Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, përmes një mesazhi, ftoi sot qytetarët që të respektojnë të drejtën e votës në zgjedhjet vendore të 21 qershorit, si instrumentin më të fuqishëm për ndreqjen e gabimeve dhe përmirësimin e gjithckaje që ka të bëjë me të ardhmen e vendit.
Duke e konsideruar votimin një akt sublim dhe shprehje të vullnetit të lirë në një vend demokratik, Presidenti në mesazh fton qytetarët t'i japin këtij momenti rëndësinë që meriton. "Vota është mjeti më i efektshëm, instrumenti më i fuqishëm në dorën e qytetarëve për ndreqjen e gabimeve, shërimin e plagëve, sigurimin e paqes sociale, si dhe përmirësimin e gjithçkaje tjetër që ka të bëjë me të tashmen dhe të ardhmen e individit dhe të vendit në përgjithësi", thuhet në mesazhin e Presidentit.
Duke votuar në mënyrë të gabuar, ose duke mos votuar, jemi të pambrojtur, të pasigurt e të paorientuar. Vetëm duke i dhënë rëndësinë e duhur votës mund t'i merrni në dorë fatet tuaja, citohet mesazhi.
Më tej, Presidenti në mesazh iu kërkon zgjedhësve që ta përdorin mirë lirinë e të votuarit. "Nëse lirinë e votës e përdorni si duhet, mund të jetoni të qetë në intervalin mes dy votimeve. Nëse e përdorni keq, shpërdorimin e asaj lirie do ta vuani me pasoja, madje edhe dramatike. Respektojeni dhe votojeni kandidatin që t'ju respektojë ju dhe veten e tij, që brengoset, që sakrifikon, pse jo, edhe vuan, më tepër për ju se për veten", shprehet Nishani.
Ai iu bën apel qytetarëve që të mos e shesin votën, pasi kjo "është turpi dhe tmerri më i papërfytyrueshëm që na njollos të gjithëve njëlloj". "Kandidati që jua blen votën, nuk ju respekton, vetëm ju gënjen, vetëm ju përbuz, vetëm ju urren. Fenomeni i shëmtuar dhe i padenjë i shitblerjes së votës ka ndodhur në disa nga zgjedhjet e kaluara. Është e mundur të ankoheni për atë që keni zgjedhur normalisht, por që nuk e ka përligjur atë besim të dhënë. Por të korrektoni sadopak dikë, të cilit votën ia keni shitur, është e pamundur", thuhet në mesazhin e Kreut të Shtetit.
Vota nuk merret në këmbim të asnjë favori. Vota vetëm meritohet. Denoncojini përpjekjet për blerjen e votës! Mos u bëni viktima të kësaj dukurie katastrofike, të këtij gabimi fatal, pasojat shkatërrimtare të të cilit vuhen gjatë.
Mbarësia e zgjedhjeve përcakton gjithçka që ka të bëjë me fatet tuaja në marrëdhënie me shtetin. Mos lejoni, mos rrezikoni, që dita e zgjedhjeve të bëhet ditë pazari votash! Le të jetë dita e votimit siç i ka hije një vendi ku demokracia funksionon: një ditë feste. Zgjidhni kandidatë me vizion, bindje, vendosmëri, energji, pasion, frymëzim, kandidatë që e kanë dëshmuar se votën tuaj e meritojnë, përfundon mesazhi i Presidentit të Republikës./atsh//