Kamera e TV A1 Report arrin të fokusojë mesazhin që kryeministri Berisha i dërgoi ish aleatit të tij, Vangjel Dule, pasi ky i fundit në mënyrë demonstrative
në shenjë proteste për mos kandidimin e Nanos për president, hodhi votën bardhë në kuti.
Kryeministri ka ndjekur me vëmendje çdo lëvizje të ish aleatit të tij. Dule pasi mori fletën e votimit në komisionin e votimit u drejtua nga mesi i sallës, palosi fletën, pa shkuar tek vendi i votimit të fshehtë, i cili ishte vendosur në podiumin e ministrave, dhe më pas e hodhi në kuti.
Kur është larguar Dule, i ka buzëqeshur Bashkim Finos, i cili ishte ulur në rreshtin e parë dhe deputetëve të tjerë socialistë, ndërkohë që kryeministri, ndodhej i ulur në rreshtin e parë, në krahun tjetër të sallës së Kuvendit, ku ulen deputetët e PD.
Në këtë moment kryeministri nxorri telefonin dhe i shkruan mesazhin kreut të PBDNJ-se i cili këmbëngulte në propozimin e Fatos Nanos si kandidat për postin e presidentit
JA SMS- JA
“Zoti Vangjel të përgëzoj për aktin e sotëm politik dhe qytetar” shkruhet në mesazhin që kryeministri i ka dërguar Dules dhe është fokusuar nga kamera e kameramanit Ervin Daja të tv A1 Report.
Gazeta Shekulli zbulon se para këtij mesazhi zëdhënësja e PD-së Silvi Bardhi i ka komunikuar kryetarit të saj mesazhin e kreut të PBDNJ-së, i cili kërkonte kandidimin e Fatos Nanos. Mesazhi sipas Shekullit është “Dule: Proces i dështuar, të kandidohet z Nano.”
BERISHA SMS DHE IDRIZIT
Shekulli vazhdon më tej se sms-të janë shkëmbyer dhe mes kryeministrit dhe kreut të PDIU-së Shpëtim Idrizi. Pas disa mesazheve ky i fundit ia kthen “Ok Hallall, e Allahu qoftë me ne... Mos më harro matjanin (për humor).
OPOZITA: NISHANI PRESIDENT I PALIGJSHEM
Bujar Nishani, kandidati i votuar dje me 73 vota për president të Republikës nga shumica parlamentare, sipas deputetëve të opozitës është votuar në kundërshtim me Kushtetutën dhe është i jashtëligjshëm. Sipas dokumenteve të afruara nga opozita, për të kanë firmosur deputetët që votuan edhe për kandidatin Artan Hoxha, ndërsa ai ka shkelur disa nene të kushtetutë.
Sipas deputetit Erjon Brace, procesi pas dorëheqjes të kandidatit të propozuar Artan Hoxha, kaloi në paligjshmëri të plotë, dhe kandidatura e Nishanit u paraqit jashtë afateve të vendosura nga Konferenca e Kryetarëve.
Ndërkohë që edhe seanca e pasdites ishte një seancë e paligjshme, sepse paradite, komisioni i Ligjeve mori në shqyrtim propozimin e 40 deputetëve për kandidatin Artan Hoxha dhe komisioni i Ligjeve e gjeti atë në përputhje me Kushtetutën dhe ia përcolli seancës plenare. Kryetarja e Kuvendit duhet të hapte seancën dhe të konsumonte formalisht raundin edhe kështu i konsumuar! Sipas Braçes nuk ka mundësi ligjore që brenda ditës të bëhen dy seanca, dy raunde për zgjedhjen e Presidentit dhe kandidati Nishani ishte në papajtueshmëri të qartë me Kushtetutën.
Për më tepër katër deputetë Ilir Meta, Vangjel Tavo, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri firmosën, në kundërshtim me Kushtetuten, për dy kandidatë Hoxhën dhe Nishanin, siç e tregojnë edhe dokumentat e shpërndara nga Kuvendi.
Nga ana tjetër presidenti, sipas nenit 89 të Kushtetutës "nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike, nuk mund të jetë anëtar partie dhe as të kryejë veprimtari tjetër private", ndërkohë që Nishani kur u votua ishte dhe është ende ministër dhe anëtar I forumeve të larta të PD-së. Nga ana tjetër sipas nenit 94 po të Kushtetutës, "Presidenti i Republikës nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera përveç atyre që i njihen shprehimisht me Kushtetutë dhe që i jepen me ligje të nxjerra në pajtim me të".
VOTIMI NE KUVEND
Kandidatura e Bujar Nishanit u propozua mesditën e djeshme nga mazhoranca, pasi kandidati i propozuar po nga ata dhe mori 40 firma, Artan Hoxha, deklaroi tërheqjen nga gara. Në seancën e votimit të zhvilluar pasditen e së hënës në orën 17:00 opozita nuk mori pjesë në votim. Bujar Nishani u zgjodh president me 73 vota një kundër, ndërsa dy të tjera kanë qenë të pavlefshme.
Edhe Kreu socialist Edi Rama menjëherë pas shpalljes së kandidaturës së ministrit aktual të Brendshëm për të garuar për postin e kryetarit të shtetit është shprehur kundër tij. Madje ka shkuar më tej, teksa ka renditur faktin se vendi ka rrëshkitur më keq në një kandidaturë politike, duke rrezikuar jo vetëm statusin e vendit kandidat për në BE por dhe duke bërë një ministër President dhe një president ministër të Brendshëm.
Trojka e ambasadorëve kanë përcjellë menjëherë urimet e tyre për Bujar Nishanin pas zgjedhjes se tij ne krye te shtetit shqiptar. Mesazhet e urimit nga ambasadori i SHBA-se Arvizu, Etore Sequi, Wollfarth i OSBE-se. Edhe Presidenti në detyrë, Bamir Topi, ka përshëndetur vendimin e Kuvendit për zgjedhjen e Bujar Nishanit.
(sg/fc/shqiptarja.com)