TIRANE - Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka organizuar pasditen e sotme në mjediset e Presidencës, një pritjen për Trupin Diplomatik me rastin e Vitit të Ri. Në pritje morën pjesë personalitete të ndryshme të politikës, Trupi Diplomatik, Kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ish-presidentë të Republikës, kryetarë të partive politike, personalitete të njohura në vendin tonë.

Në fjalën e hapjes së pritje, Presidenti Nishani falenderoj trupin diplomatik për mbështetjen që i ka dhënë dhe i jep vazhdimisht Shqipërisë dhe Kosovës, në rrugën drejt integrimit të vendit. Nishani vuri theksin në procesin e intregrimit të vendin, në votimin e 3 ligjeve në Parlament, por edhe në zhvillimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe të pakonstestueshme më 23 qershor.

“Shqipëria po provon që është e denjë si pjesëtare e NATO-s. Disa ditë më parë unë pata fatin t’i uroja vitin e ri paqeruajtësve shqiptar në Kabul. Shqipëria e konsideron procesin e integrimit në BE në rezultate dhe merita. Përmes realizimit të reformave klasa politike shqiptare duhet të dëshmojë se perspektiva europiane për ne është një mjet bashkimi dhe tejet i rëndësishëm për të konfirmuar përgjegjshmërinë dhe për të siguruar marrjen përsipër të përgjegjësive. Për këtë si President i Republikës kërkoj dhe do të mirëpres angazhimin e plotë të të gjithë aktorëve dhe faktorëve politik, për të arritur rezultate konkrete bashkëpunimi, që nga përmbushja e kërkesave të Komisionit Europian për votimin e 3 akteve në Parlament, si dhe realizimin sipas standardeve europiane të zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe të pakonstestueshme të 23 qershorit 2013”, u shpreh Nishani.

Më tej Nishani thekspo se sot shqiptarët krenohen me dy shtete të lira dhe sovrane në Ballkan.

“Po festojmë shekullin e dytë të pavarësisë. 100-vjetori u kremtua me dinjitetin që meritonte. Sot shqiptarët kanë të drejtë të krenohen me dy shtete të lira dhe sovrane në Ballkan, të orientuar qartazi drejt integrimit dhe Bashkimit Europian. Fqinjët nuk mund t’i zgjedhësh por mund të jetohet në paqe. Në qiellin tanë të kthjellët nuk ka vend për skifterë dhe korba lufte. Ne vlerësojmë procesin e konsolidimit të shetit të pavarur të Kosovës. Ne përshëndesim nisjen e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë. Shqipëria mbështet afirmim e Republikës së Kosovës dhe do të mbështetim përfshirjen e Kosovës në të gjithë forumet rajonale. Mirenjohje të thellë nga SHBA, vendeve të BE-së dhe NATO-s për mbështetjen që i kanë dhënë Kosovës për njohjen e saj si shtet i pavarur”, tha Nishani.

Në fund të fjalës së tij, Presidenti ka uruar dhe falenderuar trupin diplomatic të akredituar në Shqipëri.

“Duke iu falenderuar për praninë tuaj, dua të ngre një dolli për të gjithë ambasadorët dhe zonjat e tyre, për të gjithë përfaqësuesit e trupit diplomati, ju uroj nga zemra shëndet, lumturi dhe begati në familjet dhe vendet tuaja. Gëzuar”, përfundoi Nishani.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)