Përmes një komunikate për shtyp, Presidenti Nishani i ka cilësuar këto deklarata të pavend dhe të paargumentuara, duke shprehur kështu edhe mospajtimin sipas tij me këtë standard të kulturës politike dhe komunikimit ndërinstitucional.
Sipas Nishanit kryeministri Rama e sheh lumturinë duke cënuar Kushtetutën dhe ligjet e vendit, duke shtuar se kjo është një dëshirë totalitare dhe absolutiste.
“Aspirata për lumturi është një e drejtë legjitime e çdo qytetari të Republikës tonë e po kaq është e tillë edhe për Kryeministrin e vendit dhe anëtarët e qeverisë së tij. Por nëqoftëse këtë dëshirë të hershme e universale të humanizmit Kryeministri e sheh të projektuar në horizont duke cënuar Kushtetutën e vendit, institucionet e pavarura si dhe duke ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj Presidentit të Republikës, atëherë kjo është një dëshirë totalitare dhe absolutiste.” thuhet në komunikatën për shtyp të Nishanit.
Nishani thekson më tej se “Shqipëria është ndarë njëherë e përgjithmonë nga mendësi të tilla”, duke shtuar se “procesi integrues dhe vetëdija evropiane e popullit tonë nuk e lejojnë një gjë të tillë.”
Presidenti i Republikës vijon më tej duke nënvizuar se qeveria dhe Kryeministri Edi Rama hartojnë e miratojnë ligje që cënojnë kompetencat e Presidentit dhe pavarësisë së këtij këtij institucioni, duke kërkuar sipas tij një pushtet të pakufizuar.
“Unë e kam pranuar dhe e ushtroj detyrën e Presidentit të Republikes si përgjegjësi sublime ndaj vendit dhe popullit tim duke patur referencë të patjetërsueshme ligjet e këtij vendi dhe qëllim progresin e gjithanshëm të tij dhe sigurisht jo trishtimin, melankolinë apo lumturinë e politikanëve të veçantë. Punoj çdo ditë me këtë bindje, indiferent ndaj presioneve, por i keqardhur për burimin e tyre. Siç jeni të informuar nga mediat çdo ditë Kryeministri dhe qeveria e kryesuar prej tij përgatisin projektligje dhe votojnë ligje që cënojnë kompetencat e Presidentit të Republikes në kërkim të një pushteti të pakufizuar.” thuhet në komunikatë
Nishani vijon replikën e tij duke theksuar se qeveria aktuale kërkon një President, një prokuror, një sistem drejtësie dhe KLD të komanduar nga kryeministri.
“Kur Kushtetuta dhe Ligji preken në shërbim të pushtetit në raport me shtetin atëherë nuk ka vend për t’u mburrur në emër të kortezisë që tingëllon hipokrizi. Qeveria mesa duket dëshiron një President, një prokuror, një sistem drejtësie dhe KLD jo të reformuar, por të komanduar nga Kryeministri. Ëndërr e keqe kjo! Vizion i frikshëm.” shprehet Nishani
Në përfundim të komunikatës, Presidenti i Republikës shprehet se do të vijojë të respektojë ligjin dhe Kushtetutën, pavarësisht nëse kjo e bën të palumtur ndokënd.
“Do të mbetem në çdo moment të punës time besnik i Kushtetutës dhe interesave të bashkatdhetarëve të mi e nëse ky qëndrim i imi bën të palumtur ndokënd që dokumentin themelor të shtetit e sheh si pengesë për të patur pushtet absolutist, atëherë jam i lumtur, sepse i kam shërbyer mirë vendit tim.” përfundon Nishani
Të hënën e 14 korrikut, gjatë prezantimit të punës së bërë në 300 ditët e para nga kabineti i qeverisë, kryeministri Rama shprehu pakënaqësinë e tij ndaj institucioneve të Presidentit, KLD dhe Prokurorisë.
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)