Zyrtarë të lartë të vendit sot kanë pritur në takime përfaqësues të ekipit tonë kombëtar, ku kanë vlerësuar sjelljen e lojtarëve kuqezi mbrëmë në Beograd, pavarësisht dhunës së cilës iu nënshtruan.

Kështu Presidenti i Republikës Bujar Nishani gjatë një takimi me ekipin kombëtar në Presidencë, vlerësoi qëndrimin e mbajtur nga ekipi, ndërsa dënoi sjelljet raciste gjatë gjithë kohës në stadium ndaj vendit dhe simboleve tona kombëtare.

Ndërkohë Bashkia e Tiranës i akordoi ekipit titullin ‘Mirënjohja e Qytetit’. Edhe Këshilli i Qarkut Shkodër ka akorduar ditën e sotme titullin qytetar nderi i qarkut Shkodër për disa prej futbollistëve të Kombëtares.
 presidenti nishani

Nishani takon ekipin kombëtar: Vlerësoj qëndrimin tuaj para sjelljeve raciste
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim miqësor përfaqësues të ekipit Kombëtar te Futbollit dhe drejtues të Federatës Shqiptare të Futbollit. Në takim Presidenti pasi u uroi mirëseardhjen, u ndal në situatën e rëndë me të cilën ekipi i futbollit shqiptar u ndesh në stadiumin e Beogradit.

Nishani vlerësoi sjelljen e futbollistëve të kombëtares, ndërsa shtoi se ata gjatë gjithë kohës ata u ndeshën me sjellje dhe thirrje raciste e antisportive, që siç shprehet ai deri në dhunimin e simboleve tona kombëtare.

“Lojtarët shqiptarë, shkuan pa paragjykime si sportistë dhe profesionistë, por u ndeshën me fyerjen e simboleve tona kombëtare, me thirrje shoviniste dhe raciste, me dhunën e huliganëve dhe pjesëtarëve të stafit të sigurisë në stadium, situatë që e përballuan me dinjitet të lartë. Ata rrezikuan shumë në emër të dinjitetit dhe simbolikës që mbartin ngjyrat e flamurit kombëtar si shenjë e identitetit dhe integritetit shqiptar. Ne, shqiptarët dimë të jemi të virtytshëm pa qenë shovenë, dimë të sfidojmë  rrethanat, të vetëdijshëm në përkatësinë tonë evropiane dhe në sjellje po aq dinjitoze. Ne besojmë se sporti dhe kultura duhet t’i afrojnë më shumë popujt.” shprehet Nishani
 
Për Presidentin asnjë nga sjelljet e djeshme nuk ishin pjesë e standarteve evropiane, ndërsa nënvzisoi se mosreflektimi ndaj këtyre akteve të shkeljes së simboleve fetare do të çonte në përsëritjen e veprimeve të tilla.

“Asgjë nga ato me të cilat sportistët shqiptarë u ndeshën dje në stadiumin e Beogradit nuk kanë lidhje dhe ngjashmëri me standardet evropiane dhe familjen evropiane ku duhet të shkojnë të gjithë popujt dhe vendet e Ballkanit. Mos reflektimi ndaj dhunimit të simboleve tona kombëtare, ndaj dhunës huligane është mundësi e madhe që shëmti të tilla të përsëriten. Shqipëria, kombi, ju janë mirënjohës për profesionalizmin, integritetin dhe guximin, cilësi këto që ju nxorën faqebardhë. Ju faleminderit nga zemra!” tha Nishani

nishani

Bashkia e Tiranës i jep titullin ‘Mirënjohja e Qytetit’ Kombëtares
Bashkia e Tiranës i ka akorduar ekipit Kombëtar të futbollit titullin ‘Mirënjohja e Qytetit’. Mësohet se titulli është akoduar ditën e sotme pas një vendimi të kryebashkiakut Basha pas ndeshjes së djeshme me Serbinë.
 
Ndeshja Serbi-Shqipëri u ndërpre në minutën e 42’ pas dhunës që nisi në fushë. Lojtarët shqiptarë u qëlluan me grushte në fushë nga tifozët serbë.

Ndërsa tifozët shqiptarë nuk u lejuan të shkelin shkallët e stadiumit Partizani në Beograd, flamuri kuqezi me shkrimin “Autoktonë” pllakosi heshtjen në stadium, teksa përballja mes dy ekipeve po i drejtohej fundit të pjesës së parë 0-0. Por ajo çka ndezi gjakrat ishte tërheqja e flamurit shqiptar nga futbollisti serb Mitroviç teksa flamuri valëvitej mbi fushë përmes një helikopteri të telekomanduar.
 
Djemtë e kombëtares "luftuan" në mes të Beogradit për të mbrojtur flamurin Kuq e Zi. Drejt serbit vrapoi futbollisti Taulant Xhaka që e ka shtyrë duke mos lejuar përdhosjen e flamurit. Kjo ka bërë që situata të përshkallëzohet. 

Balaj, Hysaj, Salihi e Vajushi shpallen qytetarë nderi të Shkodrës 
Këshilli i Qarkut Shkodër ka akorduar ditën e sotme titullin qytetar nderi i qarkut Shkodër për futbollistët e kombëtares me origjinë shkodrane, për Bekim Balajn, Elseid Hysaj, Hamdi Salihi dhe Armando Vajushit.
 
Me motivacion për performancën e shkëlqyer në demonstrimin e vlerave te larta si futbollistë profesioniste si dhe devocionin qytetar në ruajtjen e vlerave kombëtare

 Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)