Presidenti Nishani tha se pavarësisht vështirësive e kritikave të bëra ndaj ambasadorëve shqiptarë, sipas Presidentit ato ia kanë arritur të ja dalin më së miri të përfaqësojnë Shqipërinë. Në këtë kuadër, sipas Nishanit, kjo trupë diplomatike duhet ruajtur nga çdo efekt i drejtpërdrejtë dekurajues.
“Nuk mund të pretendojmë një diplomaci të mirë pa e mbështetur apo duke e dekurajuar atë. Shërbimi ynë diplomatik pavarësisht problemeve ekonomike dhe vështirësitë të kaluar nga tranzicioni ia ka dalë më së miri të përfaqësojë vendin. Është kjo trupë që duhet ruajtur ndaj çdo efekt të drejtpërdrejtë dekurajues. Garantoj se do qëndroj përkrah çdo diplomat. Nga ju kërkoj të jeni në gjendje të përgjigjen pozitivisht pyetjes se çfarë keni bërë që Shqipëria të njihet më shumë.” theksoi Nishani
Deklaratat e Presidentit Nishani vijnë një ditë pas atyre të Kryeministrit Edi Rama, i cili theksoi se "shërbimi diplomatik nuk do të jetë më streha e militantëve politikë", duke shtuar se "epoka kur ambasadorët shanin opozitën nëpër botë ka marrë fund."
Nishani: Statusi nuk duhet të na përgjumë
Për Presidentin Nishani ambasadorët kanë pjesën e tyre të meritës duke përcjellë me realizëm zbatimin e detyrimeve që përmbush Shqipëria në avancimin për integrimin. Duke vijuar më tej Nishani thekson se kjo nuk duhet të na çojë me vetëkënaqësi, por në një inkurajim për t’u përqendruar më fort në prioritetet e KE
“Ju tashmë e keni në zbatim programin e qeverisë, prioritetet e së cilës janë integrimi europian. Shqipëria gëzon statusin kandidat, falë punës ndër vite të bërë nga të gjitha institucionet. Ju keni pjesën tuaj të meritës, duke përcjellë me realizëm zbatimin e detyrimeve që përmbush Shqipëria në avancimin për integrimin. Statusi ishte edhe kurorëzim i mbështetjes të KE dhe vendeve anëtare të BE të cilat ndër vite kanë kontribuar drejtpërdrejt edhe me asistencë dhe programe të posaçme. Realizimi i këtij nuk duhet të na çojë me vetëkënaqësi por një inkurajim për t’u përqendruar më fort në prioritetet e KE. Duke patur edhe garancitë, që tha edhe Presidenti Barroso, askush nuk do të përdorë tezën e lodhjes së zgjerimit nëse përmbushen detyrat. Së shpejti krijohet Këshilli Kombëtar për Integrimin Europian. Unë dhe qytetarët shqiptarë presim nga ju që çdo ditë, t’ia dedikoni këtij objektivi. Një tjetër shtyllë qendrore përbën zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht marrëdhëniet strategjike si me SHBA e BE dhe sidomos Kosovën, e duke punuar me vende që ndajmë historinë e interesat e përbashkëta. Bashkëveprimi dypalësh duhet të rrisë cilësinë.” u shpreh Presidenti
Nishani: Të theksohet bashkëjetesa fetare në vend, vlerë
Nishani ka kërkuar nga ambasadorët që t’i dedikohen objektivit të integrimit gjithashtu edhe promovimit të vendit. Një ndër pikat që përmendi Nishani ka qenë edhe harmonia fetare duke u bërë thirrje që të shfrytëzojnë vizitën e Papa Françeskut.
“Ne duhet të mbivendosim objektivat e integrimit, dhe promovimin e vendit, ekonomisë, trashëgimisë. Ndër to është edhe trashëgimia shpirtërore e bashkëjetesës ndërfetare në Shqipëri, mbi bazën e përkatësive dhe bindjeve fetare. Këtë mesazh e vlerë e përmendëm edhe në KiE por ekzistojnë mundësitë për ta rrënjosur edhe më tepër. Vizita e Papa Françeskut është mundësi për t’i bërë edhe më shumë jehonë kësaj. Po kështu edhe mbivendosja e diasporës, ndihma dhe shërbimi model duhet të jetë axhendë e punës suaj të përditshme. Të nderuar diplomatë, ju jeni ambasadorë të një vendi anëtarëve të vendit, ky është një status i ri për vendin dhe çdo ambasador, kjo përkthehet në përgjithësi më të madhe edhe për ju. përmbushja e detyrimeve është një shtyllë tjetër e politikës shqiptare.” tha Presidenti Nishani
Nishani: Kosova tashmë një realitet i konsoliduar
Presidenti Nishani e ka cilësuar si një realitet të konsoliduar Pavarësinë e shtetit të Kosovës duke u bërë pjesë e shumë organizatave të rëndësishme.
