TIRANË -Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, priti sot në një takim Drejtorin e Departamentit të Ballkanit Perëndimor dhe Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ministrinë e Jashtme të Britanisë së Madhe, Owen Jenkins.
Presidenti Nishani bëri një paraqitje të arritjeve të Shqipërisë në procesin e reformave dhe sfidave të ardhshme në përpjekjet për konsolidimin e shtetit ligjor dhe demokracisë funksionuese, duke u fokusuar, në mënyrë të veçantë te reformimi i drejtësisë, lufta kundër krimit dhe korrupsionit dhe ndërtimi i një administrate profesionale.
Më tej, Presidenti u ndal te roli i vendit tonë në mbështetje të stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajon, te kontributi i dhënë në kuadër të NATO-s dhe në sfidat e sigurisë në botë dhe e siguroi bashkëbiseduesin se Shqipëria mbetet e vendosur të vazhdojë në të njëjtat linja të vazhdimit të reformave dhe në planin rajonal e më gjerë, ndërsa përfitoi nga rasti të falënderojë Britaninë e Madhe për mbështetjen edhe ndihmën e saj të vazhdueshme, si një partner me rëndësi të veçantë.
Jenkins, pasi u dakortësua me pikëpamjet e Presidentit, vlerësoi vendosmërinë e institucioneve shqiptare për vazhdimin e reformave, si edhe rolin e vendit tonë në rajon dhe në përballjen me sfidat e sigurisë në shkallë globale./ATSh/