shkuar drejt një standardi të unifikimit të praktikave gjyqësore për çështje të cilat janë të rëndësishme, si atyre të aspektit penal, ashtu dhe në aspektin civil. Duke pasur një model të tillë unë besoj se ne do ta vendosim sistemin e drejtësisë dhe kryesisht atë të gjyqësorit në një rrugë, e cila është haptazi e qartë dhe e mundshme për të kthyer këtë vizion dhe këtë faqe, që sot është një shqetësim dhe një sfidë e vërtetë për shoqërinë shqiptare, por edhe përtej shoqërisë.
Gazetari: Le të ndalemi për pak komente tek ajo që ju sapo theksuat, në fillim të intervistës se duhet rikthyer besimi tek vet gjyqtarët. Rasti i fundit i gjykatësit të Durrësit që la të lirë një person të dyshuar, i cili tani akuzohet për vrasjen e një komisari policie, është një ndër më të rëndët besoj për drejtësinë shqiptare. Gjykatësi në fjalë po hetohet sot nga Prokuroria për shkelje, por shumë njerëy thonë se ky nuk është rasti i vetëm me shkelje, por ka edhe të tjera si ky dhe shtrojnë pyetjen: përse drejtësia nuk është kujtuar më parë për këto raste? Si do ju përgjigjeni ju këtyre shqetësimeve dhe çfarë do të bëni ju për ta ndryshuar këtë situatë, pra, që të keni gjykatës cilësorë?
Presidenti Nishani: Ajo që unë mund t’ju them qytetarëve shqiptarë është se si e shoh unë, tashmë si Kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në rastin konkret, apo të rasteve të tjera që mund të jenë të ngjashme me to. Ka të bëjë shumë mënyra e organizmit dhe e orientimit të vëmendjes dhe të prioriteteve në kuadrin e inspektimeve, që kryen Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Së pari, ne duhet të kemi një procedurë jo vetëm transparente, por qartazi të përcaktuar në kritere, e cila, jo vetëm do të krijojë mundësinë për të inspektuar dhe verifikuar të gjitha shkeljet, por, nga ana tjetër, t’i japë dhe garancinë për mos pasjen e mundësive për të abuzuar me fuqinë e inspektimit, apo për të ushtruar më pas presioneve të padrejta ndaj gjyqtarëve shqiptarë. Pra, jemi të orientuar për të ecur paralelisht në të dyja këto drejtime. Pikërisht, këtu ka qenë dhe fokusi që, pak kohë më parë, patëm nënshkrimin e një memorandumi mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë për inspektimet. Nga ana tjetër, po punohet ngushtësisht dhe me institucione të tjera. Unë do e orientoj Këshillin e Lartë të Drejtësisë të bashkëpunojë ngushtë edhe me Prokurorinë për të pasur një network komunikimi dhe shkëmbimi të informacioneve të të gjitha praktikave gjyqësore, të cilat lidhen me fenomene të tilla. Koordinimi midis institucioneve do të jetë një element i rëndësishëm, i cili, jo vetëm do të ndihmojnë njëri-tjetrin, pra çdo institucion në përmbushjen e misionit të tij, do ta bëjë më transparente punën tonë, por do të bëhet edhe pengesë për raste të tilla, të cilat kanë ardhur vetëm për shkak të abuzimit.
Gazetari: Zoti President, Kushtetuta ju jep ju një rol për të dalë mbi palët, për të qenë faktor i unitetit kombëtar. Si mendoni ta luani këtë rol?
Presidenti Nishani: Jam tërësisht i gatshëm dhe ofroj të gjithë angazhimin tim, përtej vullnetit të padiskutueshëm, por edhe për të qenë i gatshëm në çdo moment, kur palët politike do të kërkojnë angazhimin e Presidentit në çdo formë që ata do e gjykojnë. Por, ajo që është më kryesorja në këtë moment ka të bëjë me faktin që, Presidenti duhet realisht të fitojë besimin e opinionit publik, duke qëndruar më së pari jashtë luftës politike të palëve, duke mos u përdorur nga asnjëra palë kundër palës tjetër, duke monitoruar me kujdes mënyrën e funksionimit të institucioneve mbi të cilat ka influencë dhe lidhje Presidenti i Republikës, që askush prej këtyre institucioneve të mos përfshihet brenda luftës politike. Ashtu siç duhet njëkohësisht që, Presidenti i Republikës, në çdo rast që do e mendojë se një mesazh i caktuar i duhet adresuar qytetarëve shqiptarë, por edhe klasës politike, pa marrë parasysh se në çfarë rasti mund t’i pëlqejë njërës palë, apo palës tjetër, por duke qenë i bindur në drejtësinë e mesazhit, Presidenti i Republikës të jetë prezent në komunikimin me opinionin publik, me të gjitha palët. Vetëm në këtë formë unë besoj që Presidenti i Republikës do të arrijë të fitojë në radhë të parë besimin e opinionit publik, por edhe të palëve. Jam tërësisht i angazhuar që të hyj e të veproj në këtë formë dhe me këtë filozofi.
