TIRANE- Presidenti i Republikës Bujar Nishani shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të artistit Skënder Sallaku. Në faqen e tij në rrjetin social “Facebook”, Kreu i Shtetit e ka cilësuar Sallakun një “artist të madh të skenës, dhe në veçanti të humorit”.
 
“Skënder Sallaku ishte dhe mbetet një artist i madh i skenës dhe në veçanti i humorit. Nuk ishte vetëm mjeshtëria e tij që e ka bërë të dashur për publikun artdashës, por mbi të gjitha aftësia e tij që na mbante me humor në një kohë kur në jetën tonë humori sikur ishte strukur thellë brenda nesh dhe duhej një artist i drejtpërdrejtë dhe i mirëfilltë të na e bënte pjese të jetës sonë të përditshme.

Sot që na iku dhe edhe më shumë nesër kur nuk do ta kemi më pranë si deri sot, do ta ndiejmë mungesën e tij, sepse ai diti të komunikonte humanizëm, optimizëm dhe shije.
Sot, mbasi na ka bërë të qeshim me interpretimet dhe me batutat e tij, është hera e parë që, me ikjen e tij na bën të ndjejmë dhimbje”, shkruan Presidenti Nishani.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)