“Kosova me hapjen e negociatave për MSA në pritje te liberalizimit të vizave, si anëtare e Komisionit të Venecias me 107 njohje, është tashmë një realitet i konsoliduar. Do vijojmë të mbështesim dialogun e Kosovës mes Kosovës dhe Serbisë do këmbëngulim në zbatimin plotë të marrëveshjes mes dy vendeve” tha Nishani
Nishani: Rritja e faktorit shqiptar në rajon, gur themeli i paqes e stabilitetit
Presidenti Nishani në fjalën e tij u ndal edhe tek të drejtat e njeriut dhe roli i Shqipërisë dhe shqiptarëve në rajon. Ai tha se pesha që kanë fituar shqiptarët me pavarësinë e Kosovës është sipas tij gur themeli i paqes dhe stabilitetit në rajon.
“Një tjetër kontekst i rëndësishëm është kandidatura e Shqipërisë në Këshillin Kombëtar të të Drejtave të Njeriut. Promovimi i të drejtave ka vlera të veçanta. Ju duhet të punoni fort në këtë drejtim pasi Shqipëria është e vendosur të përmirësojë në fushën e të drejtave të njeriut. 100 vite pas nisjes së Luftës së Parë Botërore, Shqipëria qëndron bindshëm si shtyllë paqeje e modernizëm, rrezaton dialog si vlerë thelbësore. Shqipëria beson dhe mbështet projektin europian dhe euro-atlantik të rajonit. Pesha që ka fituar faktori shqiptar me pavarësinë e Kosovës janë arritje historike, dhe përbëjnë gur-themelin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Promovimi i të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni dhe në Preshevë përbëjnë prioritet konstatn të politikës sonë në rajon. Ato janë ura lidhëse me bashkëpunimin rajonal .”
Situata në Ukrainë: Mbështesim Planin e Paqes së Poroshenkos
Nishani ka përmendur edhe situatën në Ukrainë, duke shprehur mbështetjen për planin e paqes së paraqitur nga ana e Presidentin Poroshenko. Në fjalën e tij Nishani ka kërkuar që Shqipëria të tregohet e qartë dhe e vendosur në mbështetje të Ukrainës.
“Shkalla reaguese e qeverisë shqiptare duhet të jetë edhe më e shpejtë, edhe më e vendosur. Rasti i krizës më serioze në Ukrainë, tregoi se përshkallëzimi mund të ndodhë në çdo çast edhe pse gjeografikisht larg, duke kërkuar një reagim të qartë e të vendosur. Rreshtimi i Shqipërisë krah NATO, SHBA, e BE, duke dënuar ndërhyrjen ushtarake në Ukrainë, të shkeljes së integritetit të këtij vendi, duke caktuar edhe raste paralele me Kosovën, është në interesin kombëtar të Shqipërisë. Ne e mbështesim planin për paqe të shpallur dy javë më parë nga Poroshenko. Ne mbështesim rolin e OSBE-së në zgjidhjen e këtij plani. Është për tu evidentuar fakti se Shqipëria bashkë me partnerët strategjikë ka kontribuar edhe me dy vëzhgues të lartë në Krime, tregon edhe nivelin e lartë tonin në organizatat ku jemi palë.” theksoi Nishani
Nishani: Prioritet projektet që do dalin në takim me Merkel
Presidenti Nishani ka bërë të ditur edhe një takim që do zhvillohet së shpejti në Kroaci me kancelaren Merkel ndërsa u ka kërkuar atyre që të të ndjekin me prioritet projektet që do të dalin nga ai takim në mënyrë që Shqipëria të përfitojë sa më tepër.
“Fqinjësia e mirë rajonale po merr përmasa të reja edhe në fushën ekonomike. Kriza financiare na kujton se jetojmë në një botë të ndërvarur dhe që për t’iu përgjigjur suksesshëm politikave ekonomike nevojiten masa parandaluese. Kësaj nuk mund t’i shmanget më askush. Vendet duhet të bashkëpunojnë dhe të ndihmojnë njeri-tjetrin. Pas disa ditësh me Presidentët e rajonit do takohemi me kancelaren Merkel në Dobrovnik ku do flasim për projekte konkrete. Detyra juaj parësore t’i ndiqni këto projekte në të mirë të vendit.”-tha Nishani.
Redaksia Online
(e.c/a.h/shqiptarja.com)