Nishani: Emrin e Guvernatorit 
e propozoj unë, ndryshe ngërç

Nishani: Emrin e Guvernatorit <br />e propozoj unë, ndryshe ngërç
TIRANE- Ndërkohë që përplasja qeverisë dhe presidencës për zgjedhjen e guvernatorit të ri po ashpërsohet. Kreu i shtetit Nishani ka theksuar se është Presidenti i Republikës autoriteti i vetëm kushtetues që do propozojë emrin e ri. Ai ka kërkuar respektimin e Kushtetutës, përndryshe ai ka paralajmëruar se nëse Parlamenti nuk bie në konsensus me emrin e propozuar nga presidenti, atëhere procesi mund të futet në një ngërç të panevojshëm e Presidenti t’i adresohet Parlamentit me një emër, që të gjejë dhe të marrë mirëkuptimin dhe besimin e Parlamentit.

“Procedura është mjaft e qartë në Kushtetutë, kriteret janë të qarta në ligj. S’ka arsye apo nevojë për procedura ekstra kushtetuese apo ekstra ligjore. Unë edhe herë të tjera e kam bërë me dije për të qartësuar dhe për të informuar opinion publik, pasi çështja e Guvernatorit të BSH erdhi në mënyrë të panatyrshme në realitetin institucional shqiptar. Në kontekstin e zbatimit të Kushtetutës dhe prospekt të ligjit, Presidenti, si autoriteti i vetëm kushtetues që do propozojë emrin e Guvernatorit, është thellësisht dhe realisht i angazhuar me seriozitetin maksimal në këtë proces.

Kam përcjellë tek opinioni publik një kërkesë për të marrë shprehje interesash nga individë të ndryshëm e kjo ka pasur një dhe vetëm një qëllim për ta pasur si një ndihmë të shtuar të marrjes së informacionit e të njohurive mbi kapacitetet që ne kemi për të shkuar drejt kandidaturës më të mirë. Gjithë takimet kanë qenë konsultuese kryesisht rreth situatës të krijuar në BSH. Gjithësekushi dhe çdo institucion është i qartë në lidhje me përcaktimet kushtetuese e tagrin kushtetues të çdo institucioni tjetër, mbetem besimplotë që kjo do respektohet nga çdo lloj pushteti dhe institucioni tjetër në vend. Është një proces, që do konkludohet së shpejti. Kam pasur një informacion të bollshëm mbi kapacitetet që ne kemi për drejtimin e Bankës së Shtetit shqiptar.

Kam parashikuar që ditën e enjte të thërras për konsultë Kreun i Kuvendit, Kreun e Qeverisë e Kreun e opozitës”, tha Nishani. Duke nënvizuar se do jenë në takime të veçanta për të konsultuar pikërisht standardet dhe kriteret më të mira për të vajtur tek emri kurorëzues që vetëm Presidenti do t’ia propozojë më pas Parlamentit. “Kjo konsultë ka pikërisht këtë qëllim që, Presidenti t’i adresohet Parlamentit me një emër, që të gjejë dhe të marrë mirëkuptimin dhe besimin e Parlamentit. Pra për të mos e futur procesin në një ngërç të panevojshëm.

Jam plotësisht i motivuar që të shkojmë tek kandidati më i mirë i mundshëm, për të gjetur një zgjidhje të shpejtë në mënyrë të tillë që edhe Banka e Shtetit shqiptar të marrë zyrtarisht Guvernatorin e ri në krye të punëve të saj”, tha Nishani. “Jam i angazhuar maksimalisht e mjaft i vendosur për të vijuar respektimin e këtyre përcaktimeve kushtetuese ashtu siç nuk do të ndaj të drejtën dhe tagrin tim kushtetues me asnjë institucion tjetër, ashtu siç nuk kam kërkuar të marr tagrin kushtetues të asnjë institucioni tjetër.

Në të kundërt, do të kalojë në një kaos ndërinstitucional dhe paqartësi kushtetuese dhe krijimin e problemeve të panevojshme të tjera për vendin dhe në tërësi për kulturën juridike dhe institucionale të vendit”, deklaroi Nishani. Duke nënvizuar se nëse do kishte një rast kur mazhoranca do t’i thoshte Presidentit se ky është emri që duhet të sjellë atëherë ka rënë integriteti i Institucionit, është çmontuar Kushtetuta. Nishani tha se “Kushtetuta e përcakton që propozimin për emërimin e Guvernatorit të ri e bën Presidenti” dhe sqaron se s’ka asnjë kriter në ligjin për BSH, që guvernatori duhet të jetë anëtar i Këshillit Mbikëqyrës.
 
“Çdo institucion të respektojë Kushtetutën jo vetëm frymën, por dhe germën e saj. Të respektojë ligjin e të respektojë pushtetet e tjera”, ka deklaruar Nishani.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 5 Nëntor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

 

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

LIVE- Orban: Javën e ardhshme në Luksemburg Shqipëria hap negociatat për grup kapitullin e parë! Ju përgëzoj

LIVE- Orban: Javën e ardhshme në Luksemburg Shqipëria hap negociatat për grup kapitullin e parë! Ju përgëzoj