TIRANE- Presidenti Bujar Nishani dje në emisionin “Top Story” të Sokol Ballës ka folur për përplasjen me Ministren e Mbrojtjes Kodheli për kundëradmiral Gërvenin. “Ligji thotë se në momentin e krijimit të një vakance presidenti vendos mes kandidaturave. Akti i fundit i ministres së Mbrojtjes (vendosi shkarkimin e gjeneralit Kristaq Gërveni kur kjo i takonte presidentit), që kundërshton pushtetin e presidentit, është një marrje kompetence. Është mesazh i qartë politik”, deklaron Nishani, teksa flet për udhërin administrativ të Kodhelit që kërkon kthimin e Gërvenit në atdhe, pasi përfundon mandatin si përfaqësues ushtarak në NATO më 31 mars. Presidenti flet dhe për vendimin e gjykatës për këtë rast, ndërsa nënvizon faktin se s’mund të merren masa ekstreme ndaj gjeneralëve.

“Edhe një gjeneral tjetër u propozua të shkarkohej sepse supozohet i përfshirë në afera korrupsioni e abuzim të detyrës. Prokuroria nuk ka gjetur as provat minimale për këtë rast. Ç’përgjigje mund t’i jepja unë këtij gjenerali? Në këtë kontekst unë vazhdoj të qëndroj me bindjen e thellë se sjellja e institucioneve është garanci”, tha Nishani. Ai thotë se s’pendohet për dekretimin e gjeneralmajor Jeronim Bazos në krye të Shtabit të Përgjithshëm, por e akuzon atë se në rastin e Gërvenit ka shkelur Kushtetutën. Per propozimin e Kodhelit për në NATO, Nishani tha se “për Gërvenin do veproj sipas ligjit, Kushtetutës. Sa për kërkesën, ajo ka ardhur”. Ai nënvizon se s’do ketë përplasje mes kreut të shtetit e asnjë institucioni, pasi ka qënë gjithnjë një atak ndaj Presidentit. Nishani foli dhe për mosdekretimin e ambasadorëve Gjinishi e Ndreca, ku për të ky i fundit kishte fyer Presidentin.

Shkrimi u publikua sot (28.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)