Nishani, dy herë gati të jepte
dorëheqjen, nuk e lejoi Berisha

Nishani, dy herë gati të jepte<br />dorëheqjen, nuk e lejoi Berisha
TIRANE- Ndërkohë që përplasja mes Presidentit Bujar Nishani e mazhorancës qeverisëse po ngjitet në nivele të pamenduara më parë, pak kush e di se kreu i shtetit kohë më parë është përgatitur dy herë të japë dorëheqjen. Por në të dy rastet ka kthyer vendimin mbrapsht, pa e hedhur në publik, duke shtuar shumë hamendjet mbi arsyet e vërteta të kthimit të vendimit për dorëheqje të parevokueshme nga posti i Presidentit. Burimet brenda Presidencës, por dhe brenda selisë blu, bëjnë me dije se arsyetimi i Nishanit për të dhënë dorëheqjen nga posti ka qënë: Për arësye personale. Pa përmendur shëndetin që sipas burimit po vjen në një përmirësim gradual, por duke nënkuptuar presionin e lartë nga të dyja palët e politikës.

Mësohet se rasti më flagrant kur Nishani ka tentuar të japë dorëheqjen ka qënë muaji mars, teksa tensioni mes mazhorancës dhe numrit një të shtetit ka qënë në nivelin më të lartë, ku reforma në drejtësi është cilësuar dhe nga BE, përmes zyrtarëve të lartë dhe nga komisioneri Fyle si pengesa kryesore për marrjen e statusit të kandidatit. Përplasjet me ministrinë e Mbrojtjes, sidomos pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe debati për largimin e Gërvenit nga NATO, e vijuar më pas me përplasje të tjera për kreun SHISH, atë të ILDKP, për kompetencat e Presidentit, mësohet se ishte dhe pika e kthesës ku Nishani tregoi se s’do japë dorëheqjen, duke refuzuar gjithçka që vinte nga mazhoranca.

Burimet thonë se ka qënë ish-kryeministri Sali Berisha njeriu që ka bllokuar dorëheqjen e kreut të shtetit në të dyja rastet në periudhën shkurt-mars të këtij viti, me argument balancimin e pushteteve e mbrojtjen e institucioneve të pavarura, pasi nga Presidenti varen KLD dhe gjithë gjyqësori deri te Kushtetuesja, kreu i SHISH, Prokurori i Përgjithshëm, Ushtria, ku përmes autoritetit apo dhe bllokimit ushtron ndikimin e tij, duke i dhënë dimension pushteti opozitës së djathtë. Dhe për të pasur në dorë këtë mekanizëm, Berisha mësohet se nuk e ka lejuar dorëheqjen e Nishanit dhe për pasojë ka krijuar shumë probleme për qeverisjen e majtë dhe kryeministrin Edi Rama.

DREJT SHKARKIMIT
Të majtët po mendojnë zgjidhje të tjera për të kthyer institucionet e pavarura në detyrë. Mes të cilave dhe artikulimit përmes kreut të komisionit të Sigurisë, deputetit të LSI Spartak Braho të nevojës së nisjes së procedurës së shkarkimit të Presidentit Nishani. Duke përdorur si argument shkeljen e Kushtetutës në propozimin pa e argumentuar të kandidatit për anëtar të Gjykatës së Lartë Alaudin Malaj, që u rrëzua në komision. Por dhe deputetët e PS nuk janë shprehur kundër procedurave të shpejta për shkarkimin e Presidentit Nishani, ndonëse ata nuk janë vetë iniciatorë, por s’përjashtohet firmosja e kërkesës për në Kuvend, por që duhen 94 vota për shkarkimin.

DEKLARATA
Por Nishani për TV Klan është shprehur se “Këto janë thirrje revolucionare, që ende janë si një përcjellje e reminishencave të një lloj deliri që shfaqej në vitet ’70-të. Natyrisht, objektivi është i gabuar. Nëse do isha nga ata njerëz që tremben, nuk do kisha marrë përsipër prej kohësh përgjegjësi shtetërore dhe institucionale. Janë thirrje revolucionare që nuk meritojnë as vëmendje dhe as komente”. 

BRAHO-NISHANIT: MOS U BEJ KOPJE E KOMUNISTIT BERISHA
Deputeti, Spartak Braho reagon pas komenteve të Presidentit Bujar Nishani, mbi kërkesën e tij për shkarkim të Presidentit. “Ish-presidenti Omer Nishani ka hyrë në histori si burrë shteti, patriot, i mençur, intelektual, i qetë, i zgjuar dhe mbi të gjitha i matur, pavarësisht se jetoi në periudhën revolucionare të Enver Hoxhës. Presidenti Bujar Nishani duhet të mësojë nga paraardhësi i tij në fisin e Nishanajve, që të mos bëhet kopje e keqe dhe reminishent i Presidentit të fundit revolucionar e delirant, komunistit të viteve ‘70, Sali Berisha” deklaron Braho.


Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç