TIRANË - Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka pritur sot Komisionerin për Politikat e Zgjerimit dhe Fqinjësisë së Bashkimit Evropian, zotin Štefan Fyle, i cili ndodhet për një vizitë në vendin tonë. Në këtë takim, Fyle shoqërohej edhe nga Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ettore Sequi.
 
Presidenti Nishani, pasi ka vlerësuar progres raportin e Komisionit Evropian për objektivitetin në njohjen e arritjeve të Shqipërisë dhe rekomandimin për marrjen e statusit të vendit kandidat pa kushte, shprehu besimin e palëkundur se, “Këshilli Evropian do të marrë një vendim pozitiv në dhjetor dhe shtoi se institucionet dhe shoqëria shqiptare do të vazhdojnë përpjekjet për përballimin e sfidave të identifikuara nga Raporti, plotësisht të ndërgjegjshëm për përgjegjësitë e tyre parësore dhe nevojën për ndihmë nga partnerët evropianë në këtë përballje”.
 
Më tej, Presidenti e siguroi Komisionerin Fyle se, “Shqipëria do të vijojë rolin e saj si kontributore serioze e paqes dhe stabilitetit rajonal”. Sipas Nishanit, kjo do të “arrihet përmes politikës së fqinjësisë së mirë dhe mbështetjes së bashkëpunimit rajonal, duke nënvizuar se kontaktet e vazhdueshme deri në nivele më të larta mes vendeve aspirante dhe anëtare të Bashkimit Evropian, mishëruar në Procesin e Brdo-s, po i kontribuojnë klimës së mirëkuptimit dhe ritmit të integrimit evropian të vendeve të Ballkanit”.
 
Ndërkaq, në fjalën e tij, Komisioneri Fyle është përqendruar “në rëndësinë që partnerët evropianë i kushtojnë rolit sa më aktiv të Shqipërisë dhe shqiptarëve për stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal, perceptimit të aktorëve evropianë për arritjet e Shqipërisë në procesin e reformave, dhe integrimit, bazuar në prioritetet e përcaktuara dhe kontributin e saj në rajon.”
 
Presidenti Nishani tha se, “do të mbështesë të gjitha nismat që përshpejtojnë reformat dhe i shërbejnë krijimit të një ambienti politik bashkëpunues dhe konsensual”. Ai e ka siguruar Fylen se, “do të luajë pa hezitim garantuesin e pavarësisë së institucioneve kushtetuese dhe do të punojë për thellimin e reformave për një drejtësi efikase, transparente dhe të pavarur nga ndikimet politike dhe të interesave të tjera”.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)