Presidenti Bujar Nishani dekretoi sot për postin e anëtarit të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjorin, ish kandidat për president, i propozuar nga kryeministri Berisha përpara se në këtë post të ulej presidenti aktual Bujar Nishani.

Zaganjori i cili ishte anëtar i Gjykatës Kushtetuese, me mandat të skaduar, u propozua nga kryeministri Berisha gjatë fazës së konsultimeve me partitë politike për zgjedhjen e presidentit në qershor të 2012, por ai u tërhoq pasi nuk mori konsensusin e PS-së.
 
Presidenca nëpërmjet një njoftimi për shtyp  informoi sot se Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dekretoi sot Xhezair Zaganjorin si anëtar të Gjykatës së Lartë dhe Besnik Imeraj dhe Gani Dizdari si anëtarë të Gjykatës Kushtetese. Dekretet u firmosën sot nga presidenti ndërkohë që pak ditë më parë zhvilloi takime të veçantë me krerët e grupeve të partive parlamentare.

“Në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 136, pika 1 të Kushtetutës së Shqipërisë, dekretoi emërimin e zotit Xhezair Zaganjori, anëtar i Gjykatës së Lartë."- thuhet në njoftimin për shtyp. 

"Presidenti Nishani, në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 125, pika 1 të Kushtetutës së Shqipërisë, dekretoi emërimin e zotit Besnik Imeraj, anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Gjithashtu, në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 125, pika 1 të Kushtetutës së Shqipërisë, Presidenti i Republikës dekretoi emërimin e zotit Gani Dizdari, anëtar i Gjykatës Kushtetuese.”- thuhet në njoftimin për shtyp të presidencës.

Dekretet u firmosën sot nga presidenti ndërkohë që pak ditë më parë zhvilloi takime të veçantë me krerët e grupeve të partive parlamentare.

SI U PROPOZUA ZAGANJORI PER PRESIDENT
Kandidatura e Zaganjorit për postin e presidentit u hodh në tryezë nga PD më 29 maj 2012 pas një takimi të tretë brenda asaj dite që PD zhvillonte me aleatet e saja. Kandidatura u pranua nga tre aleatët e koalicionit qeverisës, LSI, PDIU, PR por nuk u pranua nga PBDNJ e cila këmbëngulte në emrin e Fatos Nanos. Zaganjori u deklarua se pranonte propozimin dhe priste votimin. PS nuk pranoi propozimin pasi nuk kanë qenë pjesë e negociatave.

Në dy raundet e para të votimit për kandidatin për president, atë të të mërkurës 30 maj dhe 4 qershor dështoi zgjedhja e presidentit. Mazhoranca kishte propozuar kandidaturën e Xhezair Zaganjorin, por zyrtarisht kandidatura nuk ishte depozituar në komisionin e Ligjeve. Ish kryeministri Fatos Nano, i vetëshpallur si kandidat për president nuk kishte arritur të mbledhë ende 20 firma për të depozituar në Komisionin e Ligjeve kandidaturën e tij për president. Më pas Zaganjori njoftoi dorëheqjen e tij.

 Më 11 qershor Mazhoranca çon në Kuvend kandiaturën e analistit Artan Hoxha. 13 orë pasi kishte marrë mbështetjen politike për të qenë kandidati i mazhorancës, Artan Hoxha njësoj si Xhezair Zaganjori u tërheq nga gara për president dhe kreu i grupit PD-së Astrit Patozi njoftoi se mazhoranca do t’i paraqiste Kuvendit emrin e ministrit të brendshëm Bujar Nishani, i cili një ditë më parë ishte në listen e propozimeve mes PS e PD.

Më pas Nishani u zgjodh President i 6-të i vendit me 73 vota nga mazhoranca, një kundër, ndërsa dy të tjera kanë qenë të pavlefshme. Opozita votoi kundër


KUSH ESHTE GANI DIZDARI

Gani Dizdari mbante postin e zv prokurorit të Përgjithshëm, ndërsa organi i Prokurorisë drejtohej nga Alush Dragoshi, 1992- 1997.  Më pas punoi si avokat derisa u emërua si gjyqtar në Gjykatën e Lartë.
 Pak kohë më parë emri i tij u përfshi në një aferë korrupsioni për uljen e dënimit të një të dënuari për vrasje. Prokuroria e Fierit arrestoi tre persona mes tyre dhe nipin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Gani Dizdari. Agron Lumeshi, 38 vjeç nga Tropoja, në bashkëpunim edhe me dy persona të tjerë Enard Lushakaj, ose i njohur si “Nardi” dhe Renato Mellaraj nga Fieri akuzoheshin se kishin hyrë në negociata njëri me tjetrin në mënyrë që të arrinin të merrnin një dënim në Gjykatën e Lartë në favor të të dënuarit me 20 vjet burg Vilson Mellaraj për vrasjen e shtetasit Dorjan Sula në Athinë të Greqi. Mësohet se shuma financiare që do dorëzohej në Gjykatën e Lartë kap shifrën prej rreth 100 milionë lekë, para këto që ishin mbledhur nga të afërmit e familjarëve të të dënuarit Mellaraj me shpresën uljen e vendimit të dënimit në Gjykatën e Lartë.
Ditën që Mëllaraj ishte duke u vëzhguar nga hetuesit teksa po transportonte për në Tiranë shumën e parave që i ishin kërkuar, një person pranë tyre ka marrë informacion se prokuroria po përgjonte bisedat telefonike. Pas dekonspirimit të hetimit, të pandehurit e kanë ndërprerë tentativën dhe Gjykata e Lartë e ka lënë sërish në burg të dënuarin për vrasje. Vetë Gjykata e Lartë i mohoi akuzat. Në qershor 2012 Gjykata e Shkallës së Parë Fier vendosi t’i shpallë fajtorë. Gjykata vendosi pezullimin me kusht për dënimet e dhëna duke u “falur” kështu lirinë

(sg/shqiptarja.com)