TIRANË - Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Italiane, Alessandro Pansa.
 
Presidenti shprehu mirënjohjen e Shqipërisë për ndihmën dhe mbështetjen italiane duke veçuar kontributin dhe partneritetin e autoriteteve italiane për institucionet shqiptare të sigurisë, në planin dypalësh dhe të projekteve të Bashkimit Evropian, të konkretizuar me rezultate të prekshme në luftën kundër kriminalitetit dhe trafiqeve të të gjitha llojeve dhe shtoi se sfidat e mëdha të sigurisë përpara nesh, sofistikimi i krimit dhe kërkesa për standarde evropiane sigurie kërkojnë një bashkëpunim edhe më të ngushtë mes institucioneve tona të fushës.
 
Prefekti Alessandro Pansa, pasi vlerësoi institucionet shqiptare të sigurisë për bashkëpunimin serioz dhe profesional, nënvizoi se vendi i tij dhe institucionet italiane mbeten të interesuar për forcimin dhe rritjen e efikasitetit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë, për të pasur një fqinj të fortë e të sigurt, me standarde evropiane dhe shtoi se një ambient i sigurt është faktori thelbësor për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.
 
Presidenti Nishani vuri në dukje, se Shqipëria dhe Italia janë dy vende fqinjë, që rastësia i ka vendosur si të tillë, por që falë vullnetit dhe dëshirës së tyre kanë ndërtuar një miqësi dhe marrëdhënie të fortë natyrale mbi të cilat bazohen partneriteti dhe bashkëpunimi efikas në të gjitha fushat.
 
Presidenti Nishani i uroi misionit PAMECA IV në Shqipëri punë të mbarë.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)