TIRANE - Presidenti i Republikës, Bujar Nishani gjatë takimit me Kryeministrin e Rumanisë, Viktor Ponta, u shpreh se Shqipëria për të përmbushur detyrimet që kërkohen integrimin e saj në BE duhet të mbështetet tek vendet partnere dhe mike, siç është Rumania.

Duke përgëzuar Rumaninë për performancën e saj si Presidente e Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Evropës Juglindore, Presidenti Nishani vlerësoi rolin e këtij institucioni si një kusht i nevojshëm për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Në këtë kuadër Kreu i Shtetit tha se Kosova ka provuar tashmë se realizimi i pavarësisë së saj garanton paqen dhe vendosjen e dialogut e bashkëpunimit rajonal.

Nga ana e tij Kryeministri Ponta, u shpreh se vendet e Ballkanit meritojnë të jetojnë në paqe e prosperitet dhe se e ardhmja e tyre është në BE, duke shtuar se Rumania mbështet plotësisht rrugën e tyre drejt integrimit.

Kryeministri Ponta u përqendrua edhe te rëndësia e dialogut shqiptaro-serb për krijimin e klimës së mirëbesimit dhe zgjidhjen e çështjes së Kosovës, duke shtuar se vendi i tij ka mbështetur procesin e integrimit evropian të Serbisë dhe të Kosovës.

Në lidhje me bashkëpunimin dypalësh, Presidenti Nishani dhe Kryeministri Ponta ndanë mendimin për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e eknomisë dhe tregtisë.


Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)