Nishani lëvizje kundër Bashës
takon të përjashtuarit nga PD

Nishani lëvizje kundër Bashës<br />takon të përjashtuarit nga PD
I pashpresë për një mandat tjetër në krye të Presidencës, kreu i shtetit, Bujar Nishani, ka nisur lëvizjet në prapaskenë, duke përgatitur terrenin dhe kushtet për t’u rikthyer në Partinë Demokratike.

Teksa kanë mbetur edhe disa muaj nga përfundimi i mandatit presidencial, Bujar Nishani, përpos qokave me dekorata, me emërime, transferime dhe vlerësime gjyqtarësh, po punon në të njëjtën kohë edhe për t’iu rikthyer politikës aktive, si pjesë e Partisë Demokratike. Por, me sa duket, kreu i shtetit nuk do të pranojë të rikthehet në PD thjeshtë si një drejtues departamenti apo vartës i zakonshëm i Lulzim Bashës.

Bujar Nishani duket se synon kreun e Partisë Demokratike, në kushtet kur kjo parti, nën drejtimin e Lulzim Bashës, ka thyer çdo rekord historik sa i takon disfatave zgjedhore. Gjatë tre viteve në krye të PD, Lulzim Basha ka shënuar tre humbje dramatike, duke rrezikuar që partia që ia drejton të humbasë edhe statusin e partisë së dytë më të madhe në vend.

Ndaj, në funksion të rikthimit në PD dhe të ambicies për të marrë një ditë drejtimin e opozitës shqiptare, Nishani, po zhvillon takime intensive me eksponentë të ndryshëm të Partisë Demokratike, përkatësisht kundërshtarë të Lulzim Bashës.

Ditët e fundit, Nishani ka pritur në Presidencë kryetarët e degëve të Partisë Demokratike, të shkarkuar nga Basha dhe rrethi i tij. Sipas burimeve, në zyrën e kreut të shtetit, janë ngjitur edhe eksponentë të tjerë të Partisë Demokratike, nga rrethe të ndryshme, të cilët janë mënjanuar nga Lulzim Basha si mbështetës të linjës së të ndjerit Sokol Olldashi.

Nishani po zhvillon gjithashtu konsulta edhe me përfaqësues të lartë të PD, të cilët kanë krijuar mënyrën se si Basha po e drejton dhe menaxhon partinë.

Lëvizja
Me anë të takimeve dhe konsultave me kundërshtarë të Lulzim Bashës në Partinë Demokratike, kreu i shtetit duket se synon të maksimalizojë mbështetjen ndaj tij brenda opozitës. Nga ana tjetër, dhjetëra figura të mënjanuara nga Basha, kërkojnë mbështetjen e një personazhi të ri, i cili një ditë mund të marrë drejtimin e partisë.

Dhe mesazhi i kreu të shtetit ka qenë i qartë. “Mund t’ju them sot një gjë të sigurt që nuk e kam ndërmend që të dal në pension kaq shpejt. Se cila do të jetë më pas rruga që do të ndjekë aktiviteti im do të mbetet për t’u parë”, ka deklaruar ai disa javë më parë.

Gjithsesi, një moment kyç për ambicien e Nishanit do të jenë zgjedhjet parlamentare të 2017. Një humbje e mundshme e Partisë Demokratike do t’i bënte të pasigurta pozitat e Lulzim Bashës.

Mundësi për ribashkim
Bujar Nishani shihet si një figurë më konsensuale dhe gjithëpërfshirëse, i cili mund të bashkojë faktorët, linjat dhe grupet kundërshtare në Partinë Demokratike. Nishani shihet si një mundësi për të rikthyer harmoninë dhe ekuilibrash e shprishur në partinë më të madhe në opozitë.

Po ashtu, Bujar Nishani gjatë pesë viteve të mandatit të tij presidencial ka kaluar një provë të fortë besimi partiak. Në aktet, vendimet dhe qëndrimet e tij, janë vizuar dukshëm interesat e Partisë Demokratike. Dhe shërbimi më i madh dhe i rëndësishëm ndaj partisë janë emërimet në gjyqësor. Nëse mazhoranca nuk i ka pranuar kandidatët politikë për anëtar të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, kreu i shtetit ka diktuar dhjetëra emërimet të dyshimta në gjykatat e shkallës së partë, gjykatat e apelit dhe në prokurori.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Refuzoi gjobën, i riu dhunon efektivin e policisë në Ksamil! Shpallet në kërkim, shoqërohet i vëllai

Refuzoi gjobën, i riu dhunon efektivin e policisë në Ksamil! Shpallet në kërkim, shoqërohet i vëllai