TIRANE - Kryeipeshkvi Ramiro Moliner Inglés, u vlerësua sot nga Kreu i Shtetit, Bujar Nishani me Dekoratën "Nënë Tereza" për kontributin e veçantë e të çmuar në forcimin e lidhjeve dhe intensifikimin e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, mbështetjen e procesit të lumturimit të klerikëve shqiptarë të martirizuar nga regjimi komunist, si dhe në promovimin e harmonisë fetare të kombit shqiptar.
Të pranishëm në ceremoni e zhvilluar në presidencë ishin drejtues të klerit katolik në Shqipëri si dhe Ambasadorja e Mbretërisë së Spanjës, Silvia Josefina Cortés Martín.
Në fjalën e tij, Nishani i shprehu mirënjohjen Nuncit Apostolik, Shkëlqesisë së Tij Imzot Inglés, për kontributin e veçantë dhe shumë të rëndësishëm që ai personalisht dha në inicimin dhe realizimin e vizitës së Papa Françeskut në Tiranë, në shtatorin e vitit të kaluar.
"Vizita ishte kulminacioni i punës së palodhur dhe kontributit të Nuncit, të Ambasadës së Selisë së Shenjtë në Tiranë, si dhe e të gjithë klerikëve katolikë që u përfshinë për rreth një vit në realizimin e saj. Falë këtij kontributi të rëndësishëm, por sigurisht jo vetëm, u bë e mundur që për herë të dytë në njëzet e një vjet, Shqipërinë ta vizitojë përsëri një Papë", u shpreh Presidenti.
Shqiptarët, theksoi Nishani, u ndjenë të nderuar dhe të privilegjuar që Papa Françesku zgjodhi Shqipërinë për të hapur siparin e vizitave të tij në Evropë, si dhe për t'i përcjellë mbarë botës mesazhin e tij apostolik.
Gjithashtu, Nishani vlerësoi punën dhe mbështetjen që Nunci Apostolik ka dhënë në procesin e lumturimit të klerikëve shqiptarë të martirizuar nga regjimi komunist, si dhe në promovimin e harmonisë dhe bashkëjetesës fetare të kombit shqiptar.
"Ndaj dhe unë sot, mirënjohjen time dhe të popullit shqiptar do ta shpreh duke e vlerësuar Nuncin Apostolik me Dekoratën që ne shqiptarët nderojmë personalitete vendase e të huaja dhe që mban emrin e humanistes së madhe me origjinë shqiptare, Nënë Terezës. Jam i bindur se puna dhe angazhimi i Nuncit për finalizimin e projekteve të nisura së bashku, të tilla si: Finalizimi i procesit të Lumturimit të klerikëve shqiptarë të martirizuar nga komunizmi dhe promovimi i një Kardinali me origjinë nga Shqipëria; e të tjera projekte në vijim, do ta forcojnë edhe më shumë miqësinë e shqiptarëve me Selinë e Shenjtë", përfundoi Kreu i Shtetit.