TIRANE- Kreu i Shtetit, Bujar Nishani dhe kryeministri Edi Rama kanë marrë mesazhe falënderimi nga Shenjtëria e Tij, Papa Françesku, pas vizitës së tij në Tiranë. Në këtë mesazh falenderohen edhe autoritetet e tjera dhe i gjithë populli shqiptar për mikpritjen e ngrohtë që iu ofrua Papa Françeskut.

Në mesazhet e tij të falenderimit, Ati i Shenjtë ndalet tek harmonia fetare në Shqipëri dhe rinia shqiptare.

Mesazhi i falenderimit dërguar Presidentit Nishani
 
“Zoti President, në vazhdën e Udhëtimit tim të paharrueshëm Apostolik, dëshiroj t’ju shpreh edhe një herë Ju, autoriteteve të tjera si dhe mbarë popullit shqiptar, mirënjohjen time nga zemra për mikpritjen e ngrohtë dhe elegante që më ofruat mua dhe atyre që më shoqëronin.
 
U kënaqa që nëpërmjet pranisë sime munda të tregoj afërsinë time si dhe të gjithë Kishës me popullin e Shqipërisë, i cili në saje të forcës dhe rezistencës së tij në kohë vuajtjesh si dhe të gjallërisë rinore, përfaqëson një pasuri për mbarë kontinentin evropian.
 
Zoti President, nëpërmjet lutjeve ushqej shpresën time që ju dhe qytetarët tuaj do të jetoni me drejtësi, në paqe dhe vëllazëri dhe do të vazhdoni të dëshmoni në mënyrë mbresëlënëse marrëdhëniet tuaja të respektueshme mes pjesëtarëve të bashkësive të ndryshme fetare. Do të vazhdoj të lutem për ju si dhe për aspiratat tuaja për përparim të mirëfilltë si dhe t’ju kërkoj lutjet tuaja për mua.”- thuhet në mesazhin e Papa Françeskut dërguar Presidentit Nishani.

Mesazhi i falenderimit dërguar kryeministrit Rama

Shkëlqesisë së Tij, Edi Rama Kryeministër i Republikës së Shqipërisë
Duke pasur akoma të freskëta  kujtimet e udhëtimit tim Apostolik në Shqipëri, dhe veçanërisht të mirësjelljes dhe mikpritjes së ngrohtë me të cilën ju dhe anëtarët e Qeverisë suaj, si dhe autoritetet e tjera më ofruan gjatë gjithë kësaj vizite, unë ju përcjell edhe një herë falënderimet e mija më të përzemërta.

Konfirmoj dhe një herë vlerësimin tim për shembullin që Shqipëria ka treguar si në lidhje me rilindjen e Kishës Katolike, ashtu edhe me marrëdhëniet paqësore midis besimeve të ndryshme. Populli shqiptar është një nga popujt më të rinj të Europës, dhe për këtë arsye ai duhet ta shohë të ardhmen me besim të madh. Te kjo rini, gjithashtu, shtrihen rrënjët e progresit autentik shpirtëror, ekonomik dhe kulturor të kombit.

Unë shpresoj dhe dëshiroj fort që ju dhe bashkatdhetarët tuaj do të ecni gjithnjë në paqe dhe begati. Bekimi i Zotit qoftë mbi të gjithë ju! Unë do të vazhdoj të lutem për ju, z.Kryeministër, për anëtarët e familjes suaj, për bashkëpunëtorët tuaj dhe për gjithë popullin shqiptar. Ju lutem, lutuni për mua.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)