Nishani shtron iftar për Ramazan
'Jemi shtet laik, mik i besimtarëve'

Nishani shtron iftar për Ramazan<br />'Jemi shtet laik, mik i besimtarëve'
TIRANË – Presidenti Bujar Nishani ka shtruar në ambjentet e Pallatit të Brigadave një darkë Iftarin me rastin e Muajit të Madhërishëm të Ramazanit. Në fjalën para të pranishmëve, Nishani tha se shteti shqiptar është mik i besimeve, garantues i lirisë dhe i barazlarguar aq sa e kërkon Kushtetuta e një shteti laik, demokratik dhe evropian.

"Shteti shqiptar është mik i besimeve, garantues i lirisë së tyre dhe i barazlarguar aq sa e kërkon Kushtetuta e një shteti laik, demokratik dhe evropian. Personalisht jam i bindur se interpretoj vullnetin e brendshëm të popullit tonë për respekt të ndërsjellë e harmoni duke hapur dyert e Institucionit që përfaqësoj. Të gjitha bashkësitë fetare shqiptare në vend të pranishme në këtë mjedis, si sonte, ashtu edhe në të ardhmen, sipas simbolikës dhe festave përkatëse, janë të ftuara e të mirë se ardhura", - tha Nishani

Nishani tha se feja dhe dhuna janë të papajtueshme, terrorizmi e mbyt lirinë fetare dhe nuk mund të jetë kurrë binom i saj.

Më tej gjatë darkës, Nishani u ka uruar të gjithë agjërueve agjerim të lehtë dhe të mbarë