Gazetari: Si mendoni ta siguroni ju besimin e të gjitha palëve se do të jeni i paanshëm, ndërkohë që opozita, duke përmendur dy vendimet tuaja të para që morët si President, atë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe për Kryetarin e SHISH-it, thotë, është shprehur se nuk ka besim tek ju? Si do e bindni ju opozitën se ju do të jeni i paanshëm?
Presidenti Nishani: Bindja fillon nga sjellja konstitucionale dhe ligjore e Presidentit të Republikës. Të gjithë ne duhet të bindemi dhe të respektojmë sjelljen e institucioneve vetëm bazuar mbi të drejtën dhe detyrimin kushtetues të çdo institucioni. Në të dyja rastet, Presidenti i Republikës ka përmbushur në mënyrën më korrekte të mundshme detyrat e tij kushtetuese, pa devijuar aspak dhe pa interferuar në asnjë afilacion, apo ndjeshmëri politike, qoftë në rastin e Kreut të Shërbimit Informativ, i cili është institucion, i cili nuk varet tek Presidenti i Republikës, por duhet të bashkëpunojë ngushtësisht me Këshillin e Ministrave, me qeverinë shqiptare për çështje madhore, ku më së pari qeveria shqiptare është përgjegjëse, siç është çështja e sigurisë kombëtare. Agjencia e Shërbimit inteligjent është një agjenci në shërbim të arritjes së sigurisë kombëtare. Po ashtu, dhe në rastin e Nënkryetari të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, është një praktikë e vënë në vite, ku Parlamentit i jepet e drejta të ketë postin e Nënkryetarit dhe, për më tepër që, Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë u propozua nga Presidenti i Republikës, por vendimi për emërimin e tij u morr nga shumica absolute dhe konsensuale e të gjithë anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Pra, nëse Presidenti i Republikës në të gjitha rastet do të mbështetet në sjelljen e tij, në veprimet e tij, në vendimmarrjen e tij në ç’ka përcakton Kushtetuta, në respekt të ligjeve, padyshim që qytetarët në radhë të parë do të bëjnë të mundur që ky besim tek Presidenti i Republikës të vijë në mënyrë të natyrshme. Unë shpresoj dhe kam bindjen e plotë që, ky besim, kjo marrëdhënie e respektit të ndërsjellë midis institucioneve do të vijë duke u konsoliduar, për arsye se në radhë të parë dhe mbi të gjitha Presidenti i Republikës nuk ka asnjë paramendim dhe asnjë prapamendim për të vepruar dhe për të ndërmarrë veprime, të cilat dëmtojnë politikisht njërën apo tjetrën palë.
Gazetari: Zoti President, ndërsa Shqipëria është sot në prag të marrjes së një përgjigjeje pozitive nga BE për çështjen e statusit, palët në Parlament nuk arritën, dje për shembull, të binin dakord për projektligjin për Gjykatën e Lartë, pra, vazhdojnë përsëri acarimet politike. A mendoni se është detyra juaj të luani një rol për të afruar qëndrimet e palëve?
Presidenti Nishani: Absolutisht që Presidenti i Republikës duhet të jetë vazhdimisht i angazhuar në përçimin e mesazheve dhe ideve dhe qëndrimeve, të cilat janë tërësisht në interes të vendit, të zhvillimeve aktuale, por edhe të perspektivës së zhvillimit të vendit. Çështjet e reformës së drejtësisë unë i kam konsideruar dhe vazhdoj t’i konsideroj dhe besoj që edhe palët politike i konsiderojnë si kontribute, jo vetëm për një qeveri të caktuar, jo për një President të caktuar, jo për një Kryeministër të caktuar, jo për një opozitë të caktuar, por për interesat e vendit. Në fund të fundit ne flasim çdo ditë për nivelin e sistemit të drejtësisë dhe konsolidimin dhe mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë, padyshim që i paraprin infrastruktura legjislative, ndaj dhe në rastin e Gjykatës së Lartë unë kam besimin e plotë që palët politike, mazhoranca dhe opozita, do të vijojnë të përmbushin angazhimet e tyre, detyrimet e tyre në raport me shoqërinë, mbi bazën e asaj përgjegjshmërie, që ato kanë treguar kohët e fundit dhe është për t’u përshëndetur.
Gazetari: Zoti President, ju falemnderit! Ishte kënaqësi që ju kishim në intervistë.
Presidenti Nishani: Për mua gjithashtu ishte kënaqësi dhe ju uroj punë të mbarë!
Gazetari: Falemnderit!
(Gre.M/Shqiptarja.com)