TIRANE - Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, njëkohësisht edhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura përkujtoi sot paradite me nderim dhe respekt sakrificën dhe veprën heroike të Kapiten Feti Voglit, i cili ra në krye të detyrës në Afganistan duke shërbyer si paqeruajtës në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë.

Kreu i Shtetit shqiptar u përul me respekt para bustit të ngritur për nder të ‘Dëshmorit të Atdheut” në Shkollën e Mesme të Bashkuar “Feti Vogli” të Baldushkut, duke vendosur një kurorë me lule në nderim të heroit të Forcave të Armatosura shqiptare.

Presidenti Nishani zhvilloi më pas një vizitë në familjen Vogli, në fshatin Baldushk të rrethit të Tiranës, për të shprehur nga afërdhimbjen e thellë për humbjen e djalit, bashkëshortit dhe babait të rënë në krye të detyrës, Kapitenit Feti Vogli.

nishani te feti vogli

Gjatë takimit të përzemërt me familjarët e të ndjerit, Kreu i Shtetit u shprehu ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e njeriut të tyre të dashur, duke vlerësuar njëkohësisht aktin heroik të dëshmorit dhe paqeruajtësit shqiptar të dekoruar pas vdekjes me Medaljen e Artë të Shqiponjës.

Presidenti Nishani gjatë vizitës theksoi se: “Ceremonia ishte e veçantë, por më i veçantë ishte nderimi. Fjalët e nderimit dhe të mirat janë thënë dhe do të vazhdojnë të thuhen gjithë jetën. E para është dhimbja, është dhimbja për familjen, dhimbja për të afërmit, për shokët, për miqtë, por kjo dhimbje kalohet dhe njeriu bëhet i fortë kur nderi dhe nderimi është i madh, sepse Fetiu është nga ata njerëz që ka fituar pavdekësinë.

Kapiten Vogli ka fituar pavdekësinë me jetën e tij, por me sakrificën e Fetiut është nderuar Shqipëria, është nderuar Flamuri Kombëtar, janë nderuar të gjithë shqiptarët. Kështu që ne krahas dhimbjes, kemi dhe krenarinë dhe nderin shumë të madh. Do kalojnë shumë vite, shumë breza do të vijnë e shkojnë, por Fetiu do të mbahet mend dhe do të kujtohet gjithmonë ashtu i ri, trim. Do të mbahet mend gjithmonë me Flamurin Kombëtar, me uniformën e nderuar të ushtarakut. Ai ashtu do t’i përkasë përjetësisë. Me Fetiun dhe veprën e tij do të nderohen fëmijët, do të krenohen nipërit dhe stërnipërit e tij.”

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)