Në kuadrin e këtyre ceremonive Presidenti Nishani zhvilloi edhe një takim dypalësh me Presidentin Vujanović, të cilin e uroi për përvjetorin si dhe për arritjet e përgjithshme të Malit të Zi në agjendën euroatlantike.
Presidenti Nishani vlerësoi marrëdhëniet miqësore e të bashkëpunimit mes dy vendeve, si dhe e siguroi Presidentin Vujanović për angazhimin e plotë e të sinqertë të Shqipërisë në promovimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve dhe të fqinjësisë së mirë.
“Jam këtu për të shprehur urimet më të mira dhe të sinqerta të Shqipërisë dhe shqiptarëve, për ju dhe të gjithë qytetarët e Malit të Zi, në këtë përvjetor shumë të rëndësishëm të pavarësisë, si dhe t’ju përgëzoj për finalizimin e procesit të integrimit në NATO, të cilin e shoh si një kontribut për të gjithë rajonin tonë.” u shpreh Kreu i Shtetit.
Të dy bashkëbiseduesit shprehën mbështetjen për bashkëpunimin rajonal dhe forcimin e marrëdhënieve mes vendeve të rajonit në frymën e fqinjësisë së mirë e të bashkëpunimit.
Festimet u përcollën nga të pranishmit në një atmosferë të gëzueshme e të hareshme, ku krahas këngëve e valleve malazeze nuk munguan edhe ato popullore shqiptare.
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)