TIRANE- Presidenti Bujar Nishani hapi mbledhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë duke vlerësuar punën si dhe duke i quajtur “të pabaza” sulmet politika ndaj këtij institucioni.
 
"Vlerësoj punën e KLD-së dhe kundërshtoj sulmet e pabaza nga politika ndaj këti institucioni. KLD nuk e lidh punën me mazhoranca politike apo punën e qeverisë por e ka bazuar mbi bazën ligjit dhe Kushtetutës”- tha Nishani.

Ndërsa, nënkryetari i KLD, Elvis Cefa u shpreh se "rritja e standardeve është e domosdoshme". Më tej u kalua në diskutimin dhe miratimin e Rregullores së Brendshme të Administratës së Këshillit të Lartë të Drejtësisë, e cila rregullon marrëdhënieve hierarkike, masat e sigurisë në institucion, shkeljet për nëpunësit civilë etj.  Sipas Cefës,"miratimi i kësaj rregulloreje do të rrisë shkallën e veprimtarisë dhe transparencës dhe për konseguencë shkallën e efektivitetit të KLD".
 
Për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të KLD u vendos të zgjidhet me konkurs, siç e përmban ligji "Për nëpunësin civil". "Është e vetmja mundësi, nëse duam t’i përmbahemi statusit për nëpunësin civil", tha nënkryetari Cefa, gjë që u mbështet edhe nga kryetari i KLD, Bujar Nishani. "Unë do mbështes respektimin e ligjit për statusin e nëpunësit civil", u shpreh Nishani, njëkohësisht edhe presidenti i vendit. Njoftimi i plotë i KLD dhe emërime te gjyqtarëve në qarqe.

Pas miratimit të rregullores së re, u kalua në diskutime për grupin e punës për komisionet e përhershme të KLD. "Komisionet janë një model i mirë, janë të rëndësishëm, të këshilluar edhe Euralius. Është një moment që do krijojë jo vetëm transparencë më të madhe, por do t’u mundësojë gjyqtarëve burim informacioni dhe materiale më të plota dhe më të gjera, për çdo anëtar të KLD në momentet e vendimmarrjes", u shpreh Nishani.  "Domosdoshmëria e komisioneve vlen edhe për mënyrën e të qenit të KLD", shtoi Cefa.

U miratuan edhe tre anëtarë të grupeve të punës për ngritjen e komisioneve. Ata janë: Gjin Gjoni, Lulzim Leçaj dhe Elvis Cefa.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)