Të pranishëm në këtë Iftar ishin Kryetari i Komunitetit Mysliman, Skënder Bruçaj, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kryeprokurori Llalla dhe Kryetari i KLSH-së Bujar Leskaj, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, Ambasadori i OSBE-së Raunig, krerë të bashkësive fetare shqiptare si dhe përfaqësues të artit, medias, kulturës, etj.
 nishani
nishani
nishani
nishani
 Fjala e plotë e Presidentit Nujar Nishani
“I nderuar Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, zoti Bruçaj,
Të nderuar besimtarë myslimanë të mbarë vendit tonë!
E nderuara zonja Ministre e Kulturës,
I nderuari Ambasador Raunig,
Përfaqësues të besimeve fetare në Shqipëri, klerikë,
Drejtues të institucioneve të shtetit!
Jemi mbledhur sonte të gjithë së bashku në këtë darkë Iftari në shenjë respekti të thellë për të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë, të cilët me devocionin dhe përkushtimin e tyre ndaj Zotit po e përcjellin Muajin e Madhërishëm të Ramazanit në paqe, harmoni e përshpirtje duke reflektuar dhe promovuar mesazhin që vjen prej tij.  Ju uroj nga zemra agjërim të lehtë dhe të mbarë!
Shteti shqiptar është mik i besimeve, garantues i lirisë së tyre dhe i barazlarguar aq sa e kërkon Kushtetuta e një shteti laik, demokratik dhe evropian. Personalisht jam i bindur se interpretoj vullnetin e brendshëm të popullit tonë për respekt të ndërsjellë e harmoni duke hapur dyert e Institucionit që përfaqësoj. Të gjitha bashkësitë fetare shqiptare në vend të pranishme në këtë mjedis, si sonte, ashtu edhe në të ardhmen, sipas simbolikës dhe festave përkatëse, janë të ftuara e të mirë se ardhura.
Të dashur miq,
Në këtë darkë dua të shpreh gjithë mirënjohjen time për kontributin që Komuniteti Mysliman Shqiptar dhe drejtuesit e tij kanë dhënë për harmoninë ndërfetare, për mbështetjen e tyre pa kushte ndaj demokracisë dhe integrimit evropian si dhe për demotivimin që i kanë bërë çdo forme të instrumentalizimit fetar në vend. Ju, Komuniteti Mysliman Shqiptar, jeni dhe përfaqësoni një kolonë të rëndësishme të shoqërisë sonë.
Tradita e islamit shqiptar është e shkëlqyer. Ajo na bën krenarë për formën dhe përmbajtjen, të cilat kanë gjetur më së miri ndër shekuj  kodin e admirueshëm të bashkëjetesës me Krishterimin, fakt ky që e bëri Papa Françeskun të pohojë se fetë  në Shqipëri janë në vëllazëri të plotë si model dialogu dhe bese, çka i bën shqiptarët të admiruar kudo në botë. Kjo dialektikë e jona nuk është realizuar kurrë me ushtarë, asnjëherë me konventa, pa nevojë  ndërmjetësish, por natyrshëm nën ritmin e jetës. Ajo është burimore, është vetëdije, është triumfi i indit kombëtar e i kohezionit që ai krijon. Ashtu siç kemi qëndruar si njësi unike, po ashtu do të mbetemi në jetë të jetëve. Po, ne jemi të gjithë shqiptarë, kemi gjuhë dhe tradita të njëjta, por i falemi Zotit në mënyra të ndryshme dhe e kemi bërë këtë duke pranuar njëri-tjetrin dhe duke mbetur gjithmonë vëllezër, gjithmonë shqiptarë, gjithmonë evropianë. Ja, sonte, siç e vini re në këtë darkë iftari nuk ka vetëm besimtarë myslimanë, por edhe të krishterë, katolikë e ortodoksë, por edhe laikë, njerëz që besojnë tek vlera e diversitetit, tek liria e tjetrit si liri e tyre, tek multifetarizmi si vlerë e përbashkët.
Të dashur miq!
Gjej rast nga kjo foltore, dhe besoj se  jemi të gjithë në një mendje, kur themi se feja dhe dhuna janë të papajtueshme, se terrorizmi e mbyt lirinë fetare dhe nuk mund të jetë kurrë binom i saj. Por vigjilenca ndaj çdo tentative dhe përpjekjeje që dëshiron të manipulojë imazhin e shqiptarëve është e domosdoshme. Ne duhet të reagojmë me shpejtësi ndaj çdokujt, çdo zëri, individi apo shoqate që fut ndasi religjioze, ndaj çdokujt që predikon dhunë dhe absolutizëm, ndaj çdokujt që propagandon shtet me natyrë fundamentaliste dhe rekruton djem shqiptarë për vatrat e terrorit. Ata cenojnë gjithçka kemi arritur në shekuj. Ata cenojnë të ardhmen dhe demokracinë, vetë  kombin dhe ëndrrën tonë evropiane. 
Të nderuar klerikë të pranishëm, nëse më lejoni, ju them të mos hezitoni që të predikoni këtë të ardhme për besimtarët tuaj! Ne jemi bij të Evropës; ajo është shtëpia jonë e përbashkët. T’i lëmë të vetëm dhe pa mbështetje përçarësit; t’i ekspozojmë para shoqërisë dhe ligjit ata të cilët tentojnë që mbi librat e shenjtë të kësaj pasurie të paçmueshme të njerëzimit të sajojnë doktrina terrori, absolutizmi dhe përjashtimi. Me kurajë, me forcë dhe çdo moment  t’i luftojmë si përfaqësues të së keqes dhe si armiq të fesë, për më tepër, si antishqiptarë.
Të dashur vëllezër,
Ky Muaj i sakrificës dhe dëlirjes shpirtërore i afron më tepër njerëzit duke na kujtuar se nuk është kurrë vonë për t’u vetëpërsosur dhe për t’u bërë më të mirë e më të drejtë, sepse kështu do të kemi një shoqëri më humane, një jetë më të lumtur, një botë akoma edhe më të sigurt. U uroj me mirënjohje paqe e mirësi të gjithë besimtarëve myslimanë! Agjërim të lehtë! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët! Ju faleminderit!”
 

Redaksia Online
(o.b/ Shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

  PAMJET E RENDA/ U ekzekutua para pallatit, momenti kur biznesmeni Eduart Reçi qëllohet me plumb në kokë dhe bie në tokë

PAMJET E RENDA/ U ekzekutua para pallatit, momenti kur biznesmeni Eduart Reçi qëllohet me plumb në kokë dhe bie në tokë