TIRANE - Presidenti i Republikës Bujar Nishani priti sot Presidentin e Komisionit të Venecias, Gianni Buqicchio, në kuadër të vizitës së tij në Tiranë për reformën në drejtësi.

Kreu i shtetit shqiptar pasi e falënderoi Presidentin Buquicchio për deklaratat e djeshme mbështetëse ndaj përafrimit të gjyqësorit shqiptar pranë standardeve dhe praktikave më të mirë evropiane, vlerësoi si shumë të frytshëm dhe të vlefshëm rolin dhe asistencën e Komisionit të Venecias në Shqipëri për konsolidimin e institucioneve të pavarura demokratike, forcimin e shtetit të së drejtës, si dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

Presidenti Nishani theksoi nevojën për ekspertizë nga Komisioni i Venecias për realizimin e një reforme tërësore dhe pa militantizëm politik që do t’u shërbejë nevojave për drejtësi të qytetarëve shqiptarë, si dhe u dakordësua me Buquicchio për mënyrën se si duhet hartuar dhe zbatuar kjo reformë e domosdoshme dhe jetike.

Nga ana e tij zoti Buquicchio shprehu edhe njëherë vlerësimin për rolin e Presidentit Nishani duke e siguruar njëkohësisht atë për të gjithë gatishmërinë e Komisionit të Venecias për të ofruar përvojën dhe asistencën e saj në hartimin dhe zbatimin e suksesshëm të një reforme vërtet gjithëpërfshirëse të sistemit gjyqësor në Shqipëri.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)