TIRANE - Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti në një takim Kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmetin. Në fjalën e tij, Presidenti Nishani shprehu kënaqësinë për këtë takim, dhe përcolli vlerësimet për rolin, kontributin dhe angazhimin e politik që Ahmeti ka patur ndër vite në Maqedoni.

Presidenti theksoi se faktori shqiptar në Maqedoni ka një rol kyç në shtetformimin dhe zhvillimin e mëtejshëm e të gjithanshëm të vendit, dhe se zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit mbetet vendimtar për stabilitetin, bashkëjetesën ndëretnike dhe avancimin e Maqedonisë në proceset demokratizuese dhe integruese. 

Me këtë rast, Kreu i Shtetit siguroi për mbështetjen e plotë të Shqipërisë në përpjekjet e faktorit politik dhe institucional në Maqedoni për avancimin dhe respektimin e plotë të të drejtave të shqiptarëve atje.

Gjatë takimit u diskutua mbi zhvillimet e fundit në Maqedoni, proceset e integrimit në BE dhe anëtarësimit në NATO, si dhe mbi ecurinë e marrëdhënieve dypalëshe, duke u përqendruar veçanërisht në bashkëpunimin ekonomik.

Ahmeti nënvizoi rëndësinë që kanë projektet e përbashkëta ekonomike, dhe informoi mbi ecurinë e ndërtimit të korridorit VIII dhe projektet e tjera të përbashkëta në energji e turizëm.

Në përfundim të takimit u diskutua edhe mbi rëndësinë që luan në përgjithësi faktori shqiptar në rajon, për paqen, stabilitetin, ripajtimin, dhe avancimin e proceseve integruese evropiane dhe euroatlantike.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)