TIRANE - Presidenti i Republikës, Bujar Nishani në një takim me Ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s është shprehur i shqetësuar për tri projektligje të përgatitura kohët e fundit nga Ministria e Mbrojtjes përsa i përket transparencës, mungesës së konsultimeve, parimit të kontrollit dhe ruajtjen nga politizimi për vendimmarrjet strategjike etj.

Komentet e Nishanit janë kundërshtuar vetëm pak orë më pas "si absolutisht pa lidhje" nga Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, e cila deklaroi se Nishani ka qënë pjesë e konsultimeve bashkë me të gjitha palët e tjera, por kërkon që përveç  përgjegjësive që i jep Kushtetuta, të ruajë për vete edhe disa të tjera, trashëgimi e regjimit komunist. Në këtë këndvështrim, Kodheli shprehu keqardhjen për faktin se Presidenti është bërë për të ardhur keq që brengat e tij ia shpreh më parë, zyrtarëve të huaj.

ÇFARE E SHQETESON PRESIDENTIN NISHANI?

Shqetësimet e Presidentit Nishani tek ambasadorët e vendeve të NATO-s kanë të bëjnë me transparencën e procesit, mungesën e konsultimeve paraprake me aktorët dhe faktorët e përfshirë, koherencën kushtetuese dhe me ligjet në fuqi, respektimin e parimit të kontrollit dhe balancës së pushteteve dhe ruajtjen nga politizimi për vendimmarrje strategjike në tre projekt–ligje: "Për Pushtetet dhe Autoritetet e Drejtimit dhe Komandimit Strategjik të Forcave të Armatosura”,  “Për Gradat dhe Karrierën Ushtarake të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë” si dhe projekt-ligjin “Për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes”.

Kështu ka bërë ditur në një njoftim për shtyp, dërguar mediave sot, vetë institucioni. Ndër të tjera, Presidentit Nishani ka shprehur gjithashtu mendimin edhe për Projekt-Strukturën e Forcave të Armatosura”, duke vënë në dukje mangësi kritike për sa i përket procesit, edhe nga ana ligjore.
 
Nishani i ka informuar ambasadorët e pranishëm se në respekt të balancës së pushteteve të përcaktuara nga Kushtetuta, ia ka përcjellë këto mangësi ligjore të projekt-strukturës Kuvendit të Shqipërisë si autoriteti më i lartë për vendimmarrje ligjore.

Por, në përfundim, ai siguroi bashkëbiseduesit se ka vullnetin dhe vendosmërinë maksimale për të dhënë mbështetjen institucionale për çështjet e sigurisë kombëtare dhe të reformës së mbrojtjes dhe i ftoi të bëjnë pyetje, komente dhe të ndajnë eksperiencat e vendeve të tyre në fushatën në fjalë.

REAGON MINISTRJA KODHELI: NISHANI, PER TE ARDHUR KEQ

Ministrja e Mborjtjes Mimi Kodheli  i ka konsideruar komentet e Presidentit Nishani si "absolutisht pa lidhje". Pasi mediat kanë publikuar takimin e Presidentit, Kodheli ka reaguar menjëherë nëpërmjet një deklarate:

Së pari, Ministria e Mbrojtjes është konsultuar me çdo aktor në lidhje me cështjet e trajtuara në projekt-ligjet e saj, përfshirë edhe aktorin dhe faktorin President i Republikës me të cilin edhe drejpërdrejt.

Së dyti, Ministria e Mbrojtjes e siguron me këtë rast Presidentin Nishani se të tre projekt-ligjet janë në fakt një shprehje koherente ligjore e Kushtetutës së Republikës së Shqiperisë dhe e standarteve organizative të një vendi të NATO-s, ku në asnjë prej republikave parlamentare të Aleancës së Atlantikut të veriut, Presidenti nuk ka, përveç përgjegjësive që i jep Kushtetuta, edhe përgjegjësi të mbetura si atavizma të regjimit komunist.

Së treti, Ministrja e Mbrojtjes garanton se ka qenë dhe mbetet përherë e gatshme të dëgjojë drejtpërdrejt nga Presidenti i Republikës çfarëdo leximi të gabuar, që nuk mund të jetë asnjëherë po kaq për të ardhur keq, sa kur “dëgjohet” pasi është dëgjuar më parë nga ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s.

Redaksia online
(armanda shtembari/ Shqiptarja.com)