TIRANE- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, dhe kryeministri Berisha i dërguan sot një telegram urimi Atit të Shenjtë, Papa Franciscus I, për zgjedhjen në krye te Selisë së Shenjtë.

Presidenti Nishani, në mesazhin e tij të urimit, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin e tij personal, përcjell urimet më të përzemërta për zgjedhjen e Papa Franciscus I në krye të Selisë së Shenjtë dhe uron suksese në përmbushjen e misionit të tij të shenjtë Papnor.
"Unë pres me padurim për të vazhduar bashkëpunimin tradicional dhe të frytshëm me Selinë e Shenjtë, në të mirë të promovimit të vlerave universale të paqes dhe mirëkuptimit, në bashkësinë katolike dhe në të gjithë popujt, në rajonin tonë dhe më gjerë", thuhet në mesazhin e urimit të Presidentit Nishani.

LETRA E KRYEMINISTRIT BERISHA


”At i Shenjtë,

Kam kënaqësinë e vecantë që me rastin e lumtur të zgjedhjes suaj e me dëshirën e Zotit Papa Franciscum I, t’ju përcjell në emrin tim, të qeverisë shqiptare, të katolikëve shqiptarë e të gjithë qytetarëve të vendit tim përshendetjet më të përzemërta si edhe urimet më të ngrohta për sukses të plotë në misionin e lartë e të shenjtë të përcimit të fjalës e mësimëve të Zotit në zemrat e besimtarëve katolikë e bekimin e Tij për mbarë njerëzimin.

Shqiptarët vlerësojnë lart vizionin, përkushtimin e kontributin tuaj të jashtëzakonshëm në shërbim të drejtësisë sociale dhe në ndihmë të të vobektëve e të vuajturve si një ndër shprehjet më domethënëse të dashurisë e humanizmit të krishterë, një ndër virtytet më të lartë të Kishës së Jezusit. Ndaj së bashku me qytetarët e vendit tim, ndaj bindjen e thellë së nën udhëheqjen tuaj, me përkushtimin e urtësine hyjnore që ju karakterizon, Selia e Shenjtë do të vijojë të japë kontributin e saj të pacmuar e thelbësor në forcimin e besimit ndaj Zotit, në përhapjen e fjalës së Tij të Shenjtë për dashuri e ndihmë reziproke mes njerëzve, si edhe në promovimin e mëtejshëm të paqes, bashkëpunimit e miqësisë në botë.

Shqipëria dhe shqiptarët ruajnë lidhje tradicionale të ngushta e të shkëlqyera e me Selinë e Shenjtë e me Atin e Shenjtë ndaj edhe dëshiroj me këtë rast t’ju ripohoj dëshirën time të madhe dhë të gjithë shqiptarëve t’ju mikpresim në Shqipëri si Ati më i lartë shpirtëror i bashkatdhetarëve tanë të besimit katolik e më gjerë, por edhe si një mik i madh e i shquar i kombit shqiptar.”


Